Historia e pushkatimit të Ramize Gjebreas, një prej personazheve të Luftës Antifashiste, sillet shpesh me shkrime, libra e intervista të bashkëkohësve apo edhe të studiuesve. Por, ndoshta të paktë janë ata njerëz që e dinë dhe e pohojnë tërësisht të vërtetën. Padyshim, Liri Belishova është njeriu më autentik në këtë rast.
Zonja Belishova, këto ditë ishte përvjetori i vdekjes së Ramize Gjebresë. Janë shprehur mendime e hipoteza të ndryshme. Ju keni qenë shoqe e saj, i keni përjetuar këto ngjarje. Si i kujtoni?
Kanë kaluar 66 vjet, por edhe sot e kujtoj me shumë dëshpërim, me hidhërim të thellë. Për asnjë shoqe ose shok të vrarë gjatë Luftës Antifashiste nuk kam ndjerë një hidhërim të tillë, sepse vrasja e saj ishte shumë tragjike - atë e vranë shokët e saj. Vrasja e Ramizesë ishte një KRIM, një krim mizor, krejtësisht i padrejtë, krejtësisht i pajustifikuar. Të gjitha përpjekjet për ta justifikuar, për ta zbutur, për ta quajtur gabim nga rrethanat e luftës, nga mentaliteti prapanik etj, janë të pabaza dhe të kota. Ishte një krim.
Ky krim bëhet akoma më i pafalshëm kur mendon se çfarë vajze vranë. Ramizeja ishte vërtet një vajzë e mrekullueshme nga çdo anë. E kam thënë dhe e përsëris: nga gjithë ne shoqet e saj të Institutit Femëror “Nana Mbretneshë”, ajo ishte më e shquara, më e zonja, më trimja (ishte e vetmja vajzë e njësiteve guerile në Shqipëri). E bukur, shumë inteligjente, me kulturë (lexonte jashtëzakonisht shumë), me mendime përparimtare dhe patriote e flaktë për Shqipërinë etnike, fitonte shpejt simpati dhe impononte respekt e autoritet. Në Luftën Nacional-çlirimtare u angazhua me të gjitha forcat dhe me përkushtim të jashtëzakonshëm. Me aftësitë e saj të rralla u shqua si organizatore dhe drejtuese e Rinisë Komuniste Shqiptare dhe e Rinisë Antifashiste. Ajo ishte fillimisht anëtare e komitetit qarkor të RKSH të Tiranës, pastaj sekretare politike e K.Q të RK së Vlorës, dhe me formimin e Brigadës së V-të, anëtare e Seksionit Politik si përgjegjëse e rinisë dhe përgjegjëse për agjitacionin dhe propagandën. Të gjithë e donin dhe e respektonin; fjalimi i saj në inaugurimin e Brigadës së V-të janar ‘44, që i mahniti të gjithë partizanët dhe qindra vlonjatë prezentë, u bë legjendë.
Ja, një vajzë të tillë kreshnike e vranë. E vranë në lulen e rinisë, 21 vjeçe. Kur kishin mbetur vetëm pak muaj nga çlirimi i Shqipërisë, që ajo nuk e gëzoi. ëndërronte Shqipërinë e përparuar, një jetë të re, ku gratë do të çliroheshin nga zgjedhat e zakoneve prapanike dhe do të gëzonin të gjitha të drejtat, ku ajo do të ndërtonte lumturinë e saj… (Ditari, kujtimet).
Ajo për këtë luftë, për këta shokë kishte lënë shkollën, kishte lënë nënën e dashur dhe gjithë familjen, kishte lënë gjithçka. Atje në Ramicë, ajo kishte vetëm këta shokë dhe perëndinë në qiell. Ata duhet ta mbronin nga çdo përfolje dhe intrigë, kurse e vranë pa mëshirë pa asnjë të drejtë.
Nuk e aprovuan vrasjen e Ramizesë as partizanët e Brigadës së V-të, as fshatarët e zonës dhe Vlora, as në Berat dhe as në Tiranë. Nuk kam dëgjuar gjatë gjithë këtyre viteve sikur një njeri të thotë “mirë ia bënë”.
