Nga dita e djeshme, të gjitha listat e zgjedhësve, të gjeneruara në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, online apo në aplikimin elektronik, u janë dërguar të gjitha njësive vendore për t’ua bërë publike më pas shtetasve shqiptarë.

TIRANE - Në faqen e internetit të Ministrisë së Brendshme tashmë është vendosur lista e zgjedhësve të Republikës së Shqipërisë, ku për secilin zgjedhës përcaktohet adresa e saktë dhe qendra e votimit.
Kjo paraqitje është parashikuar në Kodin Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë dhe është në përputhje me udhëzimin e Ministrit të Brendshëm, që parashikon se listat e zgjedhësve duhet të dalin në një lidhje të  veçantë në faqen e internetit të Ministrisë së Brendshme.
Gjatë një komunikimi me median për këtë çështje, zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni u shpreh se të gjithë qytetarët e interesuar tashmë kanë mundësinë që nëpërmjet kësaj faqeje të mund të gjejnë emrin e tyre me një klikim në listën e zgjedhësve në internet.
“Nxjerrja e listave në faqen e internetit të Ministrisë së Brendshme në kohë dhe kaq saktësisht është një ndihmë e madhe dhe një tjetër plotësim i standardeve të kërkuara nga Kodi Zgjedhor për zgjedhjet që shqiptarët i presin aq shumë të jenë të standardeve të larta, duke garantuar njëkohësisht se këto zgjedhje do të jenë të tilla, çka përbën edhe një hap tjetër drejt integrimit të Shqipërisë në strukturat euro- atlantike.
Në listat e afishuara në këtë faqe shtetasit do të mund të gjejnë adresën zgjedhore, qendrën e votimit ku do të votojnë si dhe njësinë përkatëse, mjafton të bëjnë disa veprime të thjeshta dhe të shpejta, falë edhe teknologjisë së përdorur. Të gjitha listat e gjeneruara, tashmë janë në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, on-line apo në aplikimin  elektronik që u është dërguar të gjitha njësive dhe presim që duke filluar nga data e 6 mars ka filluar publikimi i tyre dhe më pas njoftimi i shtetasve, po në format elektronik të standardeve të larta. Kjo listë duke filluar që nga dje është e vlefshme edhe për Komisionin Zgjedhor Qendror”, u shpreh zëvendësministri i Brendshëm Ferdinand Poni, duke theksuar ndërkohë se në më pak se një minutë, është plotësuar një kërkesë shumë e rëndësishme.
Në vazhdën e plotësimit hap pas hapi dhe në mënyrë të konsoliduar të infrastrukturës zgjedhore, zëvendësministri Poni u kërkoi me këtë rast edhe njësive vendore dhe të zgjedhurve vendorë që të bëjnë lajmërimin e shtetasve.

...