Qeveria miraton ligjin për pensionet shtesë





Përfitues edhe ish-ushtarakët e liruar nga detyra








Ushtarakët në detyrë, ish-ushtarakët, punonjësit e SHISH-it dhe punonjësit e Policisë së Shtetit përfitojnë pensione më të larta se ato që marrin sot. Këshilli i Ministrave miratoi dhe dërgoi në Kuvend projektligjin për “Sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë, të Gardës, të SHISH-it, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të SHKB-së”. Projektligji në fjalë ka si qëllim garantimin e përfitimeve shtesë në pensionet e profesioneve të përmendura më lart. Ky projektligj bën unifikimin e përfitimeve suplementare të të gjitha kategorive të ushtarakëve, kur ata kanë ndërprerë ose ndërpresin karrierën. Njëkohësisht, nisma ligjore parashikon mbrojtje me të ardhura në mënyrë të unifikuara për disa shërbime, ndërkohë që parashikon që shuma mujore e të ardhurave të jetë e arsyeshme dhe e krahasueshme për të gjitha kategoritë e përfituesve dhe për të gjitha fushat e mbrojtjes.


Ky projektligj parashikon se të gjithë personat që janë në karrierë, do të paguajnë kontribute shtesë, mbi ato të përcaktuara në ligjin e sigurimeve shoqërore, gërshetuar me pagesën e kontributeve. Përfitimet që parashikohen të jepen nga ky ligj, parashikohen të diferencuara, duke favorizuar personat që kanë paguar apo vazhdojnë të paguajnë kontribute shtesë. Në bazë të këtij projektligji, një pension i përkohshëm nuk mund të jetë kurrë më i lartë se një pagesë kalimtare e cila i jepet përfituesit menjëherë pas përfundimit të karrierës.


Kush përfiton


Sipas këtij ligji, përfituesit do të jenë ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë: oficerë, nënoficerë, studentë, ushtarakë dhe kursantë, për nënoficerë, ushtarë me pagesë ose profesionistë, ushtar i shërbimit të detyrueshëm, ushtarak në rezervë/lirim/pension pleqërie. Punonjësit e Policisë së Shtetit kur janë aktivë, me pagesë kalimtare, në pension pleqërie, studentë, kursantë dhe ushtarë (ndihmës agjentë). Punonjësit e Gardës, që gjenden në karrierë, punonjësit me status si kursantë, studentët dhe ushtarët, ish-punonjësit e Gardës, që janë në dispozicion, në pritje për riemërim në detyrë dhe ish-punonjësit e Gardës, që kanë dalë në rezervë ose në lirim, punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit, punonjësit e Policisë së Burgjeve, kur janë aktivë, me pagesë kalimtare, punonjësit e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm dhe anëtarët e familjeve të ushtarakëve dhe të SHKB-së.


Për efekt të periudhës së shërbimit në strukturat përkatëse dhe për efekt të moshës, projektligji parashikon që të plotësojë vjetërsinë në shërbim 12 vjet për femra dhe 15 vjet për meshkuj si dhe të ketë mbushur moshën 42 vjeç për femra dhe 47 vjeç për meshkujt.


Sa përfitohet


Efektet financiare që mbart ky ligj për pensionet suplementare të ushtarakëve që kanë përfituar pensione para vitit 91, parashikohen rreth 45 milionë lekë në muaj, ndërkohë që vazhdojnë të trajtohen dhe të rillogariten pensionet aktuale të parakohshme për 9603 ushtarakë të tjerë, të cilët kanë përfituar nga ligji i mëparshëm. Njëkohësisht, edhe 382 ish-policë si dhe 4 761 pensione suplementare të njohura tashmë.








Përfituesit





1. Ushtarakët aktivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë: oficerë, nënoficerë, studentë, ushtarakë dhe kursantë, për nënoficerë, ushtarë me pagesë/profesionistë, ushtar i shërbimit të detyrueshëm, ushtarak në rezervë/lirim/pension pleqërie.


2. Punonjësit e Policisë së Shtetit kur janë aktivë, me pagesë kalimtare, në pension pleqërie, studentë, kursantë dhe ushtarë (ndihmës agjentë).


3. Punonjësit e Gardës, që gjenden në karrierë, punonjësit me status si kursantë, studentët dhe ushtarët, ish-punonjësit e Gardës, që janë në dispozicion, në pritje për riemërim në detyrë dhe ish-punonjësit e Gardës, që kanë dalë në rezervë ose në lirim pas hyrjes në fuqi të ligjit nr. 8869, datë 25.3.2003, "Për Gardën e Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar, të cilët trajtohen me pagesë kalimtare apo që kanë dalë në pension.


4. Punonjësit e Shërbimit Informativ të Shtetit, në marrëdhënie pune me këtë shërbim, ata në lirim, me pagesë kalimtare, në pension, si dhe kursantët.


5. Punonjësit e Policisë së Burgjeve, kur janë aktivë, me pagesë kalimtare, në pension pleqërie, studentë, kursantë dhe ushtarë (ndihmës agjentë).


