Në Teatrin Bylis shfaqet premierë komedia me autor Bashkim Kozelin dhe regjisor Guri Koçon
Si rruar qethur, kjo është komedia që Teatri Bylis i qytetit të Fierit do të vendosë sonte në skenë. Autor i komedisë është Bashkim Kozeli, ndërsa regjisor Guri Koço. Kjo komedi trajton një temë në dy periudha të ndryshme historike, në atë komuniste dhe postkomuniste. Komunizmi i kishte barazuar njerëzit, vlerat, ku me fukarallëkun e tyre njerëzit i ngrysnin ditët më shumë me biseda, me llafe se me punë. Në qendër të komedisë janë dy shokë të ngushtë, dy berberë që punonin në një vend pune në kohën e monizmit. Dy berberë që ishin bërë si vëllezër binjakë, që i besonin njeri-tjetrit verbërisht. Kështu i gjeti rënia e komunizmit. Çndodhi më pas? Kapitalizmi i ndau përfundimisht miqtë e mirë, berberët vëllezër. Madje i vendosi në kampe të kundërta të përqafimit të bindjeve politike.

Njeri u vendos majtas (PS), ndërsa tjetri djathtas (PD). Të dy militantë deri në ekstrem. Militantë që dje, nga vëllezër që pinin në një kupë, sot, nëpër mitingje i ngrinin shkopinjtë njeri-tjetrit. Kjo është ideja, subjekti mbi të cilën është ndërtuar komedia. Një komedi sa aktuale po aq dhe reale që përcjell në mënyrë të drejtpërdrejt mesazhin e kohës, të humbjes së vlerave njerëzore përballë bindjeve politike dhe etjes për pushtet. Vepra vjen me regji të Guri Koços si dhe me interpretim të aktorëve Luftar Paja, Hajrie Rondo, Fatmir Xhelili, Doriana Çaushi, Orjon Halili dhe Shpëtim Shehu. Artisti i Popullit Luftar Paja tregon për rolin se ai vjen në një mënyrë të veçantë në skenën teatrore. Është një rol krejt i veçantë që nuk ka asnjë lidhje me Malon e dikurshëm. Malua i asaj kohe nuk më përkiste mua dhe mbetet një rol unik i asaj kohe i kolegëve të mi fierak. Në të gjitha këndvështrimet ky është një rol i ri në një komedi me gjetje të veçantë. Unë kam rolin e berberit Malo. Të një berberi në dy kohë. Kur në sistemin komunist kisha një shok, vëlla, mik, gjithçka (edhe ai berber). Ne ishim pasqyra e njeri-tjetrit. Nuk mund të na konceptoje dot të ndarë, të zënë, hilanjos, etj... ne ishim më shumë se dy vëllezër binjakë. Kështu jetuam për vite të tëra pa ndarë një fjalë, po duke ndarë kafshatën e gojës. Dhe ja vijnë vitet e demokracisë.., tregon aktori Paja. Më tej ai shprehte se sot ka shumë gjëra që janë kuptuar mbrapsht në demokraci. Ti nuk po e jeton demokracinë alla shqiptarçe? Vëllai nuk flet me vëllanë për një metër gardh. Motra nuk flet me motrën se ka blerë shtëpi më të bukur, djali fyen babanë se nuk i blenë makinë, komshiu në vend ta ruaj, vjedh shtëpinë e komshiut...mbesa zihet me tezen për fustanet, nipi me dajën për ngjyrat e mureve të shtëpisë. Kështu dhe ne morëm dhe përkrahëm parti të ndryshme politike. Gjithë ajo dashuri u kthye në një urrejtje patologjike. Gjithë ajo dashuri u kthye në armiqësi. Kur ndeshemi në rrugë i kërcasim dhëmbët njeri-tjetrit. Militantë të kundërt deri në armiqësi fizike. Më shumë urrejmë ne njeri.-tjetrin se sa Berisha, Nanon , apo anasjelltas. Si rruar qethur është komedia që i mungonte skenës shqiptare. Ndërsa regjisori Guri Koço tregon se puna e aktorëve ka qenë shumë e mirë dhe ata janë përpjekur për të sjellë një shfaqje me vlera në skenën e teatrit Bylis . Tashmë nuk ka pse të bëj publicitet apo të marr përsipër role që smë takojnë. Aktorët e Fierit kanë qenë shkollë për teatrot shqiptare në sistemin komunist. Ajo bërthamë qëndron ende. Këtu, në këtë komedi janë në role kryesore Luftar Paja, Hajrije Rondo apo Fatmir Xhelili. Puna e tyre ka qenë sistematike, korrekte. Më ka pëlqyer sidomos puna në grup. Është e vështirë sot të punosh në grup, por mund të them me plot gojën se ja kemi arritur qëllimit. Do të jetë një shfaqje mbresëlënëse. Duke folur për mesazhin e komedisë, ai për mua është i qartë : O miq, mos i lini politikanët tju përçajnë. Miqësia është virtyti më i lartë njerëzor. Politikanët luftojnë për karrige, po ju përse luftoni dhe ziheni me grushte me njeri-tjetrin?. Kjo shfaqja vjen pas disa veprat tjera të suksesshme në skenë e Teatrit Bylis të Fierit.






Last Updated on Thursday, 09 April 2009 09:10