Zonja Belishova, ju si e kujtoni dhe si e mendoni, pse e vranë Ramize Gjebrenë dhe kush e ka përgjegjësinë?
Për gjykimin dhe dënimin e Ramizesë dhe Zaho Kokës në Arkivin QSH është një raport dyfaqësh, i daktilografuar, që i bëhet KQ të PKSH-së nga trupi gjykues më 7.3.1944 (F.14, D72). Nga ky dokument mësojmë se trupi gjykues përbëhej nga: Komandanti i Brigadës së V-të, Shefqet Peçi, Komisari Hysni Kapo, z/Komisari Manush Myftiu, organizativi i Seksionit Politik, Hito çako, Kulturo-arsimori Bilbil Klosi, Sekretari Politik i K.Q të partisë për Vlorën, Pajo Islami, i deleguari i K.Q. të RKSH, Ramadan Xhangolli (Xhako).
Ramizeja dhe Zaho Koka janë akuzuar për marrëdhënie dashurore. Për këtë ka pasur 4 denoncime me shkrim, (që i bashkëngjiten raportit). Gjithë gjyqi përqendrohet, a është apo jo e vërtetë që kanë pasur marrëdhënie dashurore dhe deri ku kanë shkuar këto? Këto dalin nga disa copëra letrash, që edhe këto i janë bashkangjitur raportit. Ndjej neveri e njëkohësisht revoltë duke i lexuar dhe nuk më duket aspak e drejtë që akoma dhe sot të gërvëliset në këtë drejtim. A e ka dashur apo jo Ramizeja Zaho Kokën, nuk ka asnjë rëndësi lidhur me vrasjen e saj.
Gjyqi vendosi njëzëri që Ramizeja të pushkatohet, kurse për Zaho Kokën, pas shumë diskutimesh (që nuk pasqyrohen), të shkarkohet nga të gjitha përgjegjësitë (ishte zv/komisar i Batalionit të III), të përjashtohet nga partia dhe të dërgohet në një qark tjetër. Në fakt edhe ai, trimi me fletë me shumë autoritet në të gjithë bregdetin e Himarës, i sfilitur nga dëshpërimi dhe poshtërimi, shumë shpejt (8 qershor ‘44) u vra duke luftuar nga plumbi gjerman, apo ndofta i ndonjë “shoku” të porositur.
Shumë pyetje dalin për këtë dënim kaq mizor dhe të padrejtë.
-është e vërtetë se okupatorët dhe forcat që bashkëpunonin me ta bënin një propagandë të madhe shpifëse se në repartet partizane kishte shthurje morale. Prandaj duhej një disiplinë e vetëpërmbajtje shumë e rreptë, por edhe ne vetë mendonim se tani duhet të luftojmë, pas luftës të tjerat. Dhe populli, megjithëse fanatik dhe me zakone të prapambetura, i lejoi vajzat të marrin pjesë në luftën ilegale dhe të dilnin partizane për lirinë e atdheut. Dhe kështu, me vështirësi dhe ngadalë filloi emancipimi i gruas, i çlirimit dhe i të drejtave të saj. Po, pati gjatë luftës edhe fejesa, por këto ishin shumë të rralla, i deklaroheshin Partisë, por mbaheshin sekret.
Edhe sikur të jetë e vërtetë dashuria mes Ramizesë dhe Zahos, këtu nuk ka asnjë shkelje të moralit proletar, asnjë shthurje morale.
Nuk është e vërtetë se i jepej material armikut, sepse koha kur Ramizeja ishte e dërguar nga Shtabi për të ndihmuar Batalionin e III në operacionin e egër të dimrit, ishte fare e shkurtër dhe vetë raporti thotë se kjo gjë “u kuptua nga disa partizanë”. Pra nuk ishte rasti i ndonjë buje, mund të mbyllej shpejt.
Po këta anëtarë të Shtabit kaq fanatikë dhe të ngushtë ishin? Manush Myftiu e kishte kryer shkollën e mesme në Itali dhe kishte studiuar në universitetin e Torinos; kurse Bilbil Klosi kishte mbaruar për drejtësi në Francë.