6. Punonjësit e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin.


7. Punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm.


8. Anëtarët e familjeve të personave të përmendur në pikat 1-7.











Kushtet për të përfituar pension suplementar





Vjetërsia në shërbim





1. Vjetërsia në shërbim, sipas kategorive të përfituesve, është ajo e përcaktuar në ligjet nr.9210, datë 23.3.2004, "Për statusin e ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë", nr.9749, datë 4.6.2007, "Për Policinë e Shtetit", nr.8869, datë 22.5.2003, "Për Gardën e Republikës së Shqipërisë", të ndryshuar, nr.9357, datë 17.3.2005, "Për Shërbimin Informativ të Shtetit", nr. 10032 datë 11.12.2008, "Për Policinë e Burgjeve", nr.8766, datë 5.4.2001, "Për mbrojtjen nga zjarri dhe për shpëtimin", dhe nr. 10002, datë' 6.10.2008, "Për Shërbimin e Kontrollit te Brendshëm, në ministrinë e Brendshme".


2. Për efekt të zbatimit të këtij ligji, vjetërsia e shërbimit, e njohur sipas ligjeve të sipërpërmendura, bashkohet.


3. Për efekt të përllogaritjes së përfitimeve, viti i shërbimit njihet vetëm kur është vit i plotë.


4. Në vjetërsinë në shërbim përfshihen edhe:


a) Koha e ndërprerjes së karrierës, për shkak të një urdhri a vendimi të' padrejtë, të deklaruar me vendim gjykate;


b) Koha e plotë e vuajtjes së dënimit me burgim ose internim, për motive politike, pas titullimit në karrierë, nga personat, që' kanë shërbyer në strukturat e përcaktuara në këtë ligj, kur kanë përfituar sipas ligjit nr.7514, datë 30.9.1991, "Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë".


5. Për efekt të llogaritjes së vjetërsisë në shërbim, koha e shërbimit në disa funksione organike, me specifikë të veçantë vështirësie, llogaritet me 1,5-fishin. Për përmbajtjen e kësaj dispozite shprehen strukturat respektive, me shkrim, se cilat do të jenë funksionet e veçanta organike, që do të rivlerësohen me 1.5-fishin. Këto funksione organike miratohen me vendim të Këshillit të Ministrave.





Paga referuese





1. Përfitimet, që jepen nga ky ligj, llogariten në bazë të pagës referuese.


2. Paga referuese përbëhet nga paga bazë mujore për gradë, sipas viteve të shërbimit, dhe shtesat mbi pagë, ose nga paga bazë mujore për funksion dhe shtesat, të cilat përcaktohen e zbatohen për të njëjtën gradë a funksion në datën e lindjes të së drejtës së një përfitimi.


Për efekt të përcaktimit të përfitimeve, paga referuese llogaritet si mesatare e pagave referuese, sipas viteve të qëndrimit në atë gradë apo funksion.


Pagat referuese të njësuara dhe rregullat e llogaritjes së pagës mesatare referuese për të gjithë karrierën, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.


3. Për studentët e shkollave të larta, që përgatiten si ushtarakë, si punonjës të Policisë së Shtetit, si punonjës të Gardës së Republikës së Shqipërisë, si punonjës të Policisë së Burgjeve e të tjerë, apo kursantët, që përgatiten si punonjës të Shërbimit Informativ të Shtetit, paga referuese, për efekt përfitimi, është paga e gradës a funksionit më të ulët të oficerit ose e inspektorit të SHISH-it, ndërsa për kursantët për nënoficerë, paga referuese është paga më e ulët e gradës a funksionit të nënoficerit ose ndihmësinspektorit të SHISH-it, të nivelit përkatës.


4. Kur funksioni ose grada, që kishte përfituesi, nuk ekziston më, ministri i Mbrojtjes, ministri i Brendshëm (drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, komandanti i Gardës), ministri i Drejtësisë dhe drejtori i SHISH-it, me urdhër, bëjnë njësimin e tyre me ato funksione apo grada, që janë në fuqi, në çastin e lindjes të së drejtës për përfitim.





Llojet e përfitimeve suplementare dhe kushtet e përfitimit





Personave të përcaktuar në nenin 2, të këtij ligji, apo familjeve të tyre u sigurohen përfitime suplementare, mbi ato të përcaktuara në ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, për:


a) paaftësi të përkohshme në punë e shërbim;


b) parandalim për sëmundje;


c) rehabilitim shëndetësor;


ç) shpërblim i menjëhershëm dhe pagesë kalimtare, kur nxirren në lirim/rezervë;


d) pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi;


dh) pension suplementar, mbi pensionin e plotë të pleqërisë;


e) pension suplementar invaliditeti;


ë) pension suplementar familjar;


f) pension suplementar familjar, kur, për shkak të detyrës, humbasin jetën;


g) pagesa suplementare për shpenzime varrimi.


Kushtet e përfitimit për paaftësi të përkohshme në punë





Ushtaraku i shërbimit aktiv në Forcat e Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, i Gardës, i Shërbimit Informativ të Shtetit, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin dhe punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm për kohën që, për arsye shëndetësore, bëhet i paaftë për punë, paaftësi e cila vërtetohet me raport mjekësor, merr përfitime suplementare.





