Erald Kapri

Maxhoranca dhe opozita arrijnë kompromisin e parë në Kuvend pas zgjedhjeve të 28 qershorit. Deputetët e PD-së dhe PS-së në Komisionin e Ligjeve miratuan dje në parim me konsensus projektligjin e qeverisë për faljen e të dënuarve që kufizon kompetencat e Presidentit të Republikës. Gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve, ku diskutohej projektligji "Për faljen", deputetët e opozitës Pandeli Majko, Vasilika Hysi dhe Armando Subashi deklaruan se falja e më se 360 të burgosurve me dekretin e fundit nga Presidenti Topi ishte jo transparente, madje me dyshime. Deputetët e opozitës dhanë konsensusin e tyre për projektligjin "Për faljen", i cili vendos kritere për faljen e të burgosurve që duhet të bëjë Presidenti, i cili tashmë mund të falë të burgosur vetëm nëse Ministria e Drejtësisë i dërgon kërkesa. "Nga një ligj që duhet të jetë falja si përjashtim ne e kemi bërë si diçka që mund të keqpërdoret, ashtu sikurse është përdorur në prill të 2010-ës, ku janë falur 367 persona nga të cilët 48 persona janë dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Pra personalisht nuk mund ta konsiderojë këtë si mëshirë, të dënuar një vit e gjysmë përpara dhe i falen 10 vjet. Shqetësimi ynë është transparenca e këtij procesi. Falja e fundit tregoi se nuk ishte transparente kur e bëri Presidenti", deklaroi deputetja Hysi. Ish-Kryeministri Pandeli Majko deklaroi se faljet e bëra deri tani nga Presidentët kanë pasur dyshime. "Historitë që u ngritën nga kolegët e mi, është se ne jemi këtu për të diskutuar njollat gri dhe duhet të ngremë këto rezerva. Unë kam shumë rezerva për ato dhe këtë duhet ta themi kështu siç është. Këtë projektligj unë e shoh si mundësi për të shmangur çdo keqinterpretim në të ardhmen", deklaroi Majko. Deputeti tjetër i PS-së, Armando Subashi, tha se në faljen e fundit të bërë nga Presidenti Topi kanë dalë fjalë e dyshime për të burgosurit e falur nga kreu i shtetit. "Ka pasur mjaft dyshime, jo vetëm politike, por edhe më gjerë në opinionin shoqëror. Ne ende nuk jemi të gatshëm që t'i lëmë një fushë totalisht të lirë Presidentit të Republikës, për ta ushtruar ai në përgjegjshmërinë e vet institutin e faljes. Ndoshta duhet diskutuar që ashtu siç e ka edhe Parlamenti, që 6 muaj para nuk miraton ligje me rëndësi, ndoshta edhe Presidenti nuk duhet të falë të dënuar 6 muaj para zgjedhjeve politike", tha Subashi. Deputetët e maxhorancës mbështetën qëndrimet dhe akuzat e lëshuara nga deputetët e opozitës dhe pranuan që projektligji "Për faljet" të miratohet me konsensus nga të dyja palët. "Mesa po dëgjoj se të gjithë jemi dakord me idenë që falja që i takon Presidentit duhet të kontrollohet me ligj pikërisht për faktin se të gjithë biem prapë dakord që duhen kufizuar abuzimet. Ky projektligj bëhet për të mos lejuar abuzimet", tha deputeti i PD-së Edi Paloka.


