Bota e muzikës e ka pritur me shumë dhimbje lajmin e hidhur për vdekjen e Majkëll Xheksonit. Ikona e popit u shua në moshën 50-vjeçare. Pas një karriere të kurorëzuar nga fama dhe suksesi, fshihej një jetë e trishtuar me një fëmijëri shumë të vështirë. Xhekson u shua në prag të turneut të tij botëror, eveniment i cili do të shënonte edhe rikthimin e madh në botën e muzikës, pas shumë vitesh mungesë për shkak të akuzave të pedofilisë, problemeve me shëndetin dhe një jete personale shumë të pafat. I madhi Majkëll Xhekson, vdiq dy ditë më parë në Los Anxhelos nga një atak kardiak. Aventurën në botën e muzikës Xhekson e ka nisur që fëmijë. Një fillim i suksesshëm, që i dha mundësinë të bëhej një prej artistëve më të famshëm të historisë.



Biografia



Majkëll Xhekson (Michael Joseph Jackson) lindi më 29 gusht të vitit 1958 në Gary, Indiana, SHBA, ishte këngëtar, autor, kompozitor, koreograf, kërcimtar amerikan, i quajtur ndryshe "King of Pop" (Mbreti i Popit). Majkëlli ishte një ndër artistët më të famshëm të shek XX. Libri i rekordeve "Gines" e quan Majkëll Xheksonin "Most succesful entertainer of all time" (Artisti më i suksesshëm i të gjitha kohërave). Ka thyer shumë rekorde botërore në industrinë e muzikës, mes të cilave atë të albumit më të shitur të të gjitha kohërave "Thriller", mbi 750 milionë kopje të shitura.



Suksesi



Majkëll Xhekson e nisi karrierën e tij në moshën 5-vjeçare në grupin "Jackson Five". Në vitin 1971 provoi eksperiencën e parë si solist, me këngën "Got to be there". Falë albumit të "Thriller" më 1982-in, deri tani më i shituri në historinë e muzikë, Xhekson u pagëzua me emrin "Mbret i Popit". Për albumin "Thriller" Majkëlli është vlerësuar me tetë çmime "Grammy Awards". Sipas rekordeve botërore "Gines", kantautori ka shitur mbi 750 milionë kopje të albumit. Ky fakt e bën artistin solist më të famshëm të të gjitha kohërave.



Problemet ligjore



Nga 1988-a deri më 2005-n Xhekson jetoi në fermën "Neverland Ranch" (që më 2008-n u shit për 35 milionë dollarë), ku kishte ndërtuar edhe një park me të njëjtin emër dhe një kopsht zoologjik për fëmijët e varfër dhe të sëmurët që nuk kishin shërim. Takimet e tij me ata fëmijë patën një impakt të madh mediatik, edhe pse filluan të qarkullonin zëra që flisnin për raporte anormale mes këngëtarit dhe admiruesve të vegjël. Në vitin 1993, për herë të parë Xhekson u akuzua për ngacmime seksuale nga një fans i tiji. Pas një denoncimi tjetër, më 2003-in, këngëtari përfundoi në gjykatë, pasi u akuzua edhe për krime të tjera. Pas të gjitha provave dhe verifikimeve më 2005-ën u shpall i pafajshëm.



Gjendja shëndetësore



Alarm më 2008-n kur Xhekson u fotografua me pizhame në një karrige me rrota. Në fund të po këtij viti u fol për një sëmundje gjenetike, A1AD, e shkaktuar nga mungesa e një proteine që mbron mushkëritë. Një patologji që rrezikonte t‘i verbonte syrin e majtë e t‘i merrte edhe zërin. E vetmja gjë që mund ta shpëtonte nga problemet gastrointestinale, ose nga vdekja, ishte transplanti i mushkërive. Në maj të vitit të kaluar, gazeta "The Sun" bëri të ditur se këngëtari ishte prekur nga një tumor i lëkurës.



Jeta private



Në vitin 1994 Majkëll Xhekson u martua me vajzën e Elvis Preslit, Lisa Marie, por lidhja e tyre nuk zgjati më shumë se dy vjet. Xhekson u martua sërish më 1994-n me infermieren Debi Rou, të cilën e njohu ndërsa po kryente një prej operacioneve të shumta plastike. Me Debin pati dy fëmijë, Prins Majkëll dhe Paris Majkëll Katerin, para se të divorcohej më 1999-n. Në vitin 2002 nga një lidhje e fshehtë me një grua të panjohur erdhi në jetë, Prins Majkëll II.



