TIRANE- Kuvendi miratoi gjatë punimeve të seancës së djeshme plenare disa ligje të rëndësishme të fushës ekonomike, si dhe ratifikoi një numër marrëveshjesh dypalëshe në kuadër të bashkëpunimit me vende të rajonit dhe më gjerë. Ndër p/ligjet e miratuara janë disa ndryshime në ligjin “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, që parashikojnë heqjen e kësaj takse për arsimin privat. Sipas p/ligjit, duke filluar nga 1 tetori i këtij viti, arsimi privat do të përjashtohet nga kjo taksë. Gjithashtu, Kuvendi miratoi dhe ratifikimin e disa marrëveshjeve, si ajo ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës “Për bashkëpunimin policor ndërkufitar”, ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi “Për riparimin, rindërtimin dhe mirëmbajtjen e piramidave e të shenjave të tjera kufitare në kufirin shtetëror shqiptaro-malazez”, etj.(s.g/BalkanWeb)