RRËSHQITJET E DHEUT/ Banorët rrëfejnë tmerrin e pësuar pas krisjes së tokës, ndërsa janë izoluar në lidhjet me qytetin



Në zonën e Mallakastrës fenomeni i rrëshqitjes së tokës ka marrë përmasa alarmante. Disa fshatra kodrinore kanë pësuar rrëshqitje të tokës, duke kthyer në të papërdorshme shumë shtëpi, si dhe duke marrë hektarë tokë.





Më shumë probleme në këtë drejtim ka komuna Qendër Mallakastër, e cila shtrihet kryesisht midis rrugës nacionale Fier - Ballsh. Rreth 5 ha tokë ullishte, si dhe shtatë banesa janë bërë të papërdorshme, ndërsa mbi 10 prej tyre kanë pësuar dëmtime të ndryshme.





Një komision i komunës dhe ai qarkut kanë shkuar për të parë më afër situatën e krijuar. Bektash Sina, nga fshati Ngraciaj, është një nga banorët që ka pësuar më shumë dëmtime në banesën e tij. Ai ka shumë pak kohë që ka përfunduar një ndërtesë dykatëshe dhe banonte në katin e dytë të saj.





Tashmë është larguar që aty me gjithë pjesëtarët e familjes. Rrëshqitja e tokës ka bërë që banesa e tij të marrë plasaritje në shumë vende duke rrezikuar shembjen. Në këto kushte e gjithë famija është shpërngulur te shtëpia e të vëllait, por edhe kjo e fundit nga rrëshqitja e tokës ka pësuar disa çarje.





"Fillimisht u dëgjua një krisje dhe më pas pamë një pjesë të kodrës të rrëshqasë duke iu afruar shtëpisë ku banjo", - rrëfen Sina. - Këto kërcitje dëgjoheshin çdo natë. Mbrëmë natën, u dëgjua më shumë. Në mëngjes pamë rrugën kryesore pothuasje të zhdukur dhe të çarë, ndërsa dherat e kodrës kanë dëmtuar banesën time dhe të vëllait".





Në fshatin Ngraciaj krahas dëmeve në banesa shirat e ditëve të fundit, të cilat kanë rënë me një intensitet të jashtëzakonshëm për këtë zonë, kanë bërë që rrugët dytësore jo vetëm të këtij fshati, por edhe në disa të tjerë që lidhen me rrugën nacionale, të pësojnë shembje duke shkatërruar kilometra të tërë.





Rruga e Ngracijes ku kalojnë çdo ditë rreth 50 mjete të banorëve të kësaj zone, është çarë dhe shembur në një masë rreth dy kilometra gjatësi. Një gjë e tillë ka bërë ndërprerjen e komunikimit me qytetin e Ballshit dhe të Fierit.





Rrëshqitje toke dhe dëmtime në banesa ka pasur edhe në fshatin Lapulec, Drenovë. Familja e Bilbil Koçiajt ka dy ditë që jeton në një mjet, pasi shtëpia e tij është shkatërruar. Ndërkohë përreth banesës duket qartë toka që ka rrëshqitur dhe ka dëmtuar edhe kasollet ku kjo familje mbante bagëtinë. "Sytë i kam te shteti, - shprehet Bilbil Koçiaj. -Jetoj së bashku me familjen në një makinë, ndërsa fëmijët e vegjël i kam çuar te njerëzit e mi".





Banesa e këtij shtetasi nga rrëshqitja e tokës është spostuar disa metra larg vendit ekzistues dhe është çarë në të gjitha dhomat. "Kemi dalë të tmerruar jashtë kur dëgjuam një zhurmë si tërmet dhe më pas pamë që shtëpia po lëkundej. Rreth 10 banesa kishin pësuar dëmtime, ndërsa rruga dytësore ishte çarë dhe nuk kalohej nga mjetet", vijon Bilbili.





Edhe banesa e shtetasit Klodian Alushi nga Drenova, nga rrëshqitja e tokës ka pësuar dëmtime të rënda. Një pjesë e dherave që kanë rënë nga kodra i janë afruar shumë banesës, ndërsa kjo e fundit në mjedisin e jashtëm, i cili ishte shtruar me çimento, ka dalë nga vendi duke penguar hyrjen e banorëve brenda.





Banorët thonë se janë të trembur dhe nuk futen brenda, pasi, sipas tyre, dëgjohen zhurma nëntokësore të frikshme, të cilat kanë tmerruar jo vetëm të vegjlit, por edhe të mëdhenjtë. Ujërat e dala nga toka kanë përmbytur një pjesë të oborrit. "Na ka ardhur në ndihmë komuna, - shprehet i zoti i shtëpisë, - duke larguar ujërat, por kjo nuk mjafton pasi dherat që kanë rrëshqitur nga kodra, do të përfundojnë brenda në shtëpi.





Kryetari i komunës Qendër, Agron Kapllanaj, u shpreh se janë evidentuar gjithë dëmet e ndodhura në infrastrukturë dhe banesa, të cilat do t'i paraqiten komisionit të ngritur për këtë rast në qark. Ndërsa kryetari i Qarkut Fier, Luan Muçaj, u shpreh se komisioni i qarkut është shpërndarë në të gjithë zonën duke ndjekur hap pas hapi situatën.