Rikthimi



Më 5 mars të këtij viti, artisti mbajti një konferencë shtypi në Londër, ku deklaroi se do të jepte një koncert madhështor në muajin korrik. "Ky do të jetë turneu i fundit i karrierës sime", deklaroi ai. Koncerti i parë i turneut ishte parashikuar më 13 korrik, por tani do të mbetet thjesht në letër.



Shansi i fundit



Këto koncerte ishin shansi i tij i fundit. I përfshirë nga skandalet, i zhytur në një krizë shkatërruese personale dhe artistike, pasi shiti fermën famëkeqe "Neverland Ranch", Xhekson ishte i detyruar të rikthehej në skenë, sepse nuk kishte më para. E vetmja gjë që mediat mësuan për të ishte se trajneri personal që kishte punësuar e kishte gjetur në kushte të tmerrshme. Flitej për një tumor në lëkurë, ndërsa vazhdonte të ishte ende e freskët fotografia kur ai bënte shëtitje në karrocë me rrota.



Fundi



Më 29 gusht, Xhekson do të mbushte 51 vjeç. Pjesa e fundit e jetës së tij ka qenë një dramë për publikun e gjerë, një shembull konkret i vetëshkatërrimit, i shoqëruar nga pesha e rëndë e akuzave të pedofilisë. Xhekson është cilësuar ikona pop e shekullit XX. Aftësia për ta ngritur peshë skenën, trupi prej balerini, kërcimi, përdorimi revolucionar i videoklipeve janë vetëm disa prej elementeve të bëra pjesë e legjendës së tij. Pas albumeve "Bad" dhe "Dangerous" sukseset e tij të fundit, me ardhjen e viteve ‘90, situata filloi të dilte jashtë kontrollit, me përdorimin e vazhdueshëm të operacioneve plastike, frekuentimin e fëmijëve dhe varësinë ndaj ilaçeve. Së bashku me akuzat e pedofilisë nisi edhe fundi i tij artistik, që për fat të keq e përshpejtoi lamtumirën.



Familjarët dhe miqtë



Bota e muzikës është në zi. Familjarët, miqtë, muzikantët dhe yjet e Hollivudit janë mbledhur së bashku nga dhimbja për vdekjen e mbretit të popit.



Motra e artistit, Xhenet, është kthyer menjëherë në Kaliforni për të qëndruar pranë familjes në këtë moment kaq të vështirë. "Jam e shkatërruar. Ishte një vdekje e papritur", ka thënë Xhenet.



Liz Tejlor, mikesha e madhe e Majkëllit, përdor të njëjtat fjalë: "Nuk jam në gjendje ta komentoj vdekjen e Majkëllit".



"Nuk pushoj dot së qari. Gjithmonë e kam admiruar Majkëll Xheksonin", ka thënë Madona që është cilësuar mbretëresha e Popit. "Bota ka humbur një artist të madh, por muzika e tij do të jetojë përgjithmonë. Ngushëllimet e mia shkojnë për tre fëmijët e tij dhe pjesëtarët e familjes. Zoti e bekoftë!"



Një tjetër gjeni i muzikës, Elton Xhon, është bërë me dije për lajmin e vdekjes së Xheksonit ndërsa jepte një koncert në Londër. Fill pas lajmit, Xhon i dedikoi një prej këngëve më të njohura të repertorit të tij "Don‘t let the sun go down on me".



Regjisori i famshëm, Stiven Spielberg, ka folur për mbretin e popit, si për "një legjendë": "Ashtu si nuk do të ketë më të tjerë, Fred Astrair ose Elvis Presli, ashtu nuk do të ekzistojë më askush që të krahasohet me Majkëll Xheksonin. Talenti i tij, mrekullia dhe misteri, e bëjnë një legjendë".



"Jam pa fjalë", ka thënë Lisa Mari Presli, vajza e Elvis Preslit dhe gruaja e parë e Majkëll Xheksonit. "Jam shumë e trishtuar dhe konfuze. Më vjen keq për fëmijët e tij që ishin gjithçka për të".



