Në ligjin e ri “Për urbanistikën” janë parashikuar qartë disa ndryshime në procedurat për marrjen e lejes së ndërtimit në të gjitha bashkitë dhe komunat e vendit. Kuvendi miratoi të hënën me konsensus ndryshimet në projektligjin "Për urbanistikën" të cilat përfshijnë disa elementë të rinj, që synojnë thjeshtimin e procedurave dhe të afateve në dhënien e lejes së ndërtimit. Ndër ndryshimet kryesore është ai i afatit të miratimit të lejes së ndërtimit. Sipas këtij projektligji: “Ndërtuesit mund të aplikojnë njëkohësisht për shesh dhe leje ndërtimi dhe zyrat e urbanistikës duhet që brenda 45 ditëve të dorëzojnë në KRRT kërkesën e paraqitur nga aplikuesit, përndryshe ajo miratohet automatikisht dhe kalon në këtë organ për shqyrtim”. Kur kjo njësi, në përfundim të 35 ditëve, nuk i dërgon kërkuesit njoftimin për mospranimin e shqyrtimit të kërkesës ose miratimit të vetë lejes së ndërtimit në KRRT, atëherë kërkesa konsiderohet e pranuar në heshtje dhe i gjithë dokumentacioni i përcillet për shqyrtim dhe miratim KRRT-së së bashkisë apo komunës. Por, në rast se në kërkesën e dorëzuar dhe miratuar në heshtje vërehen shkelje të rregullave të urbanistikës, atëherë ajo shpallet e pavlefshme. Në të kundërt, Këshilli i Rregullimit të Territorit duhet që brenda 45 ditëve të dalë me një vendim për dhënien ose jo të lejes së ndërtimit.



Ndërtimet në Tiranë



Në Bashkinë e Tiranës janë regjistruar emrat e mbi 101 subjekteve ndërtuese që kanë aplikuar për marrjen e lejes së “sheshit të ndërtimit”. Në radhën e këtyre subjekteve, përveç firmave të ndërtimit, janë regjistruar edhe familje që kërkojnë të kryejnë ndërtime në tokat ose në pronat e tyre ekzistuese. Sipas burimeve nga Bashkia e Tiranës, 101 subjekte kanë paraqitur kërkesën pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Kontrollit dhe Zhvillimit Urbanistik e Territorit për leje për shesh ndërtimi. Por arsyet e mosdhënieve të lejeve për të gjitha subjektet, sipas Bashkisë, janë të ndryshme. Pas verifikimit të dosjeve është vërejtur që këto subjekte në pjesën më të madhe kanë pasur mangësi në dokumentacione. Bashkia e Tiranës, pasi i ka bërë publike emrat e 101 subjekteve, ka kërkuar nga ato që të plotësojnë dokumentacionin. Pas plotësimit të dokumentacionit, këto dosje kalojnë për shqyrtim në Këshillin Teknik të Rregullimit të Territorit dhe më pas në KRRT.



Leja për shesh ndërtimi



Për të marrë lejen për shesh ndërtimi duhet paraqitur kërkesa pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Kontrollit dhe Zhvillimit Urbanistik të Territorit. Aktualisht, çdo subjekt i interesuar për marrjen e lejes së sheshit të ndërtimit duhet të paraqesë 18 dokumente në Bashkinë e Tiranës. Këto dokumente fillojnë me formularin tip, kërkesa, gen-plani, studimi urbanistik, vërtetimi i pronësisë. Dokumenti i fundit që përbën listën e dokumentacionit që subjekti duhet të dorëzojë në bashki është fotomontazhi i objektit mbi pamjen e gjendjes ekzistuese të ndërtimit.





Dokumentet që nevojiten për marrjen e lejes për shesh ndërtimi në Tiranë



1. Formulari tip kërkese Nr.1.

2. Gen-plani

3. Studimi urbanistik pjesor i zonës ku do të ndërtohet objekti

4. Vërtetimi i pronësisë, i shoqëruar me hartën treguese

5. Origjina e pronës

6. Formulari Nr.3/1

7. Vërtetim mbi intensitetin sizmik nga Instituti Sizmologjik

8. Licenca e noterizuar e arkitektit

9. Deklaratë noteriale ku shprehet vullneti i pronarëve për ndërtim

10. Prokurë përfaqësimi ose kontratë kur formulari 1 plotësohet nga të tretë

11. Marrëveshje me deklaratë noteriale me pronarin e pronës

12. Formulari Nr.6 (Për prerjen e drurëve)

13. Formulari Nr.8 plotësohet kur ka ndërtime brenda sheshit dhe firmoset nga të gjithë bashkëpronarët ose përfaqësuesi i tyre me prokurë.

14. Vërtetim nga njësia bashkiake nëse ka vetëdeklarime kur ka ndërtime pa leje.

15. Projektideja e objektit, e hartuar nga projektuesi dhe tredimensionali në dy kopje të firmosura nga projektuesi me firmë origjinale. Projekti i punuar në kompjuter. Fotokopje e noterizuar e licencës së arkitektit.

16. Relacion shpjegues i studimit dhe projektit përgatitur nga projektuesit e firmosur nga ai, me firmë origjinale.

17. Dokument fotografik i zonës (fotografi 20x30)

18. Fotomontazh i objektit mbi foton e gjendjes ekzistuese







18 Shkurt 2009