Jo, s’mund të justifikohet ky krim me argumentet e fanatizmit dhe të rrethanave të luftës. Natyrisht edhe këto kanë lozur rolin e tyre, por nuk kanë determinuar vrasjen e Ramizesë.
Përveç “shkeljes së moralit proletar”, a kishte akuza të tjera politike?
Në raportin (i vetmi dokument), Ramizeja akuzohet se është “tradhtare e partisë”, por nuk jepet asnjë shpjegim. është absurde që dashurinë Ramize-Zaho, edhe po të ishte e vërtetë, ta quash tradhti të partisë. Në raport thuhet edhe se kanë neglizhuar punën, pa asnjë shpjegim. Edhe kjo është fare pa bazë, se në punë dhe luftë ata shquheshin kudo.
Si ishin marrëdhëniet e Ramizesë me udhëheqësit e Vlorës e të Brigadës së V-të?
Ajo ishte shumë dinjitoze dhe krenare, nuk u rrinte udhëheqësve kokulur, i mbronte mendimet dhe propozimet e saj, kritikat i thoshte haptas, me “sëpatën e dardharit”. Të tillët s’para i donin, sado të aftë e trima të ishin, dhe rrezikoheshin të cilësoheshin “anti-parti”. A kishte ajo mosmarrëveshje dhe acarime me udhëheqësit e Vlorës e të Brigadës së V-të? Sidomos me Dushanin dhe L.Gegën që ishin të Qendrës, por për një kohë qëndruan në Vlorë. Shto këtu se midis denoncuesve dhe atyre që e gjykuan ka pasur ziliqarë për aftësitë e personalitetin e saj, njerëz që i janë vardisur e i ka refuzuar etj.
- Të bën përshtypje se të 4 denoncimet janë shkruar brenda 10 ditëve para arrestimit, sikur t’i ketë udhëzuar njeri. Kurse shtabi i Brigadës, siç lexojmë në raport, porsa i ka marrë denoncimet, menjëherë i ka arrestuar. Menjëherë u bë gjyqi që mori atë vendim të tmerrshëm. Përse kjo ngutje kaq e madhe? A nuk duhet të mendoheshin mirë, a nuk duhet të pyesnin Qendrën? Duket sikur kanë marrë urdhër dhe detyra e tyre ishte ta zbatonin sa më shpejt.
Si ishte e mundur që komisari i Brigadës, vetëm ose me Xhakon e të tjerë, nuk i thirri t’i kritikonte e këshillonte, të bënte një mbledhje etj. Kjo ishte zgjidhja e drejtë, e logjikshme, kështu veprohej. Përse nuk u veprua kështu, por shpejt pushkatimi?
Pra vrasja e Ramizesë nuk është kaq e thjeshtë sa e paraqet raporti.
-Pse Hysni Kapo këtë kuadër të rëndësishëm nuk e dërgoi në Shtabin e Përgjithshëm, dhe ata të vendosnin për të? Kjo ishte krejt e logjikshme. çështja e Himarës mbyllej, Ramizenë e kritikonin dhe e dërgonin në një qark ose repart tjetër. I kishin mundësitë. Ramizenë e nisën për Panarit bashkë me Thanas Nanon, për kursin e kuadrove, por me një urdhër të dytë e kthyen nga rruga. Kush urdhëroi dhe pse e kthyen? Shefqet Peçi ka deklaruar (A.Duka “Udhëkryqet e historisë”), se i ka thënë Hysniut t’i dërgojmë në Shtabin e Përgjithshëm, por ky i është përgjigjur “Shtabi jemi ne”. Edhe R.Xhangolli në raportin për K.Q. të RKSH (F 14,D 72) shkruan se propozova të dërgoheshin në Shtabin e Përgjithshëm, por nuk ma pranuan propozimin. Duke marrë parasysh të gjitha këto, përse Hysniu nuk i dërgoi në Shtab?
