Autori i Lajmit: Denisa Kona
Në dyvjetorin e ndarjes prej nesh të Profesorit të nderuar, dermatologut Mantho Nakuçi, kujtimet e jetës së tij na vijnë përmes rrëfimeve në vite të atij vetë, të miqve dhe të historikut të shkruar të jetës së tij.

Ai ishte një ndër studentët e apasionuar pas rretheve shkencore. Mantho Nakuçi i ri do të merrte me entuziazëm rrugën e tij të gjatë dhe të palodhur të shkencës, pas dy çmimeve të para për punimet e tij në konferencat shkencore. Në punimin për hipnozën, bëri përshtypje të veçantë demonstrimi në hipnotizimin e pulës. Ky detaj që doktor Manthoja na kishte treguar një herë, u ngulit në kujtesë falë bashkëshoqërimit që i bëri me një thënie: “Mjeku kurrë nuk duhet ta përdorë hipnozën jashtë qëllimeve mjekësore. Është një betim i shenjtë”. Kur ishte ende student, për shkak të mungesës së mjekëve, ai shkon në rrethin e tij të Përmetit për të ndihmuar gjatë epidemisë së rëndë të fruthit. Erdhi viti 1957, kur Manthoja merr diplomën e mjekut së bashku me shokët e tij, që përbënin brezin e parë të mjekëve të diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë. Përvoja e tij si mjek është anekënd Shqipërisë, kudo ku kishte epidemi, ku kishte vuajtje njerëzore. Gjatë viteve të punës si mjek në Memaliaj, atij vetë i është dashur të kryejë edhe amputacione në rastet e aksidenteve të rënda. Nga ana tjetër nuk pushonte së interesuari për rritjen e sigurisë së punës në miniera ku kryente gjithnjë studimet e aksidenteve.

Specializimi në Dermatologji i hapi horizonte të reja Manthos. Në vitin 1963 njihet me Profesor Kadri Kërçikun me të cilin e lidhi një miqësi e fortë dhe një bashkëpunim i ngushtë për vitet që do të vinin. Por edhe me bashkëpunëtorët e tij të mëvonshëm si Kleo Miho, Mihal Caridha, Shyqyri Basha etj. Këtë vit ai njihet edhe me Profesor Torsujev i vili vjen për vizitë nga Bashkimi Sovjetik dhe ishte një leprolog mjaft i njohur dhe konspekton të gjithë artikujt e dermatologjisë të Enciklopedisë Mjekësore Ruse e cila kishte 40 volume dhe në atë kohë ishte nga librat më të zgjeruar dhe më bashkëkohorë të Mjekësisë.

Puna si dermatolog e gjen në rrethin e Durrësit. Shpirti i tij nuk gjen qetësi, ndaj mendon ta ngrejë në nivele të tjera punën. Vendos të bëjë disertacionin për një sëmundje të përhapur shumë në Shqipëri atëherë; dermatomikozat. Dr. Mantho, në kundërshtim me mendimet e atëhershme të disa kolegëve të tij që e konsideronin të kotë disertacionin, sepse ato ishin hequr me ligj, u përgjigjej:” Nuk e kuptoj këtë mendim. Disertacionet u hoqën me ligj, por shkenca mbetet. Për të zgjidhur problemet e dermatologjisë ne duhet të mbështetemi në shkencë.” Dhe ai kishte të drejtë, sepse më vonë disertacionet u rikthyen përsëri. “Baza e suksesit të punës, -thoshte,- është zbulimi i burimit të infeksionit, pra është Trichophitia Chronica e cila transmetohet nga një njeri i rritur në familje tek fëmijët.

