Burime zyrtare nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës bënë të ditur se, nxënësit e klasave të 9-ta do ta mbyllin vitin shkollor më 5 qershor 2009, pasi kanë provimet e Lirimit, ndryshe nga të gjithë nxënësit e arsimit bazë, për të cilët, viti shkollor përfundon më 28 gusht. MASH publikoi dje udhëzimin e posaçëm, i cili përcakton se Drejtoritë Arsimore Rajonale, Zyrat Arsimore dhe Drejtoritë e Shkollave duhet të marrin të gjitha masat që viti mësimor 2008-2009 për klasat e 9-ta të mbyllet me programe të realizuara brenda datës 5 qershor 2009, duke shfrytëzuar orët në dispozicion dhe ditët e shtuna.

Notat përfundimtare për çdo lëndë të nxirren brenda datës 5 qershor 2009. Periudha e zhvillimit të sesionit të parë të Provimeve të Lirimit, sipas udhëzimit të MASH-it,  është nga data 6 qershor-27 qershor, 2009. Nxënësit e klasave të 9-ta do të testohen për Gjuhë shqipe dhe lexim letrar më 13 qershor 2009 dhe në Matematikë, në 20 qershor 2009. Ndërsa për sesionin e dytë të provimeve të lirimit, udhëzimin parashikon data të tjera. Kështu nxënësit që nuk do të kalojnë në sesionin e parë të provimeve të lirimit, do t'i rijapin ato në datat 1-5 shtator, 2009. Burime nga MASH bënë të ditur se këtë vit do të ndryshojnë edhe procedurat e dhënies së Provimeve të Lirimit. Reforma e ndërmarrë në arsimin bazë, është shoqëruar dhe me një sërë ndryshimesh të reja që do të aplikohen në rregulloren e provimit të lirimit në klasat e IX-ta. Specialistë e MASH pohuan se tashmë është firmosur nga kreu i këtij institucioni rregullorja e re, e cila përcakton që provimet e klasave të IX-ta, do të jenë të ngjashme me ato që zhvillohen në Maturën Shtetërore. Risia e kësaj rregullore do të jetë fakti që provimet nuk do të bëhen më nga mësuesit e shkollave të tyre, por ashtu si dhe për maturën shtetërore, kontrolli i dijeve të tyre do të bëhet nga mësues të jashtëm, nga shkollat e tjera të rrethit. Kështu në mbyllje të këtij viti mësimor, nxënësit e klasave të nënta do të japin provimet e lirimit, të cilat do të mbikëqyren dhe do të vlerësohen nga mësues të shkollave të tjera, dhe jo nga mësuesit e shkollave të tyre siç është vepruar deri më sot.





Email This
Klikime: 1