-Dhe tani vijmë tek pyetja kryesore. Përgjegjësinë për këtë krim e ka i gjithë trupi gjykues, por në radhë të parë Hysni Kapua, sepse ai ishte anëtar i K.Q. të Partisë dhe autoriteti kryesor në gjithë qarkun e Vlorës. Shtabi i Brigadës së V-të dhe Hysniu nuk mund të guxonin të dënonin me vdekje një kuadër të lartë si Ramizeja pa pyetur Qendrën. E kam njohur Hysninë disa vjet dhe jam e bindur se ai s’bënte asgjë pa pyetur E. Hoxhën. është e pamundur që Hysni Kapo të mos pyeste Qendrën për këtë çështje me rëndësi. Por, kush ishte atëherë në Qendër? Nuk e di a kishte mbërritur në Panarit Enver Hoxha pas tre muaj izolimi në malet e Elbasanit. Miladini dhe të tjerë atje ishin. ç’urdhër u dha ?Nuk ka dokument. Letra mund të jetë zhdukur pasi është lexuar, mund të jetë dhënë urdhër verbal etj. Unë mendoj se Hysniu nuk ka vepruar pa urdhër të Qendrës. Logjika këtu të çon.
Ka një fakt të rëndësishëm. Në librin, “Albanski Devnjik”, (Ditari Shqiptar”), N. Dizdareviç shkruan se Nako Spiro nuk e donte Dushan Mogushën edhe sepse ai [Dushani] kishte firmosur vrasjen e të shoqes së tij, [Ramizesë]. Edhe mua, Nako në Helmës ose më vonë më ka thënë, se kur Ramizeja erdhi në tetor ’43 në Tiranë, i kishte thënë se kishte pasur mosmarrëveshje me Dushanin për çështjen e Kosovës. Me patriotizmin e saj të zjarrtë, me dashurinë e madhe për Kosovën (nënën e kishte nga Kaçaniku), Ramizeja nuk mund të mos fitonte antipatinë dhe urrejtjen e Dushanit. Sh. Peçi ka deklaruar se për vrasjen e Ramizesë ka insistuar më shumë Dushani. (A.Duka “Udhëkryqet e historisë”).
Në arkiv (F 14, D 72) kam lexuar letrën e Xhangollit 19 shkurt ’44, ku i shkruan Nexhmijes për çështjen e Ramizesë e Zahos, i thotë të informojë Nakon dhe e pyet “ç’dënim t’i japim Ramizesë”? Nexhmija i shkruan Nakos më 4 prill ’44, (F14, D72) se letrën e ka marrë kur ishte akoma në Tiranë (pa u nisur për në Panarit), por nuk i tha Nakos asgjë për mos ta shqetësuar, kurse pyetjen e Xhakos (ç’dënim t’i japim Ramizesë) nuk e përmend fare. Duhet t’i kishte thënë Nakos, se ishte çështje shumë e rëndësishme dhe patjetër duhet t’i jepej përgjigje urgjente Xhakos, sepse lidhjet në atë kohë lufte me korrierë vazhdonin me ditë, koha nuk priste. Gjëma u bë. Nexhmija as nuk ka sqaruar se kur shkoi në Panarit, ç’u bisedua për Ramizenë e ç’u vendos.
Nga të gjitha këto që thashë, del ajo që dihet: një konkluzion me bindje absolute mund ta thuash kur e vërteton me dokument. Por edhe pyetjet logjike, përfundimet logjike, nuk mund të shmangen, nuk mund të hidhen poshtë. Ajo që mbetet është dhembja e madhe për Ramizenë dhe revolta për këtë krim mizor dhe të padrejtë.
Ky krim, si dhe krime të tjera që u bënë gjatë Luftës Nç, tregonin se cili do të ishte pushteti që do vendosej pas çlirimit nga okupatorët, diktatura komuniste. Nako Spiru, në atë kohë ka qenë në Tiranë, si e përjetoi këtë ngjarje tragjike? Si e kujtoni ju?
Ishte nga fundi i marsit. Unë dhe Fatbardha Toto (ndofta dhe të tjerë, por nuk më kujtohen) kishim një takim me Nakon në një bazë. Kur hymë, shtangëm. Nako ishte dyllë i verdhë, me sy të skuqur e të buhavitur, shumë i tronditur, dhoma ishte gjithë tym duhani dhe bishta cigaresh. Ai tha me një zë që nuk ishte i tij: “Kanë vra Ramizenë”, dhe tundi një letër që mbante në dorë “Më shkruajnë shokët e Qendrës. E ka vra shtabi i Brigadës së V-të. Për shkelje të moralit, që e quajnë “tradhti të Partisë”. Ne ia shkrepëm të qarit.
