Ministri i Arsimit, Fatos Beja, ka firmosur udhëzimin për pranimet e raundit të tretë në universitetet publike në vend, për 4 mijë kuota të reja dhe të lira. Në këtë udhëzim përcaktohet se Formulari A3 do të shpërndahet në Drejtoritë Arsimore më 21 tetor 2008. Të drejtën për të plotësuar formularin A3 e kanë të gjithë kandidatët që nuk janë shpallur fitues në dy raundet e pranimeve në universitete në vitin akademik 2008-2009. Ata duhet të paraqiten për të tërhequr Formularin A3 në periudhën 22-26 tetor në drejtoritë arsimore dhe zyrat e arsimit në vend.



Po kështu Formularin A3 mund ta marrin edhe ata të rinj që janë përfshirë në listat e fituesve por nuk janë regjistruar në universitet. Nga ky raund i tretë pranimesh përfitojnë edhe



fituesit e regjistruar në një program studimi, por që preferojnë të ndjekin një tjetër degë. Por edhe ata që kanë fituar provimet me zgjedhje në vitet 2007 dhe 2008 dhe nuk figurojnë të regjistruar në programet e studimit në universitete. Në grupin e fundit të përfituesve janë edhe ata kandidatë që kanë fituar konkurset e pranimit në Akademinë e Arteve dhe Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve në korrik të vitit 2008, si dhe kanë fituar të dyja provimet me zgjedhje Z1 dhe Z2 në vitin 2007 ose 2008. të gjithë këta candidate duhet të paraqiten në APRIAL, deri në datën 22 tetor, brenda orës 18.00, për të tërhequr Formularin A3. Sikundër edhe dy modelet e para, Formulari A3 përmban të gjitha kuotat e përcaktuara, për secilin program studimi të ciklit të pare. Ai mundëson orientimin dhe aplikimin për programin e studimit të preferuar nga kandidati, në bazë të pikëve të fituara dhe të pikëve të fituesit të fundit. Dorëzimi i Formularëve A3 të plotësuar bëhet në DAR/ZA dhe APRIAL, deri më datë 27 tetor. Drejtoritë dhe Zyrat Arsimore sjellin në APRIAL Formularët A3 të plotësuar në datën 28 tetor. APRIAL përpunon të dhënat e marra nga Formularët A3 dhe në datën 5 nëntor shpall listën përfundimtare të kandidatëve fitues, të ndarë sipas programeve të studimit përkatës, të renditur sipas rendit zbritës të pikëve dhe preferencës më të lartë të kërkuar prej tyre në formularin A3, në përputhje me kuotat e rishpërndara dhe njëkohësisht e dorëzon këtë listë në Ministrinë e Arsimit. MASH dorëzon më 6 nëntor, në formë të shkruar dhe elektronike, listat përfundimtare të kandidatëve fitues dhe universitetet afishojnë listat në mjediset e tyre të dukshme. Regjistrimi i fituesve, bëhet pranë sekretarive mësimore të universiteteve deri më 15 nëntor. Për regjistrim, kandidati duhet të dorëzojë dosjen individuale, me dokumentet origjinale: Dëftesë pjekurie; Certifikatë lindje me fotografi; 2 fotografi; Mandat arkëtimi i tarifës së regjistrimit prej 1.500 lekë; Për kandidatët që kanë braktisur degën duhet edhe vërtetimi i çregjistrimit nga programi i mëparshëm i studimit.