Masa e përfitimit për paaftësi të përkohshme në punë





Masa e përfitimit suplementar për paaftësi të përkohshme në punë llogaritet:


a) 100 për qind e pagës referuese të muajit të fundit kalendarik të shërbimit, kur paaftësia e përkohshme zgjat deri në 14 ditë;


b) 20 për qind e pagës referuese të muajit të fundit kalendarik të shërbimit nga dita e pesëmbëdhjetë e paaftësisë e në vazhdim;


c) 10 për qind e pagës referuese të muajit të fundit kalendarik të shërbimit për periudhën e shtrimit në spital, kur përfituesi ka persona në ngarkim.





Rehabilitim shëndetësor





Shpenzimet për trajtimin shëndetësor përballohen nga buxheti i shtetit. Kriteret dhe masa e trajtimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.





Shpërblimi i menjëhershëm dhe pagesa kalimtare





1. Ushtaraku i shërbimit aktiv të përhershëm, i Forcave të Armatosura, i Policisë së Shtetit, i Gardës së Republikës, i SHISH-it, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin dhe punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, i cili pas hyrjes në fuqi të këtij ligji nxirret në rezervë apo lirim, merr një shpërblim të menjëhershëm, në masën e dy pagave referuese mujore dhe pas këtij fillon trajtimi financiar me pagesë kalimtare.


2. Pagesë kalimtare jepet kur përfituesi ka jo më pak se 3 muaj shërbim. Pagesa kalimtare llogaritet në masën 50 për qind të pagës referuese mujore dhe fillon në muajin e tretë nga data e nxjerrjes në rezervë apo lirim.


3. Trajtimi financiar me shpërblimin e menjëhershëm dhe me pagesë kalimtare, për të dyja llojet e përfitimeve së bashku, zgjat për aq muaj sa përfituesi ka vjetërsi shërbimi, por jo më shumë se 24 muaj.


Masa e përfitimit të pensionit të parakohshëm për vjetërsi shërbimi


1. Pensioni i parakohshëm për personat, që plotësojnë kushtet e përfitimit, është sa 50 për qind e pagës mesatare referuese mujore. Për çdo vit tjetër të vjetërsisë në shërbim, sipas përcaktimit, masa e pensionit shtohet me 2 për qind të pagës mesatare referuese.


2. Masa e pensionit të parakohshëm, e llogaritur sipas pikës 1, të këtij neni, në çastin që lind e drejta për përfitim:


a) për personat, që nuk kanë paguar kontribute suplementare, nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar.


b) për personat, që kanë paguar kontribute suplementare, nuk mund të jetë më e madhe se, dyfishi i pensionit bazë, të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, në përputhje me ligjin nr.7703, datë 11.5.1993, "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, shtuar me 2 për qind të pagës mesatare referuese, për çdo vit sigurimi suplementar. Në këtë rast, shuma e pensionit mujor të parakohshëm nuk mund të jetë më e madhe se dyfishi i pensionit bazë të pleqërisë, plus 20 për qind të pagës referuese të muajit të fundit të punës.





Kushtet e përfitimit të pensionit suplementar e pleqërisë





Ushtaraku i Forcave të Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, i Gardës së Republikës, i SHISH-it, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin e punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, që përfiton pension pleqërie, sipas ligjeve nr.4171, datë 13.9.1966, "Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë" dhe nr.7703, datë 11.5.1993, "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar, gëzon të drejtën e një pensioni suplementar pleqërie.





Masa e përfitimit të pensionit suplementar e pleqërisë





Pensioni suplementar i pleqërisë llogaritet me 1 për qind të pagës mesatare referuese mujore për çdo vit shërbimi, por jo më shumë se 50 për qind e pensionit të pleqërisë, që përfituesi gëzon në çastin e lindjes të së drejtës për pension suplementar.





Kushtet e përfitimit të pensionit suplementar e invaliditetit





Ushtaraku i shërbimit aktiv të përhershëm në Forcat e Armatosura, punonjësi i Policisë së Shtetit, i Gardës së Republikës, i SHISH-it, i Policisë së Burgjeve, i Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin dhe punonjësi i Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm përfiton të drejtën për pension invaliditeti suplementar në rastet kur është deklaruar invalid dhe përfiton pension invaliditeti, të plotë a të" pjesshëm, sipas ligjeve nr.4171, datë 13.9.1966, "Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë", ose nr.7703, datë 11.5.1993, "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar.





Masa e përfitimit të pensionit suplementar e invaliditetit


1. Pensioni suplementar i invaliditetit llogaritet 1 për qind për çdo vit shërbimi mbi pagën mesatare referuese mujore, por jo më shumë se 50 për qind të pensionit të invaliditetit, që përfitohet sipas ligjit nr.4171, datë 13.9.1966, "Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë", ose nr.7703, datë 11.5.1993, "Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë", të ndryshuar.


2. Kur personat e sipërpërmendur bëhen invalidë në krye të detyrës apo për shkak të saj, masa e pensionit suplementar të invaliditetit do të jetë 20 për qind e pagës referuese.