KONFINDUSTRIA

Për disa nivele të pagave të references janë konstatuar shmangie nga tregu i punës duke shkaktuar probleme dhe shqetësime për kompanitë, rritje të panevojshme të kostove të prodhimit


TIRANË- Ligji për pagat e referencës vazhdon të mbetet një problem i pazgjidhur për biznesin shqiptar. Edhe pas konstatimit të abuzimeve gjatë zbatimit në terren, deri tani nuk ka pasur një iniciativë për shmangien e tyre. Sipas studimit më të fundit të zhvilluar nga zyra e Konfindustrias në sektorin e industrisë ushqimore, rezulton se gjatë zbatimit të tij qe nga dita qe ka hyrë në fuqi, janë prodhuar një numër mjaft i madh rastesh të gjobitjeve të padrejta të biznesit, pikërisht nga shmangia e referencave zyrtare me të dhënat e tregut real. Në industri nga më formalet, për disa nivele të pagave të references janë konstatuar shmangie nga tregu i punës duke shkaktuar probleme dhe shqetësime për kompanitë, rritje të panevojshme të kostove të prodhimit dhe prishje te harmonisë së brendshme ndërmjet punëdhënësve dhe punëmarrësve. Megjithëse industritë kanë provuar me dokumentacion të rregullt dhe në rend kronologjik për nivelin e pagave qe ata zbatojnë prej kohësh, institucionet fiskale nuk i kanë marrë parasysh arsyetimet e tyre dhe kanë shkuar deri në vënie gjobë për shmangien e pretenduar të pagave të zbatuara nga kompanitë me pagat e referencës të paracaktuara me akt ligjor.


“ Kjo është edhe më problematikja pasi në Shqipëri nuk ekziston një Gjykatë Administrative qe të marrë në shqyrtim ankesat e biznesit” arsyeton përfaqësuesi i Konfindustrias, Gjergj Buxhuku. Sipas tij, ky ligj konsiderohet i papranueshëm pasi bie në kundërshtim me parimet bazë të tregut dhe referenca ndaj pagave nuk e pasqyron realisht situatën në të. “Ligji në fjalë është bërë shkak për prishjen e klimës së mirëbesimit midis biznesit dhe shtetit, gjithashtu ka ndikuar në tendosjen e marrëdhënieve punonjës-punëdhënës”, shton ai. Shmangia e abuzimeve, përmirësimi sadopak i e sistemit të referencave dhe krijimi i një klime të përshtatshme për të bërë biznes në Shqipëri kanë shtyre këtë zyrë t’i paraqesë qeverisë një paketë ku përfshihen disa propozime në lidhje pagat e referencave të industrisë ushqimore si fillim. Në të parashikohet qe për kategorinë, specialist me arsim të lartë të aplikohet ulje në krahasim me referencat qe ka propozuar qeveria. Ajo të mbetet e pandryshuar për kategoritë, drejtues dege dhe punëtor i kualifikuar, ndërsa për kategoritë drejtor, administrator, teknik dhe punëtor i pakualifikuar, kjo shoqatë propozon rritje. Konfindustria shpjegon se aplikimi i propozimeve të saj, është edhe në të mirë të portofolit shtetëror pasi në kategoritë e propozuara për rritje hyjnë punëtorët dhe teknikët, të cilët në borderotë e firmave private zënë mbi 70% të të punësuarve. Për pasojë, shtëti do të përfitojë rritje të arkëtimeve nga kontributet e sigurimeve shoqërore. Në paketë gjithashtu propozohet qe nivelet e pagave të korrektohen mbi bazën e një kofiçenti për zona të caktuara. Për rrethet Tiranë, Durrës, Vlorë, Fier, Elbasan, Korçë, Shkodër, Gjirokastër, koefiçienti korrektues propozohet të jetë 1. Për rrethet Berat, Lushnje, Shkodër, Pogradec, Krujë, Kavajë, propozohet koefiçienti 0.9 dhe për rrethet e tjera 0.8. Sipas Konfindustrias, marrja në konsideratë e propozimeve të saj nga qeveria do të minimizojë abuzimet dhe do të krijojë një realitet të ri në tregun e punës.