Gjykata e Tiranës vendosi dje lirimin e Arben Isufajt i akuzuar për vrasjen e Pirro Koçiut për hakmarrje në vitin 2001





Provat që mbanin në burg të pandehurin janë cilësuar nga Gjykata si të pavlefshme





TIRANË- Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, nuk iu deshën më tepër se tri seanca gjyqësore për t'i dhënë lirinë Arben Isufajt, duke qenë se prova kryesore që e mbante në burg atë u zhvlerësua nga trupi gjykues.





Gjykata u bind se procedurat hetimore të ndjekura nga institucioni i akuzës në ngarkim të Arben Isufajt i njohur ndryshe si "Ben Qimja", janë të pavlefshme dhe cenojnë rëndë të drejtat themelore të njeriut. Kjo bindje e togave të zeza, ka bërë që i akuzuari për vrasjen e Pirro Koçiut i njohur edhe si i "forti i Fierit" të lërë qelinë e paraburgimit "Jordan Misja" pasditen e djeshme, duke u kthyer pranë familjes pas 12 muajve izolim.





Sipas dispozitivit të vendimit të treshes gjykuese të kryesuar nga Fatmira Hajdari që u dha dje pas parashtrimit të kërkesave paraprake, Isufaj është mbajtur i izoluar në qelitë e burgut duke shkelur haptazi Kushtetutën, Konventën Evropiane "Për Mbrojtjen e të Drejtave Themelore të Njeriut" dhe gjashtë nene të Kodit të Procedurës Penale.





"Gjykata, pasi u këshillua në dhomën përkatëse vendosi të pranonte kërkesën e të pandehurit të parashtruar nga avokati i tij mbrojtës, për shpalljen si absolutisht të pavlefshme, të të gjitha akteve të marra nga organi i akuzës pas datës 31 janar 2006, ditë kur është marrë edhe vendimi i pushimit të akuzës ndaj tij, si dhe vendimi "për rifillimin e hetimeve" të datës 1 tetor 2007 nga ana e Prokurorisë, në lidhje me procedimin penal me nr. 1536 të vitit 2002 në ngarkim të Arben Isufaj, si dhe të gjitha aktet e mëparshme që kanë ardhur pas këtyre akteve. Pushohet gjykimi i çështjes penale me nr. 1178 akti të datës 21 prill 2009, për shkak se ky gjykim nuk mund të vazhdojë.





Heqjen e masës së sigurimit të vendosur me vendimin e datës 25 korrik 2008 që mban nr. 638\1 akti, duke urdhëruar lirimin e menjëhershëm të shtetasit Arben Isufaj nga paraburgimi nëse ndaj tij nuk ka ndonjë dënim apo procedim tjetër penal ose masë sigurisë "arrest me burg".





Kundër këtij vendimi lejohet ankim, sipas ligjit brenda 10 ditëve në Gjykatën e Apelit në Tiranë, duke filluar ky afat nga e nesërmja e shpalljes së tij"-thuhet në diapozitivin e vendimit të lexuar nga kryesuesja e togave të zeza, gjyqtarja Fatmira Hajdari.





Gjithashtu, mësohet se treshja gjykuese e kësaj gjykate, e ka cilësuar vendimin e rifillimit të hetimeve si një shkelje e rëndë e nenit 114\1, duke i kërkuar Gjykatës së Lartë t'i japë drejtim kësaj dosje, pasi vetëm ajo ka juridiksionin rishikues, pasi me vendim të kësaj gjykate Isufaj është liruar nga akuzat.





Si dhe veprimet hetimore dhe izolimi i shtetasit Arben Isufaj në qelit e paraburgimit për 12 muaj përbën një shkelje të rëndë të Konventën Evropiane "Për Mbrojtjen e të Drejtave Themelore të Njeriut".





Ndërkohë, edhe veprimet hetimore të kryerjes së akt-ekspertimit daktilografi të kryer në Angli, sipas gjykatës, është i pavlefshëm pasi ai datat e kryerjes dhe dërgimit të letër-porosisë për bërjen e kësaj analize nuk përputhen.





Sipas prokurorisë, shtetasi Arben Isufaj ka kryer veprën penale të "vrasjes me paramendim" të kryer në bashkëpunim me Fatlum Kadiun ndaj shtetasit Pirro Koçiu, dhe akuza e "mbajtjes pa leje të armëve luftarake". Mësohet se vrasja e tij ka ndodhur pasditen e 12 gushtit të vitit 2002 në rrugën "Him Kolli" në kryeqytet.





Ky krim, sipas kërkesës për gjykim që tashmë u shpall e pavlefshme, ka ndodhur pasi dyshohej se shtetasi Pirro Koçiu disa vite më parë i ka vrarë të pandehurit babanë e tij në qytetin e Fierit.