Dua të theksoj këtu se këtë letër të Enver Hoxhës dhe Meladinit, ku Nakos i jepnin mandatën për vrasjen e gruas së tij, Ramizesë, e kam lexuar në arkiv (F14, D76). Dhe jam çuditur shumë. Letra është katër faqe të daktilografuara, duke përmbledhur edhe shënime me dorë. Në këtë letër ata shkruajnë për shumë probleme dhe në fund, sikur të ishte një gjë fare e thjeshtë, thonë: “Vlora na lajmëron se shtabi i Brigadës së V-të dhe disa shokë të terrenit, të mbledhur në një gjyq të posaçëm, kanë gjykuar dhe dënuar me pushkatim shoqen, Ramize Gjebrenë. E akuzonin për tradhti karshi Partisë dhe shkelje të moralit proletar. Brenda po ju çojmë letrën që ju dërgon Xhakoja. S’është nevoja të zgjatemi mbi çështjen si ngjau. Kemi dhe raportet dhe proceset e këtij gjyqi, por s’i dërgojmë se mos bien në dorën e armikut. Kur të takohemi, i sheh. Megjithëqë djallja s’ishte sjellë mirë, por prapë dënimi i dhënë është shumë i rëndë”. Pastaj nja dy rreshta, që nuk i ka as vetë raporti, me synimin për të zbutur krimin. Disa rreshta për konferencat që duhen bërë në Parti dhe rini për ta kuptuar drejtë dashurinë e lirë. Kaq për Ramizenë. I shkruante dhe Nexhmijes, ku e porosit që t’i blejë një orë Meladinit (“mos i kurseni paratë”) dhe t’i dërgojë peshqesh Enverit ndonjë gjë të mirë për të ngrënë. A mund t’i shkruhet një letër e tillë shokut për t’i dhënë mandatën, se gruan ia kanë vrarë, pa asnjë shfaqje hidhërimi, pa një ngushëllim? Shumë cinike! Nexhmija, Ramiz Alia e ndonjë tjetër, kanë shkruar se Enveri e dënoi rëndë vendimin e gjyqit. Nga letra nuk del kështu, e quan “djallja” që s’është sjellë mirë dhe po të ishte e vërtetë se e dënoi rëndë vrasjen, ç’masa mori për këtë krim? Asnjë! Nuk ka dhe asnjë dokument ku të dalë se janë kritikuar dhe se të paktën u janë dhënë vërejtje ose degradime. Përkundrazi, i ngriti në pozitat më të larta të partisë dhe të shtetit. Më vonë, më 4 prill ’44, ka dy letra të Enverit për Nakon, që duket sikur i kanë shkruar dy njerëz të ndryshëm. Njëra e gjatë, me shumë probleme dhe me porosinë ‘t’i vëmë kapak çështjes së Ramizesë’. Tjetra, fare e shkurtër me solidaritet për dhimbjen e Nakos. Si ta shpjegosh?
Po të vijmë tek Nakua. Qëndrimi i tij, jo vetëm në atë kohë por edhe sot të mahnit. As që bëhej fjalë për “urrejtje”, “hakmarrje” etj, “të burrit të tradhtuar”. Ishte qëndrimi fisnik i njeriut human me zemër të madhe, i njeriut përparimtar e luftëtar kundër prapambetjes, e intelektualit me kulturë të gjerë. Nakua ishte rritur në Durrës në familje të shquar intelektuale e patriotike; shkollën e mesme e kishte kryer në një kolegj italian dhe studimet e larta i vijoi në fakultetin Ekonomik të Torinos. Ai shquhej për inteligjencën e jashtëzakonshme.
