Në Shqipëri figurojnë zyrtarisht 5780 shtetas me moshë mbi 100 vjeç. Lista e zgjedhësve për vitin 2009 ka përcaktuar edhe personat që deri më 28 qershor mbushin këtë moshë. Në dokumentin e Ministrisë së Brendshme është kryer edhe ndarja e këtij numri në të 12 qarqet e vendit. Konkretisht, në vend të parë është Qarku i Gjirokastrës, ku ndodhen 1280 persona mbi këtë moshë dhe pas tij vjen Qarku i Korçës, ku ndodhen 1206 shtetas. Në Qarkun e Vlorës janë 780 persona, në Qarkun e Tiranës 701, ndërsa në Shkodër ndodhen 368 shtetas. Po sipas kësaj liste, në Qarkun e Kukësit janë 347 persona, në Durrës 249, në Fier 228, në Qarkun e Elbasanit janë 174. Këtë renditje e mbyllin tri qarqet me numrin më të vogël të shtetasve mbi 100 vjeç. Përkatësisht janë 156 shtetas në Dibër, 148 në Berat dhe 143 në Lezhë. Këta persona rezultojnë të lindur në apo para datës 28 qershor 1909. Për kategorinë e këtyre shtetasve në draftin e propozuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile, në kuadër të ligjit të ri të gjendjes civile, parashikohet fillimi i një procedure administrative për çregjistrimin e tyre nga Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile. Për më shumë është parashikuar që shërbimi i gjendjes civile, kur ka të dhëna se persona të vdekur vazhdojnë të qëndrojnë të regjistruar në regjistrin themeltar dhe Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, mund të ngrejë padi në gjykatë, për të vërtetuar vdekjen. Sipas të dhënave të deritanishme, numrin më të madh të votuesve pa pasaportë e ka Qarku i Tiranës, ndërsa më të voglin ai i Gjirokastrës. Ministria e Punëve të Brendshme ka hartuar grafikun e shpërndarjes së 729 710 personave që s‘kanë pasaportë dhe që përbëjnë kontingjentin e parë për pajisjen me përparësi, në mënyrë të detyrueshme me karta identiteti. Kanë rezultuar 164 259 votues pa pasaporta në Qarkun e Tiranës, që përbën numrin më të madh. Qarku i Fierit rezulton të ketë në total 80 980 votues pa pasaporta, Qarku i Elbasanit ka 79 426 të tillë. Në grafikun e përgatitur nga Ministria e Brendshme në Qarkun e Durrësit figurojnë 70 426 votues pa pasaporta, në Qarkun e Shkodrës janë 62 717 votues dhe në Qarkun e Korçës figurojnë 51 325 votues të tillë pa pasaportë. Sipas listës, në renditje vjen Qarku i Dibrës me 48 660 persona të papajisur me pasaporta, Qarku i Vlorës ka 42 198 votues të tillë. Katër qarqet e fundit që mbyllin këtë listë janë ai i Lezhës me 39 910 persona, Qarku i Beratit me 37 934, Qarku i Kukësit me 34 229 dhe Qarku i Gjirokastrës me 17 515 votues pa pasaportë.



Tabela



Qarku Numri





Berat 148



Dibër 156



Durrës 249



Elbasan 174



Fier 228



Gjirokastër 1280



Korçë 1206



Kukës 347



Lezhë 143



Shkodër 368



Tiranë 701



Vlorë 780



Totali 5780