Ervin Koçi



Qeveria ka gati në tryezë një projektligj të ri për urbanistikën që pasi të shqyrtohet dhe të miratohet edhe në parlament do të ndryshojë komplet pamjen e qyteteve kryesore të vendit, përfshi këtu edhe kryeqytetin. Ligji është përgatitur nga specialistët e Ministrisë së Punëve Publike në fund të qershorit dhe përcakton mënyrën se si do të jepen lejet e ndërtimit, ato të zhvillimit, si dhe rastet kur ka mospërputhje mes planeve rregulluese në zona të ndryshme të vendit. Në bazë të këtij ligji të ri do të përcaktohen dhe të gjitha kriteret e reja për ndërtimet dhe ndërtuesit që synojnë të marrin leje ndërtimi pikërisht në qytetet që do të preken nga planet e reja të urbanistikës. Me detale ligji i ri përcakton të gjitha mënyrat e dhënies së lejeve të ndërtimit, të shfrytëzimit, si dhe kriteret që duhet të ndiqen nga firmat ndërtuese, për të respektuar kriteret e reja të urbanistikës dhe planet rregullues. Disa ditë më parë ministri i Punëve Publike, Sokol Olldashi, deklaroi në analizën 7-mujore të digasterit që drejton se, janë marrë mendimet nga grupet e interesit dhe aktualisht projekti është në fazën e dërgimit për aprovim. Kjo i gjë i hap rrugën edhe financimit të planeve të përgjithshme rregulluese në dhjetë bashki të vendit, për të cilat janë finalizuar sipas ministrit Olldashi, edhe marrëveshjet e financimit. Bëhet fjalë për bashkitë e Shkodrës, Kamzës, Durrësit, Lushnjës, Beratit, Vlorës, Gjirokastrës dhe Korçës.



Dhënia e lejeve



Në projektligjin e ri thuhet se: çdo ndërtim i ri dhe çdo ndryshim i rëndësishëm i strukturës ose tokës kërkon një leje ndërtimi përpara fillimit të ndërtimit. Sipas projektligjit, leja e zhvillimit jepet për çdo person fizik ose juridik për çdo zhvillim të tokës, përveç rasteve kur kjo gjë përjashtohet sipas këtij ligji dhe akteve të nxjerra në zbatim të tij. Këta persona duhet të plotësojnë jo më vonë se 30 ditë nga ndërmarrja e çdo zhvillimi një deklaratë paraprake të punimeve që kërkojnë të kryejnë, sipas formës së përcaktuar me rregullore, e cila përmban, sipas rastit, vetëdeklarimin për zhvillime të përjashtuara nga detyrimi për t’u pajisur me leje zhvillimi, kërkesën për zhvillim dhe kërkesën për leje ndërtimi. Këta persona duhet të dorëzojnë kërkesën për zhvillim pranë organeve të pushtetit vendor si bashkia apo komuna në territorin e së cilës kërkohet zhvillimi (ndërtimi). Në rastet kur zhvillimi i kërkuar parashikohet të ndodhë në territorin e më shumë se një njësie të qeverisjes vendore, kërkesa dorëzohet pranë asaj bashkie apo komune ku pritet të ndodhë pjesa më e madhe e zhvillimit. Po kështu bashkia ose komuna pajis kërkuesin me vërtetim ku përcaktohet data e marrjes në dorëzim dhe të dhëna të tjera që identifikojnë kërkesën dhe dokumentet e bashkëlidhura. Shqyrtimi i kërkesës për zhvillim dhe miratimi i lejes së zhvillimit është një akt administrativ që nxirret nga kryetari i njësisë së qeverisjes vendore.



Mos pranimi i kërkesës



Projektligji thekson se kur vërehen mangësi në dokumentacionin e detyrueshëm, kërkesa nuk pranohet dhe kërkuesit i lëshohet një vërtetim mospranimi në të cilit shënohen qartë mangësitë. Bashkia ose komuna e shpall menjëherë kërkesën në mjediset e saj publike dhe kërkuesi bën njoftimin në një perimetër jo më pak se 50 metra nga kufiri i parcelës ku do të kryhet zhvillimi. Në përputhje me përcaktimet e rregulloreve uniforme të kontrollit të zhvillimit, kërkesa për zhvillim botohet në regjistër brenda 10 ditësh nga data e marrjes së saj në dorëzim dhe qëndron e botuar deri në përfundim të procesit të shqyrtimit dhe marrjes së vendimit, me përjashtim të kërkesave që nuk botohen.







Ligji i ri, në fuqi nga 1 janari i vitit 2009



Ligj i ri “Për urbanistikën” do të hyjë në fuqi në fillim të vitit të ardhshëm (2009), por gjithmonë nëse ai do të marrë miratimin në Këshillit të Ministrave dhe më tej të Parlamentit. Projektligji parashikohet që pasi të ketë marrë miratimin dhe të bëhet ligj, të hyjë në fuqi nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Për të plotësuar këtë projektligj ngarkohet Këshilli i Ministrave që duhet të nxjerrë aktet nënligjore përkatëse për pjesën më të madhe të neneve të tij. Nga ana tjetër njësitë e qeverisjes vendore, bashkitë dhe komunat pra ngarkohen që në zbatim të nenit 82 dhe 83, pika 2 të këtij ligji të nxjerrin aktet nënligjore përkatëse. Ligji i mëparshëm nr. 8405, datë 16.9.1998, “Për Urbanistikën” i ndryshuar, shfuqizohet në ato dispozita, në atë masë dhe në atë mënyrë që të jetë në përputhje me nenet e mësipërme të kreut të fundit të projektligjit. Ndërsa shfuqizimi në tërësi i këtij ligji do të bëhet në datën 1 korrik 2009.







5 Shtator 2008