ç’ndjente dhe ç’ mendonte ai në ato momente tragjike, nuk mund të na i thoshte haptas as neve, as t’ia shkruante Enver Hoxhës. Kryesorja ishte hidhërimi dhe dëshpërimi i thellë, i jashtëzakonshëm, aq sa u dobësua shumë, humbi disa kile. Ky hidhërim vazhdoi gjatë gjithë jetës së tij deri sa vdiq. Dhe kur e vranë, në portofol i gjetën fotografinë e Titikës, motrës që i kishte vdekur 25 vjeç dhe fotografinë e Ramizesë, kurse nga ana tjetër fotografinë time, tashmë gruaja e tij, dhe adresat e disa fakulteteve ekonomike në Bashkimin Sovjetik. E kishte dashur shumë dhe ajo e meritonte plotësisht këtë dashuri. Vazhdimisht, edhe pasi u martuam, më fliste për Ramizenë dhe më bëri që ta dua e ta çmoj atë edhe më shumë se përpara.
Në atë kohë ai kishte vetëm letrën e Enver Hoxhës, nuk kishte asnjë mundësi të verifikonte si u zhvilluan ngjarjet në të vërtetë. Por që në kohën e luftës dhe pas çlirimit kur takonte shokë nga Vlora, i pyeste dhe i ripyeste, përpiqej të zbulonte të vërtetat. Mendoj çfarë ka ndjerë ai në shpirtin e tij duke e dashuruar shumë Ramizenë dhe duke besuar atë që i thanë se ajo u dashurua me Zahon. Besoj se është diçka e hidhur për çdo njeri kur i ndodh një gjë e tillë. Por nuk e dëgjova njëherë të fliste për këtë gjë, as kam dëgjuar t’u ketë folur të tjerëve. Ajo që dominoi ishte dëshpërimi i thellë dhe revolta për vrasjen e saj. Madje e dëshpëronte fakti që në marrjen e vendimit u përdor si argument edhe “ka tradhtuar shokun”, (gjatë luftës ka pasur ndonjë divorc, vetë Hysni Kapo në atë kohë në fakt ishte i divorcuar nga gruaja e parë).
Kanë kaluar shumë vjet, por meqenëse ai vazhdimisht i përsëriste, më duket sikur edhe sot e dëgjoj duke thënë me dëshpërim dhe revoltim: “Si mund ta vriste shtabi i Brigadës së V-të pa pyetur Qendrën?! Si mund ta vrisnin për një çështje që më përkiste vetëm mua dhe asaj? Nuk ka fare rëndësi e donte apo nuk e donte Zahon?! Nëse ajo s’donte të ishte ma gruaja e jeme po donte të martohesh me atë që dashuronte, kjo ishte e drejta e saj. Mos jemi në kohën e Sulltanit, gruaja është skllave? Divorce ka pasur dhe do të ketë. Si mund ta vrisnin Ramizenë pse dashuronte një shok tjetër? Ku asht këtu “çthurrja morale”, “shkelja e moralit proletar”? Kjo është me lujt mendsh”. Sa herë kur ecte nëpër dhomë duke pirë cigare, befas ndalte dhe pyeste: “Pse e vranë, si mundet shtabi i Brigadës së V-të ta vriste pa pyetur Qendrën”?
Që atë ditë Nakua tha “Ky është një krim, një krim politik”. Në letrën që i shkroi Enver Hoxhës, menjëherë porsa mori mandatën, (4 faqe të tëra vetëm për Ramizenë), megjithëse nuk mund të thoshte haptas ato që mendonte, ai e dënon vendimin që u dha dhe çdo lloj tjetër dënimi që mund të ishte më i drejtë. Ai thotë se “dënimi është shumë i rëndë, nuk është i drejtë, unë nuk e aprovoj, kjo ka qenë për mua një grusht shumë i rëndë, hidhërohem e ndjej një dhimbje të thellë”.
Janë disa letra që Nakua i shkruan Enver Hoxhës gjatë prillit të ’44-ës, se pastaj ai u largua për në Kongresin e Përmetit (F14, D 72 e 76), ku në të gjitha shkruan me shumë dhimbje për Ramizenë. Në letrën e 21.4.44 shkruan: “Kanë ardhur njerëzit e Interesantit [Ramizesë]. Shumë më thojnë. Janë të dëshpëruar, jo vetëm për vdekjen por dhe për mënyrën. Kërkojnë shpjegime, thojnë se nuk duhet të bëhesh një gja e tillë; na e morët të vogël; punoji sa u lodh, u këput; nuk dijshim se ku ishte, nuk mendonte për ne fare, vetëm për juve (Partinë); tani ta vritni kështu; duhet ta falshit. Dhe këtu fillojnë lotët dhe vajtimet”. Në fakt këto janë fjalët e vetë Nakos, që shprehin dëshpërimin e tij të thellë.
