Drafti i Ministrisë së Punëve Publike “Për rregullimin e territorit” hyn në fuqi në 1 janar të vitit 2009. Ky projektligj parashikon rishikimin e planeve rregulluese ekzistuese brenda një viti nga fillimi i efekteve të plota të tij. Për zbatimin e këtij projektligji, MPPTT-ja ka parashikuar ngritjen e një agjencie, titullari i së cilës do të zgjidhet nga kryeministri. Po ashtu, ky projektligji ngarkon Këshillin e Ministrave për hartimin e Planit Kombëtar të Planifikimit të Territorit brenda dy vitesh nga data e fillimit të efekteve të plota të ligjit. Po ashtu, brenda tre muajsh nga hyrja në fuqi e këtij projektligji Këshilli i Ministrave do të ngrejë Agjencinë Kombëtare të Planifikimit të Territorit dhe jo më vonë se deri më 1 janar 2009. Brenda 6 muajsh nga ngritja e AKPT-së, por jo më vonë se data 1 korrik 2009, Këshilli i Ministrave do të miratojë aktet nënligjore në lidhje me rregulloret uniformë, ato model të kontrollit të zhvillimit dhe regjistrin. Nga fillimi i funksionimit të saj deri në vënien në funksionim të regjistrit, AKPT-ja zbaton planin e saj të punës për kalimin në sistemin e ri të planifikimit të territorit, në përputhje me këtë ligj, përfshirë përgatitjen e projekteve dhe projektmetodologjive, ofrimin e këshillimit, informimin dhe trajnimet, si dhe lidhjen elektronike të sistemit të saj me ato të autoriteteve të tjera administruese të regjistrit sipas mundësive financiare të vëna në dispozicion. Projektligji ngarkon gjithashtu autoritetet vendore të planifikimit të njësive të qeverisjes vendore me popullsi mbi 10 mijë banorë, për miratimin e planeve territoriale të përgjithshme kombëtare e vendore të planifikimit të territorit brenda dy vitesh nga fillimi i efekteve të plota të tij dhe për ato me mbi 50 mijë banorë brenda një viti nga fillimi i efekteve të plota.





Drafti





“Për caktimin e tarifës së licensimit 1 euro, të subjekteve që licensohen nga MPPTT, në fushën e punimeve të ndërtimit dhe të transportit”



Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 4, të ligjit nr.7491, datë 29.04.1991, "Për çmimet dhe tarifat", të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Këshilli i Ministrave vendosi:



1. Caktimin e tarifës 1 (një) Euro për pagesën e licensave, që u jepen, nga Ministria e Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, subjekteve, persona, fizikë dhe juridikë, privatë, për ushtrimin e veprimtarive :



A. në fushën e punimeve të ndërtimit, “Licencë profesionale për mbikëqyrje dhe kolaudim punimesh në zbatim”;



B. në fushën e transportit rrugor:



a) Licencë për transport ndërkombëtar udhëtimesh;



b) Autorizim për shërbimin në një linjë të rregullt transportin ndërombëtar të udhëtarëve, me autobus;



c) Autorizim për shërbimin në një linjë të rregullt të specializuar në transportin ndërombëtar të udhëtarëve, me autobus, vajtje-ardhje.



C. në fushën e transportit detar:



a) Leje për të vepruar në linja të rregullta ndërkombëtare detare;



b) Leje për ushtrimin e veprimtarisë së pilotimit dhe omerxhimit;



c) Leje për veprimtarinë e tërheqjes së mbeturinave të ngurta dhe vajore, në zonën portuale të Durrësit, Vlorës, Shëngjinit, Sarandës dhe na radat përkatëse ;



d) Leje për ushtrimin e veprimtarisë së stacionit të shërbimit të pajisjeve të sigurimit të jetës në det.



2. Ngarkohet Ministria e Punëve Publike, Trasnportit dhe Telekomunikacionit për zbatimin e këtij vendimi.





26 Korrik 2008