Autori i Lajmit: Jakup Gjoça
Takim me Profesor Memushin pas 25 vjetësh



Është një nga suprizat e këndshme të jetës. Që , pas 25 vjetësh, të ritakohem me një nga profesorët e mi të Universitetit. E këndshmja është se ritakimi i ndërkohës 25 vjeçare ndodhi pikërisht në vendlindjen time. Në Gjirokastër, Profesori ynë i Botanikës, Luan Memushi mbetej në ndërgjegjen e sudentëve ( pa përjashtuar askënd) profesori i rreptë, por i drejtë dhe i barabartë për të gjithë, dhe njëkohësisht edhe shëmbëlltyrë për ne studentët në kërkimin e arritjeve të reja të shkencës të biologjisë shqiptare.

Personaliteti i njeriut e bën për të tjerët edhe politikën më të besueshme , dhe rrallë ndodh e kundërta. Që politika të bëj të besueshme te të tjerët personalitetin e njeriut. Pavarësisht, nëse je pro apo kundër politikisht në bindje me profesorin, prapëseprapë, ndërgjegjësimi i moralit të porfesor Luan Memushi në kujtesën e ish studentëve, të jep atë mirëbesim në fjalët e tij , atë mirëbesim të bindjeve të një personaliteti të shquar. Jakup Gjoça, Athinë



Intervistë nga Jakup Gjoça



Profesor,kontributi dhe përvoja juaj shkencore ju dha shumë. Edhe titujt më të lartë shkencorë. Mirëpo, politika, më duket kahu i kundërt i shkencës. Për ju, çfarë përfaqëson politika , meqë keni qenë edhe 12 vjet i zgjedhur i popullit në parlament, si edhe 4 vjet Ministër i Arësimit dhe i Shkencës ( 2002-2005 )?

Detyrimi im në kërkimet shkencore asnjëherë nuk është ndërprerë për shkak të angazhimit tim në politikë. Kam vazhduar të zhvilloj mësim në Universitetin e Tiranës dhe jam angazhuar sistematikisht për hartimin e teksteve shkollore e teksteve universitare, krahas botimeve të tjera në fushën e biologjisë, didaktikës dhe politikave arsimore.

Nga pozicioni i ministrit të Arsimit dhe Shkencës në vitin 2003 pata kënaqësinë të publikoj librin Reformimi i shkollës proces dhe strategji. Në këtë libër përgjithësohet filozofia e reformës arsimore në disa vende të botës, të cilat ashtu si edhe vendi ynë kanë ndryshuar sistemin politik e shoqëror në fund të viteve 90-të. Aty pasqyrohen edhe drejtimet e nevojshme të reformimit të sistemit tonë arsimor parauniversitar, të cilat më vonë, në bashkëpunim me Bankën Botërore u materializuan me Strategjinë Kombëtare të Zhvillimit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar të miratuar nga Këshilli i Ministrave në gusht të vitit 2004. Mbi bazën e kësaj strategjie, Shqipëria ka tani një arsim bazë të detyrueshëm 9 vjeçar dhe një arsim të mesëm të përgjithshëm (gjimnaz) 3 vjeçar, sikurse është edhe në pjesë të tjera të Ballkanit ku jetojnë shqiptarët, në Kosovë dhe në Malin e zi. Ky unifikim i sistemit tonë arsimor në pothuajse pjesën më të madhe të hapësirave shqiptare, përbën një ngjarje të madhe kombëtare për të sotmen dhe të ardhmen tonë.



Mundë të piketoni arritjet e shkollës e të arsimit shqiptar , në ndërkohën 2002-2005, kur ju ishit titullari politik i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës?