Debati në Komisionin e Ligjeve

Vasilika Hysi: Nga një ligj që duhet të jetë falja si përjashtim ne e kemi bërë si diçka që mund të keqpërdoret, ashtu sikurse është përdorur në prill të 2010-ës, ku janë falur 367 persona nga të cilët 48 persona janë dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Njëri prej tyre është dënuar në dhjetor të 2007-ës dhe Presidenti i ka falur 10 vjet burgim. Pra personalisht nuk mund ta konsideroj këtë si mëshirë, të dënuar një vit e gjysmë përpara dhe i falen 10 vjet. Shqetësimi ynë është transparenca e këtij procesi. Falja e fundit tregoi se nuk ishte transparente kur e bëri Presidenti, por askush nuk mund të na krijojë besimin se edhe një ministër Drejtësie mund të bëjë të njëjtën mungesë transparence si në faljen e fundit. Në këtë kuadër mendoj se procesi i dokumentacionit duhet të jetë më i madh me dy mundësi. Së pari, kërkesat t’i drejtohen Presidentit dhe ai t’i afishojë dhe ministria të bëjë më pas dokumentacionin.
Damian Gjiknuri: Të gjithë jemi dakord që pavarësisht se është kompetencë e Presidentit ta kufizojmë me ligj për aq sa ka interes publik. Por ai duhet të përdoret në rrethana të jashtëzakonshme dhe jo si normë e zakonshme.
Pandeli Majko: Duke u shprehur në parim pro të projektligjit, dua të ngre një çështje që e konsideroj anën gri të projektligjit. E kam fjalën që e gjithë procedura bëhet gjatë 90 ditëve, 60 ditë i takojnë ministrit dhe 30 ditë Presidentit të Republikës. Gjithçka që ka të bëjë me procesin e faljes, ligji e kërkon mbi bazën e dy personaliteteve, të ëmën e Ministrit të Drejtësisë dhe të ëmën e Presidentit. Ajo që më shqetëson mbi këtë projektligj ka të bëjë zonën gri të burokracisë që përgatit “kuçedra”, e cila përgatit letrat në Ministrinë e Drejtësisë e më pas përgatit letrat për të ëmën e Presidentit në Presidencë. Nuk jam duke hedhur dyshim negativ, por po ngre pikëpyetjen se si do të procedohet nga ana burokratike për këtë histori, e cila duhet të zhvillohet e gjitha në 90 ditë, ndryshe kthehet në zero. Ministri i Drejtësisë tha se ne i kemi mundësisë për ta bërë për 60 ditë në ministri dhe 30 ditë në Presidencë. Tani për 60 ditë në ministri duhet të mblidhen opinionet e disa institucioneve, Prokurorisë, Gjykatës, Drejtorisë së Burgjeve. Imagjinoni sikur njëra prej tyre të shprehet kundër, kush e vendos filtrin në Ministrinë e Drejtësisë? Në një fakt domethënës, për shembull Prokuroria shprehet kundër faljes, ndërsa gjykata po. Cili është ai komision nga ana burokratike, i cili do të ndërtojë një rregull burokratik, i cili do të vendosë disa persona përgjegjës? Prandaj duhet të vë në dukje këto njolla gri, që në një formë apo në tjetër hedhin dyshime për keqpërdorimin për procesin e faljes. Ajo që dua të ngre, ashtu siç e përmendën edhe kolegët nisur edhe nga historitë politikë të mëparshme, është ajo që a duhet të kemi falje 6 muaj para zgjedhjeve politike? ç’rëndësi, nëse ka festë zyrtare dhe kush është në pushtet, e majta apo e djathta. Historitë që u ngritën nga kolegët e mi, është se ne jemi këtu për të diskutuar njollat gri dhe duhet të ngremë këto rezerva. Realisht historia e faljes është për të krijuar një mjedis dhe marrëdhënie sa më njerëzore me ata që janë dënuar dhe shoqërisë, por duke pasur parasysh historitë e zhvilluara deri tani, ne kemi shumë rezerva. E thanë edhe kolegët e mi që ndoshta edhe nga vakumet ligjore, pasi kemi një ligj të vitit ‘81 me disa ndryshime në vitin ‘93 faljet e derisotshme... unë kam shumë rezerva për ato dhe këtë duhet ta themi kështu siç është. Këtë projektligj unë e shoh si mundësi për të shmangur çdo keqinterpretim në të ardhmen.
Armando Subashi: Në gjithë këto vite ka pasur një mungesë të plotë transparence. Nisur edhe nga dekretet që janë nxjerrë vitet e fundit dhe jo vetëm nga një President, komentet për hir të së vërtetës kanë qenë nga më të ndryshmet. Ka pasur mjaft dyshime, jo vetëm politike, por edhe më gjerë në opinionin shoqëror. Ne ende nuk jemi të gatshëm që t’i lëmë një fushë totalisht të lirë Presidentit të Republikës, për ta ushtruar ai në përgjegjshmërinë e vet institutin e faljes. Ndoshta duhet diskutuar që ashtu siç e ka edhe Parlamenti, që 6 muaj para nuk miraton ligje me rëndësi, ndoshta edhe Presidenti nuk duhet të falë të dënuar 6 muaj para zgjedhjeve politike.
Edi Paloka: Mesa po dëgjoj se, të gjithë jemi dakord me idenë që falja që i takon Presidentit, duhet të kontrollohet me ligj pikërisht për faktin se të gjithë biem prapë dakord që duhen kufizuar abuzimet. Ky projektligj bëhet për të mos lejuar abuzimet.


Topi: Respektoj vendimin e Kuvendit për gjyqtarët
Presidenti Bamir Topi shmang konfliktin me maxhorancën, lidhur me rrëzimin e kandidatit për në Gjykatën Kushtetuese, Vangjel Kosta. I pyetur në konferencën e djeshme për shtyp, lidhur me votimin kundër të shumicës pak javë më parë, kreu i shtetit deklaroi se do të respektojë vendimet e Kuvendit. “Nuk do ia lejoja vetes të bëja koment për një përgjegjësi, për një kompetencë që nuk është e imja. Do të respektoj çdolloj vendimi që vjen nga Kuvendi i Shqipërisë. Ky është një proces që vazhdon, që përsoset, por ju siguroj dhe për këtë ju siguroj në cilësinë që kam si Kryetar Shteti, se i tërë procesi i përzgjedhjes dhe i dërgimit të kandidaturave është bërë jo thjesht për ekzibicion, por është bërë me një grup profesional jashtë vullneteve për të bërë supervizion për çdo kandidaturë, së pari mbi bazën e kërkesave të ligjit dhe së dyti mbi bazën e CV-ve personale të gjithë këtyre personave”, u shpreh Topi. Kreu i shtetit garantoi se në përzgjedhjen e kandidaturave nuk ka pasur asnjë interferencë nga jashtë. “Nuk mund të bëj asnjë lloj promocioni për askënd, por patjetër që do të pres vendimin që do të marrë Kuvendi. Duhet të mësohemi që në demokraci pushtetet funksionojnë në këtë mënyrë, çka presupozon dhe ju garantoj që nuk kam lejuar asnjë lloj ndërhyrjeje, interference, apo lobingu në procesin e vendimmarrjes time”, theksoi më tej Presidenti.