Qeveria ndryshon thuajse të gjithin ligjin për legalizimet. Për shkak të shkeljes së afateve, qeveria anashkalon vendosjen e afateve të reja
TIRANË- Të gjithë ata persona që kanë ngritur një shtesë në objektet e ngritura para vitit 1993 do të mund ta legalizojnë atë. Kjo do të bëhet e mundur me anë të ligjit në fuqi për legalizimin e ndërtimeve informale dhe ndryshimeve të tij, të cilat janë miratuar dje nga Këshilli i Ministrave. Sipas këtyre ndryshimeve, ligji i shtrin efektet edhe për legalizimin e shtesave, në objektet e ngritura përpara vitit 1993. "Ky ligj i shtrin efektet edhe për legalizimin e objekteve, me leje ndërtimi nga KRRT-të apo KRRTRSH-ja, te të cilat janë kryer shtesa anësore apo në lartësi, tej lejes së ndërtimit, si dhe për legalizimin e shtesave, në objektet e ngritura përpara vitit 1993. Këtu përfshihet edhe legalizimi i objekteve të miratuara me vendim të KRRT-së, së njësisë së qeverisjes vendore, ose të KRRTRSH-së, të cilat kanë ndryshime në funksionin e hapësirave", thuhet në ndryshimin që qeveria ka miratuar dje për nenin 36 të ligjit, legalizimi i objekteve me shtesa në ndërtim, ku sipas variantit fillestar të tij, nuk parashikohej legalizimi i objekteve me shtesa në ndërtim para vitit 1993.
Hiqen afatet
Këshilli i Ministrave ka miratuar dje një sërë ndryshimesh të tjera, që më së shumti, janë bërë për shkak se mjaft afate të përcaktuara në ligj janë tejkaluar dhe nuk janë zbatuar nga organet përkatëse. Por, megjithëse ka bërë këto ndryshime, qeveria nuk ka përcaktuar në to afatet e reja për përmbylljen e një sërë proceseve që kanë të bëjnë me legalizimin. I tillë është rasti përsa i përket kompensimit të pronarëve për efekt legalizimi. Në ligj parashikohej që, afati i parë i dorëzimit së listës së parë me emrat e subjekteve privatë që do të kompensoheshin të ishte data 1 dhjetor 2006 dhe thuhej se, Zyra e regjistrimit të pasurisë së paluajtshme i dërgon qeverisë për çdo tre muaj listën e subjekteve fizike ose juridike që do të shpërblehen sipas ligjit, në një kohë që qeveria, brenda 30 ditëve nga afati i dorëzimit të listës duhej të merrte vendim për shpërblimin e pronarëve dhe sipërfaqet takuese. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur aspak, pasi në qeveri nuk ka mbërritur asnjë listë e subjekteve që duhet të kompensoheshin. Kjo ka bërë që qeveria të ndryshojë këtë nen të ligjit, përkatësisht nenin 15, dhe të hartojë një përmbajtje të re të tij. Sipas saj, qeveria merr vendim për shpërblimin e pronarëve brenda 30 ditëve nga afati i dorëzimit të listës, por për afatet se kur duhet të dorëzohet kjo e fundit nuk përcaktohet asgjë, ndonëse theksohet se zyrat rajonale të AKKP-së kompensojnë subjektet brenda gjashtë muajve në përputhje me vendimin e qeverisë. Një tjetër ndryshim që lidhet me moszbatimin e afatit është ai mbi dhënien e lejes së legalizimit, që përcaktohet në nenin 28 të ligjit. Nëse para ndryshimit të miratuar dje nga qeveria parashikohej që, ALUIZNI pajiste subjektin me lejen e legalizimit brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës, me plotësimin e të gjithë dokumentacionit përkatëse, tashmë për Agjencinë nuk ka asnjë afat të përcaktuar se kur do ta japë lejen e legalizimit. Ndryshimi i miratuar dje nga qeveria thotë se, "ALUIZNI, me plotësimin e të gjithë dokumentacionit të përcaktuar në nenin 27, të këtij ligji, pajis subjektin me lejen e legalizimit", pa saktësuar një afat konkret.
