Lehtësirat që përfitojnë ata në procesin e dëmshpërblimit. Çndodh në rastet kur jetojnë vetëm trashëgimtarët e tyre


Laureta Rryçi



Tiranë - Diktatura përndoqi me burgim rreth 1370 persona. Kjo është shifra zyrtare që njihet edhe sot nga institucionet shtetërore si të përndjekurit e dënuar me burgim. Gazeta “Albania” ka mundur të sigurojë një listë me emrat e të burgosurve në diktaturë dhe do t’i botojë ato në numrin e sotëm dhe të nesërm. Personat që janë të listuar më poshtë, për shkak se njihet zyrtarisht përndjekja e tyre, e kanë më të lehtë të kalojnë me sukses fazën e shqyrtimit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Sidomos në rastet kur i përndjekuri vazhdon të jetojë akoma. Por, edhe në rastet kur i përndjekuri ka vdekur, janë trashëgimtarët që do t’i përfitojnë këto lehtësira. Sipas ligjit për dëmshpërblim, çdo i dënuar politik, për çdo ditë vuajtjeje dënimi të kryer në burg, nga data 30.11.1944 deri më 1.10.1991, dëmshpërblehet financiarisht në masën 2 000 (dy mijë) lekë në ditë. Sipas të njëjtit ligj, kur kërkesa mbërrin në Ministrinë e Drejtësisë për dëmshpërblim, pas regjistrimit të kërkesës, këtij dikasteri i lind përgjegjësia të hapë dosjen individuale dhe brenda 10 ditëve vepron si më poshtë: Kur nga shqyrtimi paraprak vëren se kërkesa nuk shoqërohet me dokument provues, e njofton kërkuesin për të plotësuar dokumentet duke i dhënë informacion për zyrën shtetërore se ku mund t’i gjejë këto dokumente. Kur nga shqyrtimi paraprak provon se i dënuari politik nuk është gjallë dhe kërkesa nuk kryhet nga rrethi i familjarëve, të përcaktuar në këtë ligj, i dërgon njoftim negativ dërguesit në adresën e tij. Aktualisht Ministria e Drejtësisë mësohet se po përzgjedh listën e dytë përfituese të këstit të parë për dëmshpërblim. Burime pranë këtij institucioni shpjeguan se këtë herë lista e përfituesve do të jetë sa trefishi i listës së parë.





18 Qershor 2009