Tregu i punës për arsimtarët po ngushtohet gjithnjë e më shumë. Në një kohë që çdo vit diplomohen qindra të rinj në degët e mësuesisë, vendet e punës për ta janë zero. Përballë një situate të tillë edhe vetë Ministria e Arsimit ka pranuar që duhet të ndiqen politika të reja rekrutimi të mësuesve, për të mos lënë qindra të diplomuar pa punë.

Punësimi

Një fakt të tillë e demonstron Tirana, ku edhe pse është qyteti më i madh i vendit, ka pesë vjet që nuk punëson asnjë mësues të ri në sistemin parauniversitar. Kjo gjë është konfirmuar në media nga vetë  drejtuesit e Drejtorisë Arsimore të kryeqytetit, të cilët shprehen se për këtë periudhë kohe nuk është marrë asnjë arsimtar në punë, pavarësisht dyndjes dhe mbipopullimit në shkollat e kryeqytetit.

Ministria

Me futjen në zbatim të ligjit të ri të arsimit parauniversitar pritet që kriteret e përzgjedhjes për mësuesit e rinj do të ndryshojnë. Faktin se sistemi i arsimit është i mbingarkuar me mësues dhe se nuk rekrutohen të rinj, e pranojnë dhe drejtues të lartë në ministrinë e Arsimit. Dje gjatë një interviste për median vizive, zëvendës/ministrja Nora Malaj, ka thënë se numri i mësuesve që dalin nga auditorët e universiteteve është më i lartë krahasuar me vendet që ofron tregu i punës.

Ndryshimet

Malaj ka shtuar më tej se për tu dhënë një shans të rinjve, duhet të ndiqen politika të reja rekrutimi, por kjo i takon drejtorive përkatëse të rretheve në vend. Aq më tepër që me hyrjen në fuqi të ligjit të ri për arsimin parauniversitar, do të ketë edhe kritere të reja për rekrutimin e mësuesve. Në përzgjedhjen e tyre një rol të rëndësishëm do të luajnë tashmë edhe komuniteti i prindërve, krahas testimeve të shumta që ata duhet të kryejnë përpara se të futen në punë.