Anëtarësimi i Arsimit tonë të Lartë në Procesin e Bolonjës nga shtatori i vitit 2003, ngritja e Këshillit të Akreditimit të Arsimit të Lartë dhe përcaktimi standardeve të këtij akreditimi, përbëjnë disa nga kulmet e zhvillimeve pozitive në Arsimin tonë të Lartë. Edhe hapja e shumë drejtimeve të reja të studimit dhe e degëve të reja, sikurse ishte hapja e degëve të informatikës në pothuajse të gjitha universitetet, i hapi rrugë futjes më vonë të mësimit të saj nga klasa e shtatë e arsimit bazë e deri në universitet. Zhvillime për tu shënuar ka qenë edhe hapja e disa universiteteve private nga profesorët e shquar A. Luarasi, T. Shehu, G. Pashko, K. Çashku etj. Futja në Arsimin e Lartë e sistemit të krediteve dhe e suplementit të diplomës, përshtatja e sistemit të studimit dhe e kurrikulave sipas Kartës së Bolonjës, rritja e numrit të pranimeve në shkollat e larta nga 62% deri në 77% dhe në gusht 2005 deri në 100% të maturantëve të diplomuar, hapja e sistemit me kohë të pjesshme (part time) etj. janë gjithashtu zhvillime pozitive për këtë nivel arsimimi.

Zhvillimet në arsimin parauniversitar kanë qenë gjithashtu spektakolare.U vendos dhe filloi nga zbatimi sistemi i ri arsimor me arsimin fillor 5 vjeçar, me arsimin bazë të detyrueshëm 9 vjeçar. Ky proces u pasua nga hartimi i kurrikulave të reja, u hartuan dhe u vunë në veprim standardet e arritjes, u vu në veprim sistemi kombëtar i vlerësimit në arsim, u ngritën strukturat e inspektimit në arsim dhe u hartuan standardet e inspektimit. Strukturat drejtuese të drejtimit të arsimit u riorganizuan me sektorë inspektimi e trajnim-kualifikimi në qarqe dhe me sektorë administrimi ekonomik e metodik në nënprefektura. U hap kursi për drejtues në shkolla, u ngrit Qendra e Kualifikimit të Mësuesve, u ngrit Instituti i Kurrikulave, u vendosën standardet lëndore etj. Numri i nxënësve që mbaronin arsimin bazë 8 vjeçar dhe regjistroheshin në shkollat e mesme u rrit nga rreth 64% që ishte në vitin 2002, deri në 79% në vitin 2005. Në këto vite filloi zbatimi i projektit të futjes së sistemit të teksteve alternative me konkurs për klasën e parë, klasën e dytë dhe klasën e gjashtë. Ky sistem vazhdoi në vite edhe për klasat e tjera pasardhëse. Tekstet shkollore u dhanë në përdorim falas për të gjithë nxënësit e arsimit bazë për rreth 3 vite të qeverisjes sonë. Hapa të rëndësishme u hodhën për decentralizimin në arsim. U fut mësimi i gjuhës shqipe në shkollat e mesme, mësimi i informatikës u shtri në të katër vitet e shkollimit të arsimit të mesëm. Pjesa më e madhe e shkollave e arsimit bazë dhe të arsimit të mesëm u pajisën me kabinete fizike, me kabinete kimie dhe kabinete biologjie. Shkollat e arsimit të mesëm profesional u pajisën të gjitha me kabinete informatike. Po kështu, me këto kabinete u pajisën edhe shkollat e mesme të përgjithshme në mjaft qytete të vendit, si Tirana, Tropoja, Tepelena, Delvina, Erseka, Berati etj. U bë informatizimi i sekretarive shkollore dhe i dokumentacionit të tyre për të gjitha shkollat e mesme.

Ndërtimi dhe rikonstruksioni i disa qindra godinave shkollore dhe universitare ka qenë një tjetër zhvillim pozitiv i arsimit në këto vite.



Si e vlerësoni ju politikisht ecurinë e shkollës dhe të arsimit në Shqipëri në vitet 2005-2009?

Reformimi i decentralizimit në arsim jo vetëm nuk u thellua, por pësoi regres. Sistemi i inspektimit dhe i kualifikimit të mësuesve nuk u krye sipas studimit që e kërkonte kurrikulat e reja. Nuk u bë vlerësimi sistemit kombëtar të arsimit dhe nuk është kryer akaditimi i universiteteve publike . Në hapjen e universiteteve private nuk janë respektuar standartet përkatëse.



Kjo është një mangësi cilësore? Sipas jush , përse? Paaftësi , apo fshihen qëllime të caktuara?

Janë hapur degë e universitete ku nuk ka pasur stafe akademike e shkencore të profesorëve. A mund të bësh fjalë, paskësaj, për cilësi në këto degë e universitete?

