Ervin Koçi



Qeveria duket vërtetë e “dorëzuar” përpara grupeve të interesit përsa i përket ligjit që ka lidhje me taksimin e pasurisë. Projekti për sistemin e ri të taksave vendore, i cili propozonte rritjen e të paktën gjashtë taksave, nuk mori konsensusin e opozitës, duke detyruar, ndoshta për herë të parë qeverinë, që ta tërheqë mbrapsht. Ligji shumë i debatuar "Për taksat vendore" do të rikthehet sërish në Kuvend, por vetëm pas gjashtë muajsh. Këtë afat e përcakton rregullorja e Parlamentit, sipas së cilës: “Për ligjet e kthyera mbrapsht qeveria e paraqet sërish ligjin pas gjashtë muajsh, pasi e ka riparë dhe rishqyrtuar atë me ekspertët e fushës dhe pasi ka kryer regullimet e duhura”. Por kjo periudhë rrelativisht jo e shkurtër përkon me fillimin e vitit 2009. Në këtë pikë, Ministria e Financave ka kohë të mjaftueshme për ta rishikuar ligjin, së bashku me grupet e interesit, konkretisht me shoqatat e bashkive dhe komunave, por edhe me ndërtuesit dhe me përfaqësues të tjerë të biznesit. Edhe pse për hartimin e paketës së re kishin rënë dakord krerët e bashkive, kryesisht me drejtues të opozitës, kjo e fundit nuk e pa të arsyeshme që të jepte votën pro. Ligji në thelb është kundërshtuar ashpër nga bizneset, sidomos nga ai i ndërtimit, duke e cilësuar atë si "falimentues" sidomos për sektorin e ndërtimit.



Afati



Sistemi i ri i taksave vendore, i propozuar nga Këshilli i Ministrave, do të rishikohet përsëri nga grupi i punës, i kryesuar nga këshilltari i Kryeministrit për çështjet ekonomike, Petraq Mile. Nëse do të gjendet konsensusi mes palëve, përfshi edhe përfaqësuesve të bashkive dhe komunave, për një variant më të pranueshëm, atëherë projektligji do të rikthehet përsëri në Kuvend për t‘u shqyrtuar nga deputetët. Ndryshimet e paraqitura nga qeveria në ligjin për taksat vendore konsistojnë në rritjen e taksës së pasurisë, përkatësisht në 65 lekë/metër katror brenda unazës dhe 45 lekë/metër katror jashtë unazës së Tiranës, në një kohë që pushteti vendor përveç kësaj takse do të ketë nën administrimin e tij edhe taksën e qarkullimit, atë të peshkimit etj.



Taksat



I shumë diskutuar, për shkak të dyshimeve që shoqëronin procedurën për hartimin e këtij projektligji, tashmë bashkitë dhe komunat do të vijojnë me sistemin aktual të taksave vendore. Një ndër pikat që bëri të mundur "rrëzimin" e ligjit lidhej me shkallën e re të aplikimit për taksën mbi infrastrukturë, e cila propozohej të paguhej 6 për qind mbi nivelin e investimit të kryer në ndërtim. Aktualisht, shkalla e kësaj takse shkon në 4 për qind për Tiranën dhe 3 për qind për qytetet e tjera, që, gjithsesi, edhe ky nivel konsiderohet i lartë për ndërtuesit. Për këtë propozim të ri ishte shprehur kundër edhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, sipas të cilit, rritja e kësaj takse do të rëndonte në kurriz të ndërtuesve, duke rrezikuar frenimin e investimeve. Po një tjetër taksë, që aplikohet për banesat, është kundërshtuar me forcë, kësaj here nga opozita. Rritja e kësaj takse në masën 50 për qind, që paguhet një herë në vit pranë njësive lokale, do të ndikonte direkt në xhepat e konsumatorëve dhe për këtë arsye solli kundërshtime të forta nga ana e opozitës. Ndërsa taksa për tokat bujqësore pësonte një rritje deri në trefish të saj, e propozuar që të aplikohej për pjesën e dytë të vitit 2008. Kjo taksë pësoi rritje me synim stimulimin e sektorit të bujqësisë, në mënyrë që tokat të mos lihen të papunuara. Por bujqësia është në një gjendje ende mjerane, ku një fermer prodhon më pak se 25 për qind të asaj që prodhon një fermer në Maqedoni apo në Bullgari. Çmimet e larta të punës me mekanikë dhe të kimikateve në bujqësi edhe në gjendjen e tashme janë të papërballueshme për të quajturit fermerë dhe një taksë e re rritur e tokës do të ishte tjetër barrë.





