BLEDAR HOTI

Parlamenti pritet të shqyrtojë së shpejti projektligjin e ri të qeverisë “Për Planifikimin e Territorit”. Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese pritet të diskutojë të martën e ardhshme, projektligjin e miratuar që në dhjetor nga qeveria, i cili parashikon procedura të reja në marrjen e lejeve të ndërtimit, të cilësuara si leje zhvillimi. Leja e ndërtimit nga njësitë e qeverisjes vendore parashikohet të jepet për një periudhë kohore prej 55 ditësh. Brenda këtij harku kohor Kryetari i Bashkisë ose komunës duhet të shprehet pro ose kundër dhënies së lejes. Nëse rrëzohet, ai mund të argumentojë një vendim të tillë. E drejta për zhvillim ose ndërtim, zhvillohet brenda një viti nga data e marrjes së lejes, ndërsa pas miratimit të lejes është përcaktuar që vendimi të publikohet edhe në ndonjë gazetë të përditshme.
E gjithë procedura e dhënies së lejes është parashikuar në nenet 71 deri në 76, duke parashikuar në të njëjtën kohë edhe zhvillimin e dëgjesave publike për çështjen e lejes së zhvillimit apo të ndërtimit. Efektet e këtij ligji pritet të hyjnë në fuqi gjer më 1 janar të vitit 2010. Ndërsa kapitujt për lejet e ndërtimit është parashikuar që hyjnë në fuqi më 1 qershor të vitit 2010. “Ligji ‘Për Urbanistikën’ të ndryshuar shfuqizohet në tërësi në datën 1 qershor të 2010", thuhet në nenin 92 të projektligjit. Në bazë të këtij drafti krijohet Këshilli Kombëtar i Territorit, që funksion pranë Këshillit të Ministrave. Gjithashtu krijohet dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit që funksionon po pranë Qeverisë. Ndërsa Autoriteti Vendor i Planifikimit të Territorit është pranë Bashkisë dhe Komunave. Në nenin 81 janë parashikuar dhe ndëshkimet me gjobë për kundravajtësit e ligjit, që shkojnë nga 10 mijë gjer në 100 mijë lekë. Zyrtarët dënohet me 100 mijë lekë si gjobë deri në 10 për qind të kostos së zhvillimit. Personat për kundravajtje administrative ndëshkohen me gjobë, nga 50 mijë gjer në 200 mijë lekë të reja. Ndërsa dënohet me gjobë gjer në 5 milionë lekë, nëse hyrja në objekt ose përdorimi i objektit pa lëshimin e e lejes së përdorimit, si dhe kur vazhdohen punimet megjithë se ka një vendim administrativ për pezullim ose ndërprerje.



Neni 82 për lejet

- Shqyrtimi i kërkesës për zhvillim dhe miratimi i lejes së zhvillimit është një akt administrativ, që nxirret nga Kryetari i bashkisë/komunës ose zyrtari i autorizuar prej tij me delegim.

- Autoriteti përgjegjës për shqyrtimin e kërkesës në bashki/ komuna shqyrton brenda 5 ditëve nga data e marrjes së saj në dorëzim dokumentacionin.

- Kur vërehen mangësi në dokumentacionin e detyrueshëm të kërkesës, njësia vendore njofton kërkuesin dhe i jep 30 ditë afat për t’i plotësuar ato. Në rast se nuk plotësohen, kërkesa rrëzohet.

- Kërkuesi bën njoftimin brenda pesë ditëve nga data e marrjes në dorëzim të kërkesës në vende të dukshme, 100 metër larg kufirit të parcelës.

- Brenda 20 ditëve nga botimi i saj në regjistër, çdo autoritet shpreh vlerësime e qëndrime të kundërta.

- Miratimi ose refuzimi i çdo kërkese për zhvillim kryhet vetëm pas shqyrtimit të vlerësimit ligjor e teknik të saj nga strukturat përgjegjëse për kontrollin e zhvillimit, jo më vonë se 20 ditë pas botimit në regjistër.

- Kryetari i njësisë vendore, jo më vonë se 10 ditë nga përfundimi i këtij afati 20 ditor, shqyrton kërkesën e paraqitur.

- Bashkia/komuna i kthen përgjigje me shkrim kërkuesit, së bashku me një kopje të vendimit të marrë, për pranimin ose refuzimin e kërkesës për zhvillim, jo më vonë se 55 ditë pas marrjes në dorëzim të kërkesës.