Kjo u ka shërbyer privilegjeve abuzive të individëve të veçantë, dhe viktimë është sigurisht çvlerësimi cilësor i diplomave.



Atëhere, çfarë detyrimi politik shtrohet për arsimin në të ardhmen?

Për konceptin tim programet partiake në këtë fushatë zgjedhore formalisht deklarojnë që kanë të fokusuar në qendër të politikës arsimin , duke premtuar rritje të buxhetit.Shikoni se çndodhi me demokratët e Berishës. Premtuan se do të dyfishonin buxhetin e arsimit nga 25 miliardë që e kishim në 2005.Mirëpo , në fakt ata e rritën deri në 41 miliardë.Ky premtim politik i pambajtur nga qeveria e Berishës për arësimin ishte demagogji, globalist, që nuk materializohet ne treguesit e standartet .



Çfarë më shumë se një rritje aritmetike e buxhetit, kërkohet për arsimin?

Që të ketë të bëjë me tregues të cilësisë në arsim, si psh, u rrit aritmetikisht buxhetin, por nuk u analizua se sa ndikoi kjo në rritjen e arsimit në planin sasior e cilësor , sa ndikoi kjo rritje e buxhetit në uljen e braktisjes të shkollës, në rritjen e numrit të nxënësve në shkollat profesionale.



Në jetë , nuk është dhe kaq e zakonshme që personalitete të shquara të shkencës të përzihen me politikën.Vërtet, ju, si u gjendët në politikë?

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 1997, Partia Socialiste përfshiu në listat e deputetëve edhe shumë individ me integritet dhe emër publik të njohur që vinin nga stafet e profesoratit të shkollave të larta. Pjesa më e madhe e tyre nuk ishin të angazhuar më parë në politikë. Kujtojmë që kjo parti në vite ishte akuzuar si bartëse e trashëgimisë së sistemit të kaluar politik që tashmë kishte ndryshuar. Në këtë proces reformimi të përfaqësimit dhe të politikave të reja të saj, në vitin 1997 në grupin parlamentar të Partisë Socialiste u përfshinë edhe profesorët R. Mejdani, E. Andoni, A. Tato dhe unë që vinim nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, si dhe profesorët Z. Pepa, H. Hoxha e Sh. Bundo që vinin nga Fakultetet Ekonomik. Besoj se edhe ky imazh i ri përfaqësimi, ndikoi pozitivisht në demokratizimin e kësaj partie. Pas disa viteve të qëndrimit në parlament, na u kërkua që të anëtarësoheshim edhe në parti dhe të merrnim pesë e të drejtonim komisione të caktuara të saj. Kështu, shkallë-shkallë ne filluam të kontribuojmë por edhe të organizohemi e kualifikohemi në praktikat qeverisëse e ligjvënëse. Kjo ishte me të vërtet një përvojë dhe eksperiencë e çmuar. Politika u bë kështu një mision. Në emër të këtij misioni tani gjendem në qarkun e Gjirokastrës, si misionar shoqëror.



Përse shumë nga intelektualët e shquar u distancuar nga politika? Kush zhgënjeu tjetrin?

Pothuajse të gjithë intelektualët e shquar , njeri pas tjetrit u lanë jashtë listave të përfaqësimit. Madje jo vetëm ata që u përfshinë në politikë në vitin 1997, por edhe mjaft profesorë të tjerë që kishin dhënë kontribute të çmuara në vitet paraardhëse. Më vonë ndodhi edhe përçarja e Partisë Socialiste dhe formimi i Lëvizjes Socialiste për Integrim.



Edhe ju, tashmë , nuk jeni më në PS? Keni ndryshuar bindjen politike?

Vështirë, që intelektualët e vërtetë të ndryshojnë bindjen politike. Ndodhi, kur partia ndryshoi , dhe nuk më përmbush bindjet e mia politike, dhe jam i detyruar moralisht , që të qëndrosj besnik vetvetes e ndërgjegjes të përkrah atë parti që është mbartëse e bindjeve të mia të majta.



Dhe kandidoni me siglën e LSI në qarkun e Gjirokastrës, për zgjedhjet e 28 qershorit 2009?

