25/03/2009  Kategorizimi i skemës sipas përfitimeve maksimale dhe minimale


Pensioni i plotë mujor i pleqërisë gjendet duke mbledhur masën e pensionit bazë me shtesat e veçanta


Lindja e së drejtës për llogaritjen e masës së pensionit bëhet vetëm për ato kategori që kanë plotësuar kriteret e përfitimit (që kanë të bëjnë me kontributet e derdhura në harkun kohor të caktuar, si dhe arritjen e kufirit të caktuar moshë). Bazuar në ligjin aktual të sigurimeve shoqërore, pensioni mujor i pleqërisë llogaritet sipas formulës bazë, që është (Pp = Mpb + Sh ). Konkretisht, ekspertët e ISSH-së sqarojnë se pensioni i plotë mujor i pleqërisë (Pp) gjendet duke mbledhur masën e pensionit bazë që u jepet të gjithë personave të siguruar (duhet të sigurojë një standard minimum jetese) me shtesat e veçanta që jepen mbi pensionin bazë.


Formula


Komponenti i parë, masa e pensionit bazë (Mpb) ndryshohet çdo vit, duke u korrigjuar sipas indeksit të çmimeve të disa mallrave të përzgjedhura, siç parashikohet në rregulloren e ISSH-se, masë e cila përcaktohet çdo vit me vendim të posaçëm të Këshillit të Ministrave. Masa aktuale e këtij përfitimi është 9515 lekë në muaj. Ndërsa me rritjen e parashikuar për në muajin maj kjo masë do të arrijë në kufirin e 10466 lekë në muaj. Ekspertët tregojnë se ka një historik të zhvillimit të masës bazë të përfitimit të pensionit, që fillon me pensionin minimal të vitit 1991 dhe me rritjet që janë bërë vit pas viti sipas një politike të përafrimit me minimumin jetik të llogaritur. Komponenti i dytë (Sh), shtesa mbi pensionin bazë, llogaritet në mënyrë individuale. Ndërkohë varet nga madhësia dhe zgjatja e periudhës kontributeve dhe është 1 për qind për çdo vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme (paga mbi të cilën janë paguar kontributet). Këshilli i Ministrave miraton çdo vit koeficientin e indeksimit të bazës së vlerësueshme, duke përdorur shkallën e rritjes së kontributeve mesatare individuale të vitit përkatës me atë të vitit paraardhës. Aktualisht baza mesatare e vlerësueshme llogaritet si mesatare e pagave që ka marrë i punësuari gjatë gjithë viteve të punës dhe mbi të cilat janë paguar kontribute. Duke qenë se përpara vitit 1994 nuk ka të dhëna për pagat individuale, për efekt të llogaritjes së bazës mesatare të vlerësuar llogaritjet bëhen në bazë të pagave referuese të përcaktuara nga KM, që i përgjigjen llojit të punës apo profesionit të dokumentuar në regjistrat themeltarë dhe në librezën e punës të punonjësit.


Ndarja


Pensioni i pleqërisë ka kufijtë e vet minimal dhe maksimal. Pensioni minimal përcaktohet çdo vit nga vendimet që nxjerr Këshilli i Ministrave. Pensioni maksimal është sa dyfishi i pensionit minimal. Gjithashtu pensioni i pleqërisë nuk mund të jetë më i lartë së 75 për qind e pagës mesatare neto të indeksuar të tre vjet rresht në dhjetë vitet e fundit të punës. (Pp = Paga neto x 75 për qind ). Kjo presupozon dhe një shkallë zëvendësimi të pagës në kohën e pensionimit. Llogaritjet e pensioneve ndahen sipas llojit të masës së përfitimit që merr individi që bën pjesë në skemën e pensioneve. Ndërsa rritjet që qeveria realizon çdo vit zbatohen për të gjitha kategoritë e pensionistëve.


Dokumentet për pension pleqërie:


Mosha


Certifikatë lindjeje me fotografi.


Certifikatë e gjendjes familjare.


Kur kërkohet pension si nënë me shumë fëmijë dhe në certifikatën familjare nuk figurojnë të gjithë fëmijët, fakti i lindjes, martesës apo vdekjes së tyre provohet me certifikatë të veçantë lindjeje, martese ose vdekjeje.


Periudha e sigurimit dhe lloji i punës


Librezë pune ose vërtetim arkivi.


Vërtetim për vjetërsinë në punë dhe llojin e saj.


Vërtetim për periudhën e sigurimit, lëshuar nga zyra e arkivit pranë drejtorisë rajonale të ISSH-së.


Vërtetim i vjetërsisë në punë në kooperativë bujqësore për ish-anëtarët e saj.


Vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë.


Vërtetim nga dega ushtarake për periudhën e shërbimit të detyrueshëm ushtarak. Për personat që përfitojnë nga ligji nr. 7514 datë 30.09.1991 “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish-të dënuarve dhe të përndjekurve politikë.


Për të ardhurat


Vërtetim page që nga viti 1994 e në vazhdim.


Vërtetim tip nga kontributet për të vetëpunësuarit.


Vërtetim toke në kadastër.


Vërtetim shkolle për fëmijët nga 16-18 vjeç, si dhe vërtetim shkolle për studentët deri në moshën 25 vjeç.


Vërtetim nga komuna për ndihmë ekonomike.


Vërtetim nga tatim-taksat.


Deklaratë.


Skema e rritjes që do aplikohet në maj 2009


Të ardhurat minimale për pensionin e plotë të qytetit:


Ishte: 9515 lekë + 350 + 150 + 500 + 760 = 11275 lekë


Bëhet: 10466 lekë + 350 + 150 + 500 + 760 = 12226 lekë


Të ardhurat maksimale për pensionin e plotë të qytetit:


Ishte: 19030 lekë + 350 + 150 = 19530 lekë


Bëhet: 20933 leke + 350 + 150 = 21433 lekë


Të ardhurat e pensionit të plotë të fshatit:


Ishte: 5200 + 200 + 690 = 6090 lekë


Bëhet: 6240 + 200 + 690 = 7139 lekë