Të tjera rreth shkrimit Lista, reagon Braçe e Malaj PD- PS lufta për emrat, lista paraprake





TIRANE - Listat paraprake për kandidimin e deputetëve në zona të ndryshme elektorale, qoftë për PS, PD, LSI apo dhe partitë e tjera, janë kthyer në debatet kryesore mes politikanëve në Kuvend. Duket se në ditët e fundit, para shpalljes së listave zyrtare nga partitë për kandidatët e ardhshëm për deputetë, kjo temë ka rritur frymën debatuese, edhe pse jashtë diskutimeve për projekligjet që kanë në rend të ditës, deputetët përherë dhe më shumë flasin për emra deputetësh. Një gjë e tillë u vu re edhe në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, e cila u kthye në një “arenë” diskutimesh dhe debatesh mes deputetëve përsa i përket kandidimit të tyre në zonat të ndryshme elektorale, apo shpesh dhe largimit të tyre nga një zonë në një tjetër për të kandiduar dhe për të marrë votat si deputetë të ardhshëm në Parlament. Por ndërkohë që shumica e tyre shmangin çdo bisedë të mundshme lidhur me qëndrimet personale politike përsa i përket emrave të parë që janë zyrtarizuar se ku do të kandidojnë, si padashje nuk i shpetojnë dot bisedave me njëri-tjetrin (edhe pse off record, pa mikrofon) se mbështesin teoritë e kolegëve të paktë që gjejnë guximin për të shprehur një qëndrim lidhur me atë çfarë është kthyer në temë kryesore për këdo, mundësinë e koalicioneve mes partive të mëdha apo dhe emrave të parë të lakuar për deputetë. Kohët e fundit lakohet nga të djathtët se një mundësi bashkëqeverisjeje me PS pas zgjedhjeve, nuk është tabu. Ky qëndrim, që pak ditë më parë u shpreh nga deputeti demokrat, Sherefedin Shehu, mbështet parimisht edhe nga kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Jemin Gjana. Edhe me një koment të shkurtër, Gjana tha dje pas mbledhjes së këtij komisioni, se i qëndron parimit të kolegut të tij Shehu, duken iu drejtuar deputetit Selami Xhepa. “Jemi me parimin e Sheferedinit, apo jo Selami”, tha Gjana. Një gjë e tillë për demokratët mund të shikohet si mundësia e vetme ndoshta për të qëndruar sërish në pushtet, por këtë herë me të majtët në bashkëqeverisje. Por ideja tjetër e hedhur nga deputeti Shehu, ishte dhe ajo e pranimit të çdo rezultati, por që të djathtët shpresojnë shumë për një fitore, madje edhe me 75 mandate deputetësh. “Pranojmë çdo rezultat nga zgjedhjet, jemi mësuar edhe me humbje”, komentoi Xhepa dje mes kolgëve në komision. Ndryshe nga herët e tjera, mbledhja e djeshme u karakterizua nga një frymë pozitive mes palëve, ku që në fillim të mbledhjes, deputeti i PS, Hazir Gashi u ul pranë anëtarëve të djathtë në komision, ku diskutonin hapur për listat paraprake zgjedhore dhe rrezikut apo bindjes së plotë se ata mund të kandidohen sërish për deputet.

BATUTAT

Hazir Gashi: Shalsi edhe dy muaj u kanë mbetur këtyre.
Shalsi: E dinë vetë këta se çfarë po i pret... (qesh)
Gjana: Pse, çfarë do bëni ju pas këtyre? Apo po praktikoheni që tani për të ardhur në pushtet? Mos u gëzoni para kohe.
Shalsi-Banos: Ilir si ju shkoi takimi me fermerët e Lushnjes se mora vesh që një qytetare ishte shprehur Berishës se: “mirë që erdhe o doktor, se PD në Lushnje ka shumë probleme”.
Bano: Jo, në të vërtetë ishte takim që shkoi shumë mirë, madje dhe ata banorët dhe fermerët që bënë pyetje, morën përgjigjet.
Shalsi: Madje dëgjova që Berisha pas mbledhjes së grupit kishte mbledhur një grup ekspertësh për akzicën e naftës, ku u kishte thënë se duhet që me patjetër të gjenin një formulë për akizën e naftës që të zbatohej menjëherë para zgjedhjeve.
Gjana: Po formula është e pamundur që të ruhet një e tillë, ajo ndryshon. Ne kemi shembuj plotë për këtë, ja shikoni Italinë. Është e pakontrollueshme.

REAGIMI

“Rebelohet” Gjana:  S’më tund dot nga themelet MJAFT

Kur pritej që mbledhja e djeshme të fillonte me shqyrtimin dhe diskutimin e pr.ligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në ndryshimet e neneve të marrëveshjes së themelimit të bankës së Detit të Zi për tregëti dhe Zhvillim, kjo mbledhje nisi me një debat lidhur me raportin e fundit të publikuar nga MJAFT. Raport ky, që e cilësonte këtë komision se shpesh herë kishte shkelur Rregulloren e Parlamentit ku ka filluar mbledhjet si dhe ka miratuar pr.ligjet pa kuorumin e duhur të deputetëve. “Ju që punoni me taksat e shqiptarëve, mos bëni gabime të tilla ordinere dhe mos shpifni kot për veprimtarinë e këtij komisioni që drejtoj unë. Nuk më tundni dot nga themelet ju dhe askush tjetër. Ne nuk shpifim për ju, ndaj ju kërkoj që ju të mos shpifni për ne”, ishin këto fjalët e kryetarit të këtij komisioni, Jemin Gjana drejtuar përfaqësueses së organizatës MJAFT, e cila nuk ktheu asnjë përgjigje. Ndërkohë që ai vijoi edhe më tej duke kërkuar llogari përfaqësueses,(e cila për hir të së vërtetës është e re në këtë organizatë) se pse është konsideruar ky komision që ai drejton si një komision që nuk zbaton Rregulloren e Kuvendit. “Ju kërkoj që të mos djallëzoheni me njëri-tjetrin. Mos mbushni gazetat me lajme dhe mashtrime e shpifje çdo muaj”, u shpreh Gjana. Kjo hapje mbledhje tërhoqi edhe vëmendjen e gjithë deputetëve të pranishëm në komision. Më pas mbledhja vijoi normalisht, ku u diskutua lidhur me përfitimet apo dhe humbjet që ka vendi ynë nga ky projektligj, nga marrëveshja e së cilës Shqipëria ka përfituar financimin e plot 8 projekte publike.