Me biçikletën e tij “Mifa”, ai kontrollonte 3 herë në vit shkollat e gjithë qytetit dhe fshatrave të Durrësit dhe Kavajës. Rastet e zbuluara mblidheshin dhe kontrolloheshin familjet për burimin e infeksionit. Atëherë përshkroi për herë të parë në Shqipëri Trichofitinë me pika të zeza, material të cilin e botoi në Buletinin e Shkencave Mjekësore. Gjatë kësaj kohe i duhej të luftonte me mendimet burokratike që e akuzonin në fillim se për shkak të tij ishin rritur rastet me qerre në rreth. Ai shpjegonte se kjo ndodhte për shkak të zbulimit aktiv dhe se kjo ishte situata e vërtetë. Zbulimi i rasteve në të ardhmen do të sillte uljen e tyre ashtu siç ndodhi në të vërtetë, kur viti 1968 shënon një ulje drastike të rasteve me dermatomikoza. Kjo eksperiencë e nxiti më vonë të propozonte aksionin e madh të luftës kundër dermatomikozave në Shqipëri. Rezultat i këtij studimi është edhe filmi i tij “Dermatomikozat”, filmi i parë shkencor i Universitetit të Tiranës dhe jo vetëm i Fakultetit të Mjekësisë. Prof. Mantho organizoi edhe laboratorin mikologjik me analiza direkte dhe kultura të dermatofiteve, të cilat i bënte vetë.

Rezultatet e tij në rrethin e Durrësit nuk mbarojnë me kaq. Këtu ai vuri për herë të parë diagnozën e sëmundjes Crosti-Gianoti në Shqipëri. Për shkak të mospranimit të kësaj diagnoze nga disa kolegë, iu desh të lidhej direkt me profesor Crostin në Milano që vërtetoi saktësinë e diagnozës. Në këtë kohë profesor Mantho kërkonte metoda të reja mjekimi me ftohje, ndërsa aktualisht përdorej dëbora karbolike e cila arrinte deri në -30 gradë. Duke folur me inxhinierë të fabrikës së oksigjenit, arriti në konkluzionin se mund të përdorte azotin e lëngshëm që arrinte deri në – 196 gradë celsius. Me shumë përpjekje dhe prova arriti të përcaktonte mënyrën e mjekimit me pambuk dhe ruajten e tij në termus për mjekimin e sëmundjeve të ndryshme. Derisa arriti në këto konkluzione, kaloi në shumë peripecira, merrte të sëmurët me ambulancë dhe kryente mjekimin brenda në fabrikë. Me përcaktimin e parametrave, ai fillon studimin shkencor për këtë metodë, rezultatet e të cilit i boton përsëri në Buletinin e Shkencave Mjekësore në vitin 1966, ku tregohen rezultatet e mjekimit të rreth 40 sëmundjeve të lëkurës me azot dhe me vlerësimet ku mund të përdorej dhe ku jo. Më vonë mësoi se kjo metodë vetëm para disa vitesh kishte filluar të përdorej në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vendet e Evropës Perëndimore kjo metodë u përhap pas viteve 1980-të.

Në Durrës ai zbuloi të parin rast me lepra për të, nga ku nisi edhe rrugën e gjatë të luftës kundër leprës në Shqipëri deri në fitore. Atje ai ishte iniciatori i prodhimit të imunoglobulinave në Durrës. Dhe të gjitha këto, pas një pune të madhe të përditshme në spital e poliklinikë dhe pas një lufte me kundërshtarët e tij të cilët ose nuk kuptonin rëndësinë e punës ose nga xhelozia, përpiqeshin ta frenonin. Në mbledhjen e partisë të shërbimit shëndetësor, për prof. Manthon u kërkua dënimi për mjekimin me azot, se gjoja dëmtonte shëndetin e njerëzve dhe si shkaktar i rritjes së numrit të rasteve me dermatomikoza. Por një njeri e vlerësoi lart punën e Profesor Manthos. Ky ishte paraardhësi i tij, Profesor Kadri Kërçiku.





