Dash Frashëri- Të martën Lorik Cana shënoi golin e tij të parë në Ligën e Kampioneve, kundër një gjiganti si Liverpuli, pesë herë kampion i Europës. Një gol që e festoi, duke u treguar tifozëve të Marsejës pikërisht krahun ku ka një tatuazh të madh me shqiponjën dy krenare. Tregojnë krenarinë që kam për vendin tim. Kam qejf që t'i shoh në trupin tim, që të mos harroj edhe se jam shqiptar. Por kapiteni i Marsejës është më shumë se një futbollist. Është një ambasador. I UNDP-së, ashtu si Ronaldo, Zidan e Maldini. Por dhe i Shqipërisë e Kosovës në botën e futbollit. Dhe një një lider i përfaqësueses shqiptare, pa dyshim ka një botë të pasur. 24 orë të mbushura me ritëm. Midis "sferës së lëkurtë" e "librave të historisë". "Më janë bërë shumë, - thotë Loriku per Albania-sport.com gjatë një rrëfimi në 360 gradë. Cana thirret në Francë me nofkën "Le Guerrier" (Luftëtari). "Është një gjë që më shkon shumë"...
Lorik Cana, le ta fillojmë nga Paris Sën Zhermeni, klubi i famshëm i kryeqytetit francez. I mbërritur nga Lozana e Zvicrës, ku familja juaj emigroi si azilant politik pas ngjarjeve të dhunshme në Kosovë. Nga Brazili te PSG në vitin 2001 vjen Ronaldinjo. C'raporte patët yllin brazilian nga Porto Alegro?
- Kanë qenë thuajse perfekte. Kur Ronaldinjo (19 vjecar) mbëriti për mua ishte viti i dytë që isha te Paris Sën Zhermeni, kështu që ndihesha në Paris si në shtëpinë time, e kisha filluar edhe stërvitjen me skuadrën e parë, pavarësisht se isha 17-vjecar.
Një shqiptar me një brazilian. Sa shpejt mund të lidhet një miqësi?
Të dy patëm një ndjenjë afrimi miqësi me të, ndoshta edhe nga mosha e përafërt, por edhe për faktin se të dy ishim të huaj. Ronaldinjo dinte vetëm pak fjalë frëngjisht e të dy jemi marrë vesh italisht. Dua të them se edhe unë flisja pak italisht. Kemi pasur një marrëdhënie që u forcua dita ditës gjatë 2 vjet e gjysmë që ishim te PSg-ja. Madje, u bëmë kaq miq sa ishim të tillë dhe jashtë fushe. Luanim "play-station" bashkë e lojëra të tjera.
Ronaldinjo dallohet për virtuozitetin e tij, ndërsa ju më shumë për anën fizike. A mësuat ndonjë gjë nga "El Gaucho"?
Po. Ka qenë shumë i thjeshtë si njeri e bënte vazhdimisht shaka. Në fushën e lojës kam mësuar shumë prej tij. Është një talent i jashtëzakonshëm dhe nga lojtarë të tillë mëson shumë. Dinjo kishte një teknikë dhe një goditje të "telekomanduar. Kishte një potencial që mund të bëhej një nga lojtarët më të mirë në botë.
Cana, 20 vjec fiton një emër jo pak të bujshëm të Paris Sën Zhermeni. Bie në sy, për me tepër djali i një futbollisti (Agim Cana). Sa ka ndikuar babai në formimin tënd?
- Sigurisht që po. Mbështetja e babait ka qenë e madhe. Prej tij kam trashëguar pasionin për futbollin. Është mësuesi im i parë. Këshillat e përhershme të tij janë dhe arsyeja kryesore e arritjes sime. Kam luajtur që 19-vjec në kampionatin francez. Të më besoni, që të luash në këtë moshë me një skuadër si Paris Sën Zhermeni ishte shumë e vështirë. Aty nisi edhe karriera ime e vërtetë si futbollist.
Si arriti djaloshi Cana të fitojë besimin e trajnerit Halilodxhixh?
Unë e kam filluar të luaj te PSG-ja me Luis Fernandesin. Ishte viti i dytë që luaja për ekipin e parë, në sezonin e parë kisha luajtur vetëm disa ndeshje. Për të qenë të vërtetën me ardhjen e trajnerit Haliloxhixh ekipi pati një fillim të vështirë, por fatmirësisht për mua ai më aktivizoi. Atëherë unë sapo isha kthyer me Kombëtaren shqiptare kundër Gjeorgjisë. Luajta me PSG-në si titullar e nuk e lëshova më vendin. Shfrytëzova rastin që m'u dha e që prej atij casti u shndërrova në një titullar të padiskutueshëm.
ilat janë emrat e mëdhenj me të cilët keni pasur marrëdhënie?