BOX////////////////////////////////

Grupet e interesit e argumentojnë ligjin si “falimentues”



Një nga grupet më të mëdha që është shprehur kundër ndryshimeve, ka qenë pikërisht ai ndërtuesve, të cilët kanë deklaruar se rritja e kostove të ndërtimit duke filluar që me rritjen e çmimeve dhe rritja e taksave vendore do të ndikojë në uljen e ritmeve të ndërtimit. Madje në rastin më të keq, ato do të çojë në një falimentim të kompanive të ndërtimit. Qeveria ishte këmbëngulëse deri para pak ditësh për t’i miratuar këto ndryshime, megjithëse ndërtuesit kundërshtuan dhe thanë se taksat e reja do të rrisnin shumë çmimet në ndërtim. Grupet e interesit e kryesisht biznesi nuk mundën të përfaqësonin shqetësimin e tyre në këto ndryshime, ndërsa qeveria e pa veten të pranonte moskalimin e taksave të reja dhe rishqyrtimin. Opozita në anën tjetër i ka kundërshtuar këto ndryshime. Përkundër sjelljes me taksat e tjera qeveria kërkoi rritjen e taksës së pasurisë me argumentimin se pushteti vendor kishte nevojë për më shumë pará dhe për pavarësi më të madhe. Ligji për taksën e pasurisë parashihte rritje të taksës edhe për tokën bujqësore. Rritja e taksës për ndërtesat dhe e taksës për tokën në një kohë kur kostot e produkteve dhe të shërbimeve rriten përditë, është një masë e pavend dhe do të bëjë që çmimet të rriten shumë më tepër se sa kanë ritmin e tyre.





Ruli: “Pushteti vendor nuk bashkpunon në regjhistrimin e bizneseve”



Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, kërkoi rritjen e bashkëpunimit me pushtetin vendor për regjistrimin e biznesit. Gjatë analizës 6 mujore të Qendrës Kombëtare për Regjistrim, ministri Ruli i kërkoi kësaj administrate intensifikimin e bashkëpunimit me pushtetin vendor për të bërë të mundur që jo vetëm në dy prej qyteteve kryesore të shënohen nivele rekord në rajon, përsa i përket regjistrimit të biznesit, por mundësisht ky regjistrim të shtrihet në të gjitha qytetet. Duke vlerësuar punën e bërë nga QKR, Ruli u shpreh se “kalimi i regjistrimit të biznesit nga proçedura gjygjësore në atë administrative dhe ulja e kontakteve mes biznesit dhe shtetit janë ato që përmirësojnë klimën e biznesit”. Sipas Rulit, QKR-së i'u deshën 6 muaj të rregullonte atë çka ishte bërë mbrapsht në regjistrimin e shoqërive tregtare shqiptare për 14 vjet, për arsye se trashëgoi një arkivë të tërë dokumentare nga të gjitha gjykatat e vendit me të gjitha problematikat në këto dosje. Brenda këtij viti pritet të hapet edhe Qendra Kombëtare për Liçencimin e Biznesit. "Shumë shpejt liçencat do të përqendrohen në një qendër të re, që do të jetë e ngjashme me atë të regjistrimit të biznesit, që do të jetë Qendra Kombëtare e Liçencimit, e cila me praktika të shpejta dhe afate optimale të aplikimit, biznesmenët do të pajisen, që nga lejet profesionale e deri te liçencat",- tha ministri Ruli.







25 Korrik 2008