Një tryezë për mësuesin e tij, Prof. Kërçikun



Emërimi si pedagog në vitin 68 shënon hapin tjetër të rëndësishëm të karrierës së tij. Në vitin 1972, Prof. Kadri Kërçiku del në pension dhe me propozimin e tij, Shef i Klinikës së Dermatologjisë emërohet Mantho Nakuçi ndonëse i ri në moshë. Dëshira e parë e tij si shef, ishte nderimi i mësuesit të tij. Ja si e përshkruan bashkëshortja e tij, Marianthi, këtë periudhë. “Manthua ishte simbol i njeriut mirënjohës, simbol i njeriut i cili nderon në shkallën më të lartë mësuesin dhe paraardhësin. Veprimi i parë i tij si shef klinike ishte sjellja e një tavoline tjetër pune në zyrën e shefit. I drejtohet ish- shefit të tij të dalë në pension dhe i thotë se zyra është e të dyve dhe ishte i mirëpritur të vinte sa herë të donte këtu në klinikë, sepse ai ishte dhe do të ishte përherë shefi i saj. Por, fatkeqësisht profesor Kërçiku pas disa muajve largohet nga jeta dhe atëherë, për herë të parë kam parë Manthon të qajë. Ai kishte humbur mësuesin, kolegun, bashkëpunëtorin dhe paraardhësin të cilin nuk e harroi kurrë. Edhe disa ditë para largimit nga jeta, Manthoja mendonte të organizonte një konferencë për nder të 100-vjetorit të lindjes së Kërçikut. Ai dërgoi nekrologjinë e Kërçikut në Gjermani tek Prof. Kleine Natrop i cili e boton në revistën gjermane dermatologjike. Por në vend të përshëndetjeve, organizata e partisë kërkon ta dënojë, se ai kishte guxuar të shkruante në një revistë të huaj dhe për më tepër, për një ish borgjez si prof. Kërçiku. (Kërçikun e konsideronin si borgjez për faktin se para sistemit komunist ishte bir i një familjeje të pasur, por e mbajtën në punë për shkak të aftësive të tij profesionale.) Fati i Manthos do të ndryshonte, po të mos ishte ndërhyrja e Haxhi Kroit, sekretarit të Enver Hoxhës i cili u tha se për Shqipërinë është nder të shkruhet për profesorët e saj.” Kështu rrëfen gruaja e të ndjerit, Prof. Manthos, Marianthi.





I kërkoi Manush Myftiut dermatologë për të gjitha rrethet

Në drejtimin e Klinikës, ai i shpalli luftë rehatisë, kërkonte me çdo kusht ngritjen e nivelit të punës së përditshme në punë shkencore. Dhe gjithë puna shkencore deri në ditën e daljes në pension përshkohet nga ky motiv: Ta kthejmë rutinën në shkencë. Me fillimin e punës, ai u interesua që të gjitha rrethet e Shqipërisë të plotësoheshin me mjekë dermatologë. Dhe për këtë qëllim i bën një kërkesë të veçantë Nënkryetarit të atëhershëm të Këshillit të Ministrave, Manush Myftiut duke i kërkuar marrjen e masave për plotësimin me dermatologë të të gjitha rretheve të Shqipërisë. Kërkesa u pranua dhe kështu u dërguan për specializim mjekë për çdo rreth. Edukimi profesional i Dermatologëve, i specializantëve dhe i studentëve ishte në qendër të vëmendjes së Mantho Nakuçit.









Si një prijës, si një kalorës, si një luftëtar trim në beteja humane

Luftove gjithë jetën leprën, që torturonte njerëzinë si fantazmë

Dhe dole nga ky luftim i gjatë dhe i vështirë, fitimtar.

...Prehu i qetë në botën e përtejme omiku i njerëzve në nevojë

Në kujtesën tonë dhe të mjeksisë shqiptare, do tmbetësh një yll i artë.



Feksor SHKURTI

Tiranë, më 27 shkurt 2008



Shtëpia jonë



Çerdhja jonë e ngrohtë, shtëpia

Ku si zgjua bletësh jeta ziente

Ku përkushtimi, puna, dashuria,

Si gonxhe trëndafil shpërthente.



Kur nga Vjena dikur u ktheve,

Mallin e shuam, ngjallëm gëzime,

Por kur u ule, në shpirt çfarë ndjeve

Kur the: “O o o ..shtëpia ime !?”

Malli ne prapë na ka marrë,

Të tpresim me gaz në shtëpinë tonë

Po ti prej nesh, oh ! ti je ndarë.

Na le mallin përgjithmonë.