Respekt e shumë admirim edhe nga Xhastin Timbërlejk, që në të shkuarën ka folur gjithmonë për Xheksonin si idhullin e tij: "Nuk arrij të gjej fjalët e duhura për të shprehur trishtimin tim. Nuk kemi humbur vetëm një gjeni, por edhe një ambasador të muzikës".



Borxhet



Mediat amerikane bëjnë të ditur se Majkëll Xhekson ka lënë një borxh prej 400 milionë dollarësh. Pavarësisht fitimeve të mëdha nga shitjet e kopjeve të albumeve në të gjithë botën, stili i shtrenjtë i jetesës i këngëtarit e kishte detyruar të shpenzonte gjatë viteve të fundit të jetës rreth 30 milionë dollarë në vit, pra më shumë sesa të ardhurat.



Huatë nga bankat



Për të marrë hua nga bankat, Xheksoni kishte lënë si garanci katalogun "Atv Music" që përmban edhe disa prej këngëve të "Beatles". Katalogun e kishte blerë më 1985-n për 47,5 milionë dollarë. Në vitin 2001 këngëtari kishte arritur të merrte sërish një tjetër hua, 200 milionë dollarë nga Banka e Amerikës. Akuzat për ngacmime seksuale ndaj minorenëve dhe gjyqet e njëpasnjëshme i shkaktuan Xheksonit shpenzime aq të larta, saqë shitjet e albumeve nuk i mbulonin shpenzimet.



Paratë për biletat e turneut të ri



Pas vdekjes, këngëtari ka lënë pas edhe probleme të tjera ekonomike, pa llogaritur ato personale: për turneun e tij të fundit botëror janë shitur shumë bileta. Kthimi i parave biletablerësve mund të shndërrohet në një makth për sponsorët e kompanisë AEG. Kompania shpresonte të fitonte mbi 115 milionë dollarë nga turneu i Xheksonit, vetëm me biletat dhe produktet që lidheshin me ngjarjen. Tani, pas vdekjes së këngëtarit, kompania AEG duhet të rimbursojë të gjithë blerësit e biletave.



Dyshimet mbi vdekjen



Ish-menaxheri dhe zëdhënësi i familjes së Majkëll Xheksonit nuk kanë dyshime: ishin ilaçet ato që e çuan drejt fundit mbretin e popit. Të dy të lartpërmendurit akuzojnë mjekët të cilët kujdeseshin për këngëtarin. Ja si u shpreh Brajan Oksman, avokati dhe zëdhënësi i familjes: "Njerëzit që e rrethonin Majkëllin, e manipuluan".



Oksman ka thënë për kanalin televiziv "CNN", se Xhekson po kurohej nga disa plagë që lidheshin me një rrëzim të vjetër në një prej koncerteve të tij, për të përballuar më mirë provat e turneut, i cili do të fillonte më 13 korrik në Londër. Kjo rënie i kishte shkaktuar frakturë në njërin krah dhe probleme në shtyllën kurrizore. "Nuk ka dyshim që kriminelët në këtë histori janë mjekët që e kanë ndjekur gjatë gjithë karrierës së tij, që i shkatërruan trupin e që i jepnin ilaçe për t‘i qetësuar dhimbjet. Nuk mund të flinte më pa qetësues. Nuk do të arrijmë kurrë ta mësojmë të vërtetën nëse: Majkëlli u sëmur për shkak të këtyre mjekëve sharlatanë, të cilët jetonin me këtë sëmundje, duke i zhvatur mijëra dollarë për ilaçet dhe vitaminat; vdiq nga një atak kardiak, sepse pinte një grusht me ilaçe; ushqehej keq e nuk kishte një jetë të shëndetshme, ndaj si pasojë nuk mund të bënte sport", ka thënë ish-menaxheri i Xheksonit.



Përgjigjet mbi shkaqet e vdekjes së yllit të popit do t‘i japë autopsia. Gjithsesi, për vdekjen e Majkëll Xheksonit nuk janë të shqetësuar vetëm mjekët, por edhe policia. Çështja i është besuar një grupi special të policisë së Los Anxhelosit.