Ligji i ri për administratën civile i paraprin fillimit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftimet dhe pasaportat biometrike. Duke vlerësuar ndryshimet e mëdha që ka pësuar regjistri themeltar i shtetit nëpërmjet funksionimit në formën dixhitale, Kryeministri Berisha theksoi dje se përdorimi i teknologjisë së re dhe perspektiva dixhitale e këtij shërbimi ka bërë të domosdoshëm një ligj të ri. Pasi e vlerësoi të rëndësishëm ligjin e administratës civile, Kryeministri u shpreh se ky ligj i paraprin fillimit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftimet dhe pasaportat biometrike. “Një ligj i dytë shumë i rëndësishëm për vendin është ligji për gjendjen civile. Siç e dini, kjo zyrë themelore e shtetit, ky regjistër themeltar i shtetit, gjatë këtij viti ka pësuar ndryshimin më të madh, janë bërë tërësisht dixhitale”, - tha z. Berisha. “Pra, - shtoi ai, - teknologjia e re dhe perspektiva dixhitale e këtij shërbimi ka bërë të domosdoshëm një ligj të ri, i cili është fryt i një bashkëpunimi të ngushtë të specialistëve tanë të Ministrisë së Brendshme me ekspertët më të mirë të kontraktuar nga OSBE-ja dhe ky ligj i paraprin fillimit të pajisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftimet dhe pasaportat biometrike, ndaj dhe do ta vlerësoja shumë të rëndësishëm. Pra, motoja që të shkojmë drejt zgjedhjeve me reforma, është një realitet”, - deklaroi Kryeministri.