Ronaldinjon, të cilin e përmenda. Nikolas Anelka, sulmuesin aktual të Celsit. Kam pasur një raport shumë të mirë më të. Një super-shakaxhi. Ai mban shumë distancë me median e të tjerët, por me djemtë e rinj rrinte shumë e i donte. Shpesh herë ka ardhur në shtëpinë time dhe ka ngrënë gjellë karakteristike të gatuara nga gjyshja ime. Bënte shumë shaka me të.
Familja juaj jeton në Paris, ndërkohë që ju luani në ekstremin tjetër të Francës, në Marsejë. Si ia del ta përballojë jetën "beqari" Cana?
Është viti i katërt që jetoj vetëm. Kam disa njerëz që më ndihmojnë në menaxhimin e shtëpisë në jetën e përdidtshme. Nuk jam as i martuar e as i fejuar. Unë jam në lëvizje të përhershme, pasi ndeshjet ekipit janë të shpeshta, plus ato me Kombtaren. Më shumë jeta im kalon në udhëtim. Babai vjen shpesh të më shohë, por dhe nëna me motrën time. Gjithsesi edhe unë shkoj në Paris për t'i takuar.
Jetoni në një qytezë në periferi të Marsejës. Si sillet tifozeria franceze me shqiptarin Cana, si Lorik në rrugë e jo në fushë?
Kam zgjedhur të jetoj në atë qytezë së pari ka qenë për qetësinë, e pastaj për detin. Të luash në Marsejë e të dalësh në qytet kur të njohin e të ndalojnë mijëra fansa është një stres më vete. Të bezdisin jo pak, por është njëlloj e zjarrtë. Të mbështesin e tregojnë respekt. Duke qenë edhe kapiten, unë identifikohem edhe me ekipin. Atje vlerësohet shumë roli i kapitenit.
Cfarë emocionesh përjeton kur lexon në median franceze "Cana, international albanais" (Cana, ndërkombëtari shqiptar)?
Për të qenë i sinqertë, shumë njerëz nuk e kuptuan fillimisht se përse më thërrisnin kështu. Unë kisha mundësi të zgjidhja Kombëtaren e Francës, por me kohën kuptova se cfarë dashurie kam për kombin tim. Tashmë kur lexoj apo dëgjoj "internacional albanais" ndihem vërtet krenar. Nuk ka më bukur. Ka shumë rëndësi për mua.
Je kapiteni i klubit më popullor në Francë, të vetmit ekip francez që ka fituar Ligën e Kampioneve. Një përgjegjësi e madhe, por dhe një krenari. Si arritët të ishit kapiteni i Olimpikut?
Së pari kam treguar vlerat në fushë, me shpirtin tim luftarak, me lojën time dhe dashurinë që kam treguar për klubin. Me vitet që kam kaluar aty. Më mbështetjen e presidentit e të publikut. Të gjithë kanë qenë unanimë dhe nuk kanë pasur asnjë lloj dyshimi për këtë.
Bëni pjesë në një grupim ambasadorësh, të cilët vijnë nga futbolli. Një nderim jo i vogël.
Unë bashkëpunoj me Kombet e Bashkura, e saktësisht me UNDP-në, një organizatë për Programin e Zhvillimit të Kombeve të Bashkura. Më kanë kontaktuar direkt për të qenë ambasador për pjesën e Kosovës e për të sensibilizuar problemet që ka atje. Ambasadorë të përgjithshëm janë Ronaldo e Zidan. Didier Drogba është për Afrikën, ndërsa Ana Kurnikova është për Rusinë. Marr pjesë në mbledhje që bëhen dhe në ndeshjet humanitare që zhvillohen. Kam marrë pjesë në disa ndeshje të tilla.
Si e ndjeni veten midis këtyre yjeve?
Është fantastike. Ata të njohin dhe e dinë se nga cili vend je. Është shtruar ideja dhe besoj se do të realizohet që të luhet një ndeshje bamirësie në Kosovë, ku do të marrin pjesë edhe Ronaldo e Zinedin Zidan e shumë yje të tjerë. Kjo do të bëhet në bashkëpunim me UNDP-në e zyrën e saj të Gjenevës.
* * *
Bashkëpunëtor me gruan e kryeministrit Berisha
Lorik Cana është naktiv me fondacionin shqiptar "Domenico Scaglione", që drejtohet nga zonja Liri Berisha, gruaja e kryeministrit shqiptar. Por si lindi ky bashkëpunim? "Më kontaktuan nga fondacioni të bashkëpunojë me zonjën Liri Berisha e Lajlja Pernaskën. Kjo e fundit është edhe zëvendëspresidente fondacionit. Unë jam anëtar nderi. Jam i vetmi nga sportistët në këtë fondacion bamirësie për fëmijët. Kam pasur kënaqësinë për t'i ndihmuar me aq sa kam pasur mundësi. Një nga këto ka qenë iniciativa e nisur prej meje për të marrë 1 euro nga cdo biletë e shitur nga ndeshja më e madhe e vitit në Francë, ajo midis Marsejës e Lionit. Mblodhëm një shumë prej gati më shumë se 20 mijë eurosh. Këto ishin vetëm nga biletat që u shitën, pasi në stadiumin "Velodromë" më shumë se 40 mijë bileta janë abone. Këtë iniciativë do ta përsërisim cdo vit".