"Qeveria merr vendim për shpërblimin e pronarëve brenda 30 ditëve nga afati i dorëzimit të listës, por për afatet se kur duhet të dorëzohet lista e kësaj të fundit nuk përcaktohet asgjë, ndonëse theksohet se zyrat rajonale të AKKP-së kompensojnë subjektet brenda gjashtë muajve në përputhje me vendimin e qeverisë"
Firmat s'paguajnë penalitetet, legalizimi vazhdon
TIRANË- Legalizimi i shtesave në ndërtime është një proces që do të kryhet edhe në rast se subjektet përkatës nuk paguajnë penalitetet e përcaktuara në ligj. Kjo parashikohet në një prej ndryshimeve që Këshilli i Ministrave ka miratuar dje për ligjin e legalizimit, përkatësisht në ndryshimin e bërë për nenin 43, në të cilin flitet për penalitetet për legalizimin e shtesave të subjektit ndërtues. Qeveria ka miratuar dje shtimin e një paragrafi në këtë nen, në të cilin thuhet se, "legalizimi i shtesave në ndërtime kryhet edhe në rastin kur subjekti apo shoqëria ndërtuese (dhe/ose investitorë), që kanë kryer shtesën jashtë lejes së ndërtimit, për qëllim kalimi pronësie ose qiradhënieje, nuk paguajnë penalitetet". Po në këtë shtesë parashikohet se, në këtë rast legalizimi kryhet në favor të blerësit dhe për subjektin apo shoqërinë ndërtuese ndiqen procedurat për shlyerjen e detyrimit. Përsa i përket penaliteteve për legalizimin e shtesave të subjektit ndërtues, ato janë tre. Penalitet për çdo metër katror sipërfaqe banimi, gjobë në masën 4 për qind të çmimit minimal fiskal; për çdo m2 sipërfaqe për veprimtarive social-ekonomike, gjobë 10 për qind të çmimit minimal fiskal; për çdo m2 sipërfaqe me ndryshim destinacioni, gjobë 20 për qind të çmimit minimal fiskal. Në të tria këto raste, çmimi minimal fiskal është i përcaktuar në tabelat e marrëveshjes ndërmjet Shoqatës së Ndërtuesve të Shqipërisë dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Ekzekutivi i ka shtuar Agjencisë kompetencën e arkëtimit të ardhurave nga tarifa e shërbimit
Bashkive u hiqen kompetencat, ALUIZN-it i shtohen
TIRANË- Qeveria i ka shtuar Agjencisë së Legalizimit dhe Urbanizimit të Zonave Informale një sërë kompetencash në procesin e legalizimit, të cilat më pas i kanë pasur organe të tjera, si njësitë e qeverisjes vendore. Nëpërmjet ndryshimeve në ligjin e legalizimit që ka miratuar dje, ekzekutivi i ka shtuar Agjencisë kompetencën e arkëtimit të ardhurave nga tarifa e shërbimit dhe çdo penalitet tjetër që shoqëron procesin e vetëdeklarimit dhe të legalizimit. Nëse më partë këto të ardhura arkëtoheshin nga organet që kryejnë shërbimin, ku futeshin njësitë e qeverisjes vendore, tashmë ato do të jenë nën kompetencën e arkëtimit të ALUIZNI-t. Agjencia, sipas ndryshimeve të miratuar dje nga qeveria, do t'i derdhë këto të ardhurave në buxhetin e shtetit dhe ato do të destinohen për përballimin e shpenzimeve që do të kryhen për përditësimin e zonës me ndërtime pa leje dhe për përgatitjen e dokumentacionit tekniko-ligjor të nevojshëm për legalizimin e objekteve. Nga ana tjetër, në vendimin e djeshëm, Këshilli i Ministrave ka shfuqizuar fjalinë e ligjit, ku përcaktohej se, të ardhurat e mësipërme përdoreshin edhe për financimin e studimeve urbanistike të territorit me ndërtime pa leje. Por, përveç heqjes së kësaj kompetence për njësitë e qeverisjes vendore, në vendimin e miratuar parashikohen edhe disa të tjera, siç është ajo për njësinë e urbanistikës në njësinë e qeverisjes vendore. Kështu, ai parashikon shfuqizimin e disa pikave të ligjit, të cilat kanë të bëjnë me detyrat e njësisë së urbanistikës, si verifikimi i gjendjes reale të ndërtimeve në vend apo përditësimi teknik i planvendosjes në terren të ndërtimeve pa leje. Ndërkohë, është përcaktuar se, ALUIZNI nuk do të jetë më një bashkërenduese e punëve nëpërmjet organeve qendrore shtetërore dhe njësive të qeverisjes vendore.
Ndryshimi, kur legalizohen ndërtimet në zonat turistike
TIRANË- Tashmë në ligjin e legalizimeve ka asnjë dispozitë të veçantë ku parashikohet se si do të procedohet për legalizimin e ndërtimeve informale në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit, të cilat përbëjnë një numër jo të vogël ndërtimesh. Qeveria ka miratuar dje një shtesë në nenin 38 të ligjit, nenin 38/1, në të cilin flitet për legalizimin e ndërtimeve informale në zonat me përparësi zhvillimin e turizmit. Sipas kësaj shtese, legalizimi i këtyre ndërtimeve informale do të kryhet pas përcaktimit të vijës kufizuese të zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, në një kohë që qeveria, brenda 3 muajve nga hyrja në fuqi e ndryshimeve të miratuara dje, do të nxjerrë aktet nënligjore në zbatim të tyre. Një përcaktim i tillë në ligjin e legalizimeve lidhet më së shumti me zonat pranë bregdetit, të cilat njihen si zona turistike dhe në to janë ndërtuar jo pak ndërtime pa leje. Gjithsesi, gjithçka do të mbetet për t'u parë kur qeveria të miratojë aktet e saj nënligjore, ku pritet të sqarohet më mirë se si do të veprohet në zonat me përparësi zhvillimin e turizimit, kush do t'i përcaktojë ato, mbi cilat kriteret dhe çdo të bëhet me ndërtimet pa leje që mund të jenë ndërtuar në tetritorin e tyre. Përsa i përket bregdetit shqiptar, ku mjaft ndërtime janë informale, kohë më parë Kryeministri Berisha ka deklaruar se këto ndërtimet duhet të trajtoheshin me një ligj të veçantë.