DURRES - Përhapja e "ligjit të Kanunit" në qytetin e Durrësit vë në lëvizje institucionet më të larta vendore. Një fëmijë dhe 4 të rritur i ngrysin ditët pas kangjellave të shtëpive, për faje që ata nuk i kanë kryer. Në Durrës ekziston vetëm një rast gjakmarrje, me pasojë ngujimin e një të mituri, vetëm 9 vjeç. Ai është "i importuar" nga veriu i Shqipërisë, pasi historikisht në këtë qytet nuk është njohur ky fenomen. Por Durrësi i shekullit të 21 duhet të reagojë më mirë ndaj gjakmarrjes, ndonëse fenomeni është akoma i rrallë, duke numëruar në total 5 të tilla. Drejtori i DAR-së Vasillaq Papaji, së bashku me shoqatën mbarëkombëtare për faljen e gjaqeve, ka organizuar në Durrës një seminar trajnues me qëllim luftimin e kësaj dukurie që në "embrion". Rasti i vetëm i gjakmarrjes për të miturit është vijim i masakrës që ndodhi në lagjen "Mirdita" në nëntor të vitit 2005, ku një sherr për një vijë uji shkaktoi disa viktima. "Kemi vënë në dispozicion një mësuese, e cila ndjek nga afër vogëlushin e ngujuar. Pavarësisht izolimit, ecuria e tij në mësime është shumë e kënaqshme. Ne nuk do të mbesim vetëm në këtë kuadër, pasi po i orientojmë të gjitha forcat tona drejt një pajtimi mes dy familjeve që jetojnë në Vrrin. Kështu do të mundësonim një jetë normale dhe shoqërore për këtë fëmijë që përbën një rast unikal në Durrës", pohoi Papaji, duke kërkuar nga të gjitha strukturat për të negociuar pajtim. Përfaqësuesit e shoqatës për pajtimin e gjaqeve e kanë cilësuar Durrësin si të ekspozuar ndaj dyndjeve demografike dhe për pasojë, sipas tyre, rreziku i rishfaqjes së fenomenit të gjakmarrjes në përmasa më të mëdha ekziston.                                           o.u