FAMA
Cana hyn te futbollistët më të famshëm shqiptarë, që luajnë jashtë Shqipërisë. Loriku luan në Francë, Tare, tashmë drejtor sportiv te Lacio e Altin Lala një legjendë te Hanover, janë gjithashtu emra të respektuar në Itali e Gjermani. Por sa influencon fama te Cana? "Mundohem të jem sa më i thjeshtë. Dua të mbetem gjithmomë vetja ime. Dëshiroj të jem ai i ditës së përditshme, të jem sa më afër njezërve. Duhet të jemi kështu".
MEDIA
Nuk ka ditë që në shtypin shqiptar dhe atë francez të mos ketë qoftë edhe një lajm me dy radhë për Lorikun. Për performancën e tij në ndeshje apo jashtë saj. Para një viti, gazeta më e madhe sportive franceze "L'Equipe" (Ekipi) i kushtoi një faqe të tërë. "Jam kapiteni i klubit më të madh francez dhe deklarimet thuajse janë të përditshme për gazetat e televizionet e ndryshme. Personalisht kam një raport shumë të mirë e profesional".
HISTORIA
"E gjitha lidhet me futbollin. Ndeshje në televizion, në DVD. Përgatitje për stërvitje e ndeshje, udhëtim. Interneti zë një vend të rëndësishëm. Librat gjithashtu. Lexoj shumë për historinë. Kam mbaruar shkollën e mesme, por kur të lë futbollin do të vazhdoj studimet e larta për histori. Mbeter për t'u parë nëse do t'i vazhdoj ato në Shqipëri, Kosovë apo në Francë. Dua të angazhohem për mbrojtjen e pasurisë historike e arkeologjike".
DHURATAT
Loriku është një futbollist që bën vazhdimisht dhurata. Së fundi i ka dhuruar komplete veshjesh përfaqësueses së Kosovës. "Janë gjëra shumë të vogla. Unë kam mundësinë për ta bërë dhe e bëj me shumë dëshirë, pasi kanë shumë nevojë. Atje ka shumë papunësi". Cana ka pasur një kontratë me shtëpinë e modës "Bikembergs". "Tashmë e kam mbaruar, por jam ende në kontratë me ‘Adidas'. Kam prej katër vjetësh me ta e kam dhe dy vjet kontratë".
TATUAZHET
Atëherë 20-vjecar, djaloshi Lorik Cana, në sezonin e tretë si profesionist te Paris Sën Zhermeni, "gdhendi" si tatuazh një shqiponjë në krahun e majtë. "Prej shtatë muajsh kam edhe një tatuazh të dytë, një përkrenare ilire dhe simbolizon mbretërinë dardane dhe e shkruajtur Dardania. Janë një gjë krejt personale. Tregojnë krenarinë që kam për vendin tim. Kam qejf që t'i shoh në trupin tim, që të mos harroj edhe se jam shqiptar" - thotë me krenari Loriku.
ZIDAN
Një nga futbollistët më të mëdhenj francezë, Zinedin Zidan, është nga Marseja. Cana e njeh nga afër atë. "E kam takuar disa herë qoftë në Marsejë, por kemi luajtur bashkë edhe në ndeshjet humanitare. Kemi shumë miq të përbashkët. Është njëri shumë i qetë. Në momentet intime bën edhe shaka. Është njeri shumë i hapur".
RIBERI
Loriku ka pasur një marrëdhënie të vecantë me Frank Riberinë, mesfushorin e Bajernit të Munihut "Riberinë e kam pasur goxha mik dhe vazhdoj akoma. Kam pasur një raport miqësie të madhe. Bën shaka. Madje ka ndërruar fenë dhe është bërë mysliman prej gruas. Tani e quajnë Bilal Riberi"
MAKINAT
Lorik ka ndërruar shumë makina. "Makina ime e parë ka qenë një Porshe, por dhe e fundit është një e tillë. Më pëlqejnë makinat e shpejta, pro dhe ato të forta e që bëjnë zhurmë. Pëlqej makinat sportive, sidomos ato gjermane. Po nga këngëtarët? Më pëlqen Xhastin Timbërlejk. Filmat? Pëlqej ato me aksion, por dhe komeditë"


Skeda
Lorik Cana
Datëlindja: 27.07.1983
Vendlindja: Gjakovë
Gjatësia:186 cm
Pesha: 86 kg
Roli: Mesfushor
Kombësia: Shqiptare
Nënshtetësia: Shqiptare, franceze dhe zvicerane
Karriera
- Lausanne Sports
- Paris Saint-Germain (2000-2005)
- Olimpik i Marsejës (nga 2005-2012)