Prej teje shtëpia si tërmet u lëkund,

Krisën muret, gjithçka u drodh.

Ti nuk dukesh asgjëkund.

Vrer në zemër na u mblodh.



Në shtëpinë tonë jeta vazhdon,

Te njeri-tjetri më fort mbështetur,

Po malli e dhimbja në shpirt na rëndon

Se vendi yt këtu bosh ka mbetur.



Po dhe i ikur ti na ngele

Midis nesh në këtë vend,

Se skalitur në themele

Shtëpia jonë mban Emrin tënd.

26 shtator 2008



Stë heq nga mendja



Se kur në jetën time ti erdhe pa pritur

Unë pashë qartë qiellin yjendritur

Se si fllad i freskët hyre në zemrën time.

Nga gjumi më zgjove, më hodhe nëndërrime.



Se natyra e qeshur, bilbilat në kor,

Kënduan aq ëmbël në atë nëntor,

Dhe në vallen që hodhëm na vunë kurorë.

Kurorë argjendi, të bardhë dëborë.



Se si ëndërr e bukur ishte jeta jonë,

Çelte trëndafilë e lule me aromë.

Se si thesar i rrallë jetën ma zbukuroje

Se simbol virtytesh për rreth rrezatoje.



Se ngrohtësi dielli mua më dhurove

Dhe me dritë hëne seç më ledhatove

Nga qielli këpute tre yje arlarë

Më le pasuri- një varg margaritarë.



O diell i jetës sime, sa shpejt perëndove,

Derdhe, derdhe dritë, pa pritur u shove.

Në muzgun e mbrëmjes zemra më pikon.

Dhe era e ftohtë po më fshikullon

4 tetor 2008



3F-të

I pasionuar pas familjes, fotografisë dhe fizarmonikës



Një nga arritjet më të rëndësishme të tij, ai konsideronte familjen. Bashkëshortja Marianthi që ishte një mbështetëse e apasionuar e punës së tij ishte një nga kosulentet më të rëndësishme. Dermatologjia ishte problem i familjes. Konsultohej me vajzat Ermirën dhe Loretën dhe kishte kënaqsi të veçantë që arriti të punonte së bashku me dalin e tij dermatolog Mikelin. Ai frymëzohej me rezultatet shumë të larta të fëmijëve të tij dhe veçanërisht kur ata krijuan familjet e tyre. Dhëndurët Asllan dhe Ladi si dhe nusen Oltjana, i donte njëlloj si fëmijët e tij. Ishte gjithonë pranë nipave dhe mbesave Lisit, Besit, Borës, Joanës, Patrisit dhe Aleksias që i jepnin një kënaqësi të veçantë se ishin vërtet fëmijë shumë të talentuar. Gjithnjë përsëriste “Jam ngritur në përgjegjësi, jam bërë gjysh”. Përveç të tjerave, ai ishte edhe një artist. Ishte anëtar i shoqatës së fotografëve të Shqipërisë si edhe anëtar i shoqatës “Mjekësia, Letërsia, Arti”. Ka organizuar ekspozita fotografike në Shqipëri dhe jashtë saj. Luante mirë në fizarmonikë dhe ka botuar librin me poezi “Në prehërin e nënës”. Në këtë fushë konkuronte me bashkëshorten e tij Marianthi, e cila ka botuar librin me poezi “Ju kam në shpirtin tim”.





Kualifikimi shkencor:

“Kandidat shkencave”. Mbron disertacionin “Dematomikozat në rrethin e Durrësit” 1974

“Docent”. Titulli i jepet në vitin 1979

“Doktor i Shkencave”. Mbron disertacionin më 1989 me temë “Delenda Lepra”

Profesor. I jepet titulli profesor në vitin 1994

Karriera shkencore:

1968-1972 Pedagog në Fakultetin e Mjekësisë Tiranë

1972-1993 Shef i Klinikës së Dermatologjisë. Fakulteti i Mjekësisë Tiranë

1991-1993 Themelues dhe President i Shoqatës së Dermatologëve të Shqipërisë

1991 Anëtar i Shoqatës së dermatologëve Francezë

1996 