Po. Jam duke kandiduar në qarkun e Gjirokastrës me siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim që drejtohet nga Z. Ilir Meta që gjithashtu është një nga socialistët dhe drejtuesit e socialistëve në vite. Edhe shumë shoqe e shokë të tjerë që unë i gjeta në Partinë Socialiste në vitin 1997 e që sot gjenden në Lëvizjen Socialiste për Integrim janë gjithashtu socialist, apo jo? A nuk janë socialist Petrit Vasili, Ndre Legisi, Spartak Braho, Prof. Sabit Brokaj, Dritan Prifti, Prof. Hasan Hoxha etj.? Ne gjendemi në politikë të afishuar me bindje dhe pikëpamje të majta. Kjo mjafton. Dhe unë aty gjendem, në pjesën e majtë dhe jo tej të majtës apo tej të djathtës.



Më falni që pyes. A nuk është pak e vështirë që të ndryshosh partinë, për hir të një mospajtimi me udhëheqësin?

Fare natyrshëm. Në jetën politike të Partisë Socialiste të viteve të fundit ka pasur zhvillime, reagime, kundërshti e oponencë jo të pakta dhe jo nga pak përfaqësues. Madje kohët e fundit ndodhi një përçarje tjetër e saj. U krijua Partia Socialiste e Vërtetë 91. Mënyra e të bërit opozitë nga Lëvizja Socialiste për Integrim, qëndrimi kundërshtues ndaj ndryshimeve të Kushtetutës dhe ndaj Kodit zgjedhor, janë disa nga momentet që ndikuan për një përafrim më të dukshëm të qëndrimit tim me Z. Ilir Meta. Le të shtojmë këtu edhe aspiratën tonë për të grumbulluar sa më shumë vota tek e majta dhe për të bërë çdo përpjekje për ribashkim jo vetëm në bashkëqeverisje pas 28 qershorit por edhe politikisht e organizativisht.



Mos është një e metë juaja, profesor, që nuk keni artikuluar me foorcë në media oponencën tuaj për zhvillimet e kontestuara të PS nga një pjesë e anëtarësisë së saj? Edhe heshtja politikë përbën bashkëfajësi politike.

Problemet e shtëpisë nuk nxirren të gjitha në treg. Partia Socialiste dhe e majta në tërësi janë tashmë për mua shtëpia ime politike që më dhimbset. Shumë probleme i kam ngritur në vendin dhe në kohën e duhur. Disa reagime e kundërshti kanë qenë edhe publike. Të tilla kanë qenë p.sh. vota ime kundër e ndryshimeve të Kushtetutës, vota kundër e Kodit zgjedhor që në fakt nuk siguron zgjedhje të deputetëve, por emërim të tyre sipas radhës në listë që kanë caktuar kryetarët e partive. Po kështu në parti u vlerësua gabim firma e hedhur prej meje që Z. Fatos Nano, lideri historik i së majtës shqiptare, të kandidonte për president i Republikës.

Profesor, opinioni i deritanishëm nga Permeti , Gjirokastra e Tepelena, ju jep juve një përparësi . Ndoshta , kjo më shumë i dedikohet personalitetit tuaj, sesa partishmërisë të kandidatit .A ka ardhur koha që edhe votuesi të votojë për personalitetet dhe jo për partishmërinë e kandidatit, që nesër të mos zhgënjehet politikisht?