Në atë kohë, megjithëse nuk fliste haptas me ne, Nako mendonte se vrasja e Ramizesë ishte e lidhur me një vijë politike sektare, të egër, terroriste, që pastaj u kritikua shumë ashpër në plenumin e II të K.Q, nëntor 1944. Në letrën e 15.4.44 i shkruan Enverit kundër sektarizmit dhe shton: “Disa vrasje aksidentale nuk më kanë pëlqyer; në Brigadën e III-të, Taqi Besho drejtues i rinisë, vritet aksidentalisht nga një partizan; Zenel Baboçi, sekretar politik i rinisë së Beratit, po ashtu; gjithashtu dhe nja dy të tjerë”. Shpirti i tij fisnik shqetësohet edhe për Zahon: “Asht hap fjala se Zaho Koka asht vra ose pushkatue kur shkonte nga një vend në një tjetër. është e vërtetë? Nëse po, për çfarë arsyeje?”
Në Kongresin e I të Rinisë Antifashiste afër Helmësit, Nakua mbajti një leksion shumë të rëndësishëm mbi moralin, duke e trajtuar në tërë kompleksin si një intelektual me horizont të gjerë. Fatkeqësisht, ai foli me disa shënime që nuk janë ruajtur, kurse shënimet e disa delegatëve janë shumë të mangëta. Më kujtohen disa çështje. Ai sqaroi konceptin mbi moralin si një çështje shumë e gjerë, dhe jo të reduktohet në marrëdhëniet dashurore, seksuale. I dha shumë rëndësi luftës kundër fanatizmit e zakoneve prapanike, që pengojnë sidomos të rejat të gëzojnë jetën, të jenë të lira dhe të kenë të drejta të barabarta. Dashuria nuk është mëkat e çnderim, por ndjenjë e bukur dhe e pastër, baza e shëndoshë e martesës dhe familjes. ç’është amoraliteti dhe imoraliteti? Ne s’jemi kundër dashurisë së pastër por kundër shthurjes dhe prostitucionit. U dënua si e padrejtë vrasja e Ramizesë. Ata që jetojnë e dinë se ky leksion bëri bujë të madhe, kur delegatët u shpërndanë në repartet partizane e në të katër anët e vendit. Kur u çlirua Shqipëria dhe Nak­­­ua erdhi në Tiranë, menjëherë mori disa shokë (Alqin, Fadilin, mua, ndofta dhe të tjerë që s’i mbaj mend) dhe vajtëm për vizitë në familjen e Qemal Stafës dhe të Ramizesë. Vazhdimisht dërgonte makinën dhe merrte nënën e Ramizesë, kurse Behari, nipi i vogël i Ramizesë, ishte mysafir i përditshëm në Sekretariatin e Rinisë. Edhe unë u lidha shumë me nënë Safijen, ajo vinte vazhdimisht në shtëpinë time, u miqësua shumë me nënën dhe gjyshen time, shpesh rrinte për drekë dhe për darkë. Në pranverë të 1945-ës, Nakua organizoi marrjen e eshtrave të Ramizesë dhe shkoi edhe vetë në Ramicë. Rivarrosja e saj në Tiranë u bë me ceremoni e nderime, duke u angazhuar gjithë organizata e Rinisë.
Nako Spirua u përpoq me këmbëngulje të merrte aprovimin e udhëheqjes dhe pastaj të zhvillohej Gjyqi i Lartë Ushtarak, i cili mori vendim në janar 1947 për ta quajtur të padrejtë vendimin për vrasjen e Ramizesë dhe e shpalli atë dëshmore. Nakua u përpoq që për Ramizenë të botoheshin artikuj në gazetat e kohës, të dekorohej etj.
(GSH/BalkanWeb)