Kandidatëve u kërkohet të kenë kujdes gjatë plotësimit, pasi mund të humbasin të drejtën e studimit





Nuk ka formular për maturantët që rezultojnë ngelës, në të paktën njërin nga provimet e detyruara





Ministria e Arsimit dhe e Shkencës për të mos lënë vend për gabime gjatë plotësimit të formularit A2 ka publikuar një listë të gjatë me udhëzime, për mënyrën se si duhet të plotësohet ky formular, nga nxënësit dhe mësuesit e tyre.





Në udhëzim, MASH i tërheq vëmendjen të gjithë maturantëve që të kenë kujdes në plotësimin e të dhënave, pasi formulari A2 është unik për çdo kandidat dhe nuk do të kenë një tjetër mundësi përzgjedhjeje për vitin akademik 2010-2011.





Edhe për këtë vit, përcaktimi i fituesve do të bëhet sipas parimit Meritë - Preferencë.





Ky sistem përcaktohet sipas pikëve të grumbulluara në bazë të rezultateve të shkollës së mesme, të provimeve të Maturës Shtetërore (të detyruara dhe me zgjedhje), ndërsa për programe studimi të caktuara, të cilat zhvillojnë edhe konkurse, do të merren në konsideratë edhe rezultatet e konkursit.





Formulari A2





Ky formular është i personalizuar për secilin maturant sipas të dhënave që ai ka plotësuar në Formularin A1.





Përpara se të marrë Formularin A2, çdo kandidat duhet të paraqesë një mandat arkëtimi që vërteton se ai ka kryer pagesën prej 2000 lekësh në një bankë të nivelit të dytë. Vetëm pasi të ketë paraqitur këtë faturë, kandidati do të marrë formularin e tij.





Formulari A2 është i ndarë në dy pjesë, në pjesën e parme të tij janë porositë e MASH për plotësimin e formularin dhe në pjesën tjetër janë listuar të gjitha programet e studimit që ofrojnë të 12 universitetet publike në Shqipëri.





Në krye të Formularit A2, është sigla e Pranimeve 2010 në Arsimin e Lartë përmes parimit Meritë-Preferencë, emri i shkollës, rrethi, qyteti ose fshati, dhe në të djathtë ID-ja e maturantit, ndërsa në pjesën e majtë është vendosur emri, atësia dhe mbiemri i maturantit dhe datëlindja e tij. Një formulë kjo që tregon se askush nuk mund të marrë një Formular A2, që nuk i përket atij.





Nota mesatare





Poshtë emrit të maturantit ndodhet vendi i përcaktuar për notën mesatare, e cila duhet plotësuar nga mësuesi kujdestar me shifra arabe dhe me fjalë. Shifrat duhet të jenë të qarta, pa korrigjime dhe me stilolaps me ngjyrë të zezë. Nota mesatare do të konsiderohet nota e të katër ose pesë viteve të studimit.





Për ata kandidatë që përfunduan këtë vit maturën shtetërore do të vendoset nota që është në dëftesën e pjekurisë, ndërsa për nxënësit që kanë mbaruar vitet e kaluara shkollore (2006 - 2007, 2007 - 2008,2008 - 2009), do të merret nota mesatare e shënuar në dëftesë.





Për nxënësit që kanë mbaruar para vitit 2007, do të nxirret nota mesatare e katër ose pesë viteve të studimit. Në këtë llogaritje nuk do të MASH bën të ditur se nuk do të merren parasysh notat e provimeve të maturës. Nxënësi duhet të vihet në dijeni për notën mesatare, që do të vendoset në Formularin A2 të tij.





Programet e studimit





Në formularin A2 përpara çdo programi studimi ndodhet një numër me 3 shifra, që përfaqëson një program studimi të caktuar si dhe një kuadrat bosh. Nxënësve u kërkohet që të lexojnë me kujdes programet e studimit të një universiteti dhe atë program studimi që preferojnë të mbajnë shënim numrin dhe emërtimin e tij. P. sh., në Universitetin e Tiranës me numrin 011 është shënuar programi i studimit për Kimi Ushqimore.





Po brenda të njëjtit Universitet duhet mbajtur shënim numri dhe emërtimi i programeve të studimeve të tjera të preferuara, p.sh., 026 Punë Sociale, e kështu me radhë. Por gjatë plotësimit të formularit A2 duhet bërë kujdes me secilin program studimi pasi në Universitete të ndryshme, për disa nga programet e studimit shënohen në kllapa filialet, në të cilat këto programe zhvillohen, si edhe kohëzgjatja për programe të caktuara.





Preferencat





Në listën e preferencave kandidatët duhet të shënojnë të parin programin e studimit që preferohet më shumë, të dytin atë që preferohet nëse nuk do të fitohet në preferencën e parë e kështu me radhë. Preferenca më e lartë është preferenca 1, kjo për arsye se mbi këtë bazë të preferencave do të shpallen fituesit për secilin program studimi.





Na rast se kandidati nuk rezulton fitues në preferencën e parë kontrollohet preferenca e dytë e kështu me radhë deri në preferencën e dhjetë. Kandidati do të shpallet fitues në preferencën më të lartë, në të cilën ka grumbulluar pikët e nevojshme (kjo preferencë mund të jetë sipas rastit preferenca e parë, e dytë, e tretë e kështu me radhë).





Po kështu një kandidat do të rezultojë fitues vetëm në një program studimi, në atë të preferencës më të lartë edhe në ato raste kur ka pikët e mjaftueshme dhe me renditje të kënaqshme për preferenca të tjera.





Është e detyrueshme që të mbushen të 10 kutitë e Preferencave, ndryshe formulari quhet i pavlefshëm. Në ato raste kur maturanti ka zgjedhur më pak se 10 programe studimi të preferuara, kutitë e tjera të preferencave mbushen detyrimisht me shifrën 000.





Nuk ka formular për mbetësit





Për disa nxënës nuk është prodhuar Formulari A2 dhe kjo ka ndodhur për arsye se maturantët nuk kanë kaluar klasën, pra rezultojnë ngelës në të paktën një prej provimet e detyruara ose nuk ka të plotësuar me notë kaluese në bazën e të dhënave provimet e detyruara D1 dhe D2.





Formulari A2 është botuar vetëm për ata kandidatë që nuk kanë dhënë provimet me zgjedhje (por kanë nota kaluese në D1 dhe D2), sepse preferojnë programe studimi për të cilat nuk llogariten provimet me zgjedhje, por vetëm notat D1 , D2 dhe pikët e grumbulluara në konkurs. Si për shembull në programet e studimit të Akademisë së Arteve apo të Sporteve.





Meqenëse, sipas shkallëzimit të notave, të vendosur për provimet me zgjedhje Z1, Z2 nuk rezultojnë mbetës, të gjithë kandidatët që kanë rezultate në bazën e të dhënave të 2010 për provimet me zgjedhje kanë të drejtë të plotësojnë formularin A2.