Ervin KOÇI

Sot Gjykata Kushtetuese do të shpallë si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë Ligjin nr.10091, datë 05.03.2009 " Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe të kontabilistit të miratuar”. Kjo gjykatë vendosi njëzëri të deklarojë këtë ligj antikushtetues, pasi e ka shqyrtuar atë dhe pasi është konsultuar dhe me specialistët e fushës. Ligj në fjalë i propozuar nga Ministri i Financave për Këshillin e Ministrave, ka qenë mjaft i debatuar nga profesionistët e fushës, pasi ai jo vetëm që nuk rregullonte ushtrimin e këtij profesioni, por krijonte dhe anshmëri në mënyrën e përzgjedhjes dhe dhënies së të drejtës për ushtrimin e profesionit të ekspertit kontabël. Kundërshtimet më të mëdha për këtë ligj nga ana e ekspertëve të fushës, kanë ardhur në lidhje me mënyrën se si do të funksiononte Bordi i Mbikëqyrjes Publike për Ekspertët Kontabël. Sipas ligjit të ri Ministra e Financave, do të mbikëqyrte dhe do të bënte të mundur ngritjen e bordit të mbikëqyrjes publike, si strukturë përgjegjëse për mbikëqyrjen e profesionit të ekspertëve kontabël, të regjistruar, të shoqërive audituese dhe kontabilistit të miratuar. Po kështu ishte kompetencë e ministrit të Financave kontrollimi i mbarëvajtjes së punës së këtij bordi, përzgjedhja dhe caktimi i anëtarëve të tij, caktimi i kryetarit të bordit, si dhe i diktimit të kritereve përzgjedhëse. Por kjo gjë u kundërshtua fillimisht nga një pjesë e ekspertëve të pavarur kontabël, e më vonë nga të gjitha ata u kërkua në gjykatë mosmiratimi i tij.

Kontestimet

Ligji i ri “Për auditimin ligjor”, që pritej të miratohej që vitin 2009 pretendohej nga qeveria se do të përshtatej sipas standardeve të BE-së. Por hartimi i tij ndeshi që në fillim në kontestime të forta sidomos nga grupet e interesit që kundërshtuan ndryshimet e ligjit. Ekspertët kontabël të licencuar që e ushtrojnë aktivitetin e tyre si ekspertë të lirë, shikojnë te projektligji i ri një mori parregullsish dhe mospërshtatjesh për ushtrimin e saktë të këtij profesioni. Por përveç grupeve të interesit, hartimi i këtij projektligji të ri, i cili është edhe në një prej pikave të MSA-së, u kundërshtua vitin e kaluar edhe nga vetë Ministria e Integrimit, e cila nuk pranoi formën e hartimit të këtij drafti që binte ndesh me kërkesat e BE-së. Sipas kësaj ministrie, “Neni 29 i direktivës 2006/43/EC (pra direktiva e 8-të e BE-së), pika “a” dhe “B”, përcakton se “kontrolli i cilësisë duhet të jetë i pavarur dhe i përjashtuar nga çdo lloj ndikimi prej audituesve dhe shoqëritë e auditimit”. Dispozitat që rregullojnë IEKA-n krijojnë një situatë në kundërshtim me direktivën përkatëse të BE-së që synohet të rregullohet me këtë ligj. Kjo pasi krijimi i një situate monopol në fushën e ofrimit të shërbimeve profesionale mund të sjellë pasoja shumë të rënda në një realitet ku korrupsioni është një fenomen lufta ndaj të cilit është një nga prioritetet e qeverisë. Kjo sjell edhe diskriminimin me pa të drejtë të organizmave të tjera profesionale, që janë regjistruar me vendim gjykate.

Funksionimi i ligjit të ri

Rregullat e reja të licencimit dhe procedurat për aktivitetin e ekspertëve kontabël, sipas projektligjit të ri përfshijnë të gjitha subjektet që ushtrojnë këtë veprimtari me licencë. Ligji i mëparshëm, që ishte në fuqi për këtë kategori profesionistësh të sektorit të biznesit, pas përmirësimeve dhe pas miratimit nga Parlamenti do të përcaktonte rregulla të reja si në licencimin e ekspertëve kontabël, ashtu dhe në ushtrimin e profesionit të tyre, deri te kontrolli mbi ta nga ekspertë të posaçëm. Në ligjin e ri përcaktohej dhe mënyra se si do të licencohen ekspertët kontabël të autorizuar, si dhe shoqëritë e auditëve. Sipas projektligjit të ri përcaktohet ngritja e një bordi që do të kryejë mbikëqyrjen publike për të gjithë ekspertët kontabël të licencuar deri tani si dhe për ata të rinj. Po kështu, marrëdhëniet profesionale do të rregullohen me anë të Kodit të Etikës që do të përgatitet nga Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar, i njohur ndryshe si “IEKA”. Ligji i ri i jepte të drejtë të plotë “IEKA”-s që të mbikëqyrë veprimtarinë e profesionit të ekspertit kontabël të autorizuar. Në rast të ushtrimit të paligjshëm të profesionit, por edhe përdorimit abuziv të emërtimeve të shoqërive që synojnë të krijojnë një ngjashmëri, ose një konfuzion me këta tituj apo emërtime, subjektet e rreme do të përballen me sanksione nga ana e Institutit si dhe Bordit. Sanksionet do të jenë të rrepta dhe do të shkojnë deri në ndjekje penale për subjektet që falsifikojnë statusin dhe emërtimin.



Shkurt//////////////////////////////////////
Prifti apel bankave: Kreditoni koncensionarët e HEC-eve lokalë

Kompanitë që kanë marrë me koncension hidrocentralet po hasin probleme me gjetjen e financimeve për ndërtimin e tyre. Është kjo arsyeja që Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, zhvilloi dje një takim me përfaqësues të sistemit bankar duke u kërkuar mbështetjen me kredi për këto projekte. Sipas Ministrit Prifti, janë bërë rregullimet ligjore që bankat të jenë të sigurta për financimet që bëjnë. “Ligjërisht të gjitha garancitë kryesore janë për bankat për të kredituar koncensionet në fushën e energjetikës. Akoma mund të kenë mbetur disa probleme pa u zgjidhur. Por unë mendoj se frika e sistemit bankar për të mos u përfshirë në investime , sidomos në financimin e hidrocentraleve është e pajustifikueshme”,- theksoi ministri Prifti. Gjatë viteve të fundit, në sektorin e energjisë janë dhënë rreth 90 koncensione për ndërtimin e HEC-eve lokalë nga 263 që janë në të gjithë vendin. Nga këta puna ka nisur vetëm në 26 koncensione, ndërkohë që 18 të tjera janë në ndërtim. Bëhet fjalë për një investim që në total arrin në 1.9 miliardë euro. Në përfundim të këtyre veprave parashikohet që të hidhet në rrjet një sasi energjie shtesë prej 3 miliardë kilovat/orë në vit.








5 Shkurt 2010