Kjo fitore nuk do të më përkas mua si individ. Ajo do të jetë fitore e mençurisë dhe mprehtësisë politike e shoqërore e gjithë zgjedhësve të qarkut të Gjirokastrës. Të gjithë janë mërzitur nga pazaret dhe demagogjia politike e dy partive tradicionale. Vetëm dy parti parlamentare nuk garantojnë demokraci reale për kushtet që ka Shqipëria. Këtë populli e ka kuptuar mirë prandaj dhe ka vendosur të korrigjojë me votë rrezikun e mundshëm të zëvendësimit të ekuilibrit demokratik me pazare e marrëveshje të dyshimta të dy partive tradicionale. Prandaj populli do të votojë Lëvizjen Socialiste për Integrim, si një forcë politike serioze e reale me rol të veçantë për të shmangur pazaret e radhës të dy forcave politike tradicionale. Fitorja e kandidaturës sime, nga ana tjetër do të jetë verdikt i shtresës së majtë nga unë kam origjinën time. Kjo fitore do të jetë vlerësim e mirënjohje e brezave të nxënësve, studentëve dhe e familjeve të tyre për punën e qindra mësuesve e pedagogëve që sikurse unë i a kushtuam jetën edukimit dhe arsimimit të tyre. Një ndër pikat e forta të fitores sime është programi i Lëvizjes Socialiste për Integrim me të cilin konkurroj dhe që është vlerësuar pothuajse njëzëri si program modern e realist që garanton daljen nga kriza dhe rritje ekonomike, punësim, mbështetje të prodhuesve vendas në bujqësi e blegtori, miratim të statusit të pensionistëve, minatorëve e ushtarakëve dhe lehtësim të barrës fiskale. Kjo fitore do të jetë mirënjohje, nderim dhe respekt edhe për të gjithë ata koleg deputet që papritur nuk u përfshinë sërish në listat e kandidimit të këtyre zgjedhjeve edhe pse njihen si vlera të çmuara që i kanë dhënë së majtës vetëm fitore në vite. Kjo fitore do të jetë edhe një mësim i nevojshëm për hartuesit e listave të kandidatëve për deputet me emra dështakësh e humbësish të zgjedhjeve të vitit 2005 që e çuan të majtën në opozitë. Kjo fitore do të jetë edhe një shprehje tjetër e kundërshtimit popullor ndaj përfshirjes në listat e kandidimit për deputet të individëve anonim dhe të xhaketave të vjetra të kthyera së prapthi për të marrë pozat komike të politikës së re.



Si do të reagoni ndaj kunëdrshtarëve tuaj politikë, A.Dade, G.Ruli., E.Ruka, etj?

Më lejoni të saktësoj. Meqenëse unë jam i pari në listën e kandidatëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, kundërshtari im politik në zgjedhje është i pari në listë i kandidatëve të Partisë Demokratike të djathtë, Z. Genc Ruli. Kandidatët e majtë nuk i vlerësoj kundërshtar, por aleat. Nga ana tjetër, duke qenë i pari në listë, më takon të jem në garë me të parët. Kështu, zotit Ruka që erdhi së fundmi i treti në listën e kandidatëve për deputet të Partisë Socialiste, i takon të përballet me një tjetër tepelenas, ish nxënësin tim të respektuar A. Çulli që kandidon po i treti në listën e kandidatëve për Partinë Demokratike.



Ka zëra se E.Ruka u përcaktua si kandidat në qarkun e Gjirokastrës, si personi që mund t ju marrë juve shumë vota.

Ne jetojmë në një shoqëri të hapur dhe e drejta për konkurrim nuk mund t i hiqet asnjë njeriu. Aq më tepër kjo e drejtë nuk mund t i hiqet kolegut dhe mikut tim të respektuar që ju përmendët. Me këtë rast unë nuk mund të fsheh keqardhjen time që zotit Ruka nuk i është dhënë vendi që meriton në listat e kandidatëve të Partisë Socialiste, duke e rreshtuar të tretin. Asnjë çast nuk kam menduar se ai ka marrë me dëshirë rolin e plan prishësit. Gjithsesi, duhet të deklarojmë qartë. Me listat e minutave të fundit të kandidatëve të dy partive tradicionale në KQZ, Tepelena rrezikohet seriozisht të mos ketë asnjë nga pesë deputetët e qarkut.



BIOGRAFIA SHKENCORE



-Ka botuar

-Si lindi jeta në tokë

-Dukuri të botës së gjallë

-Librin REFORMIMI I SHKOLLËS PROÇES DHE STRATEGJI

Me bashkëautorë

-Botanika për Universitetin Bujqësor

-Biologjia për shkollat e mesme mjekësore

-Biologjia e përgjithshme 1 dhe 2 për shkollat e mesme të pëtgjithshme e profesionale,

-Biologjia Humane

-Antropologjia

-Dituri Natyre 4 dhe Biologjia 9 për sistemin e ri 9 –vjeçar

She shumë artikuj e studime shkencore në shtypin shkencor jashtë e brenda vendit.



jakupgjoca@hotmail.com

Ky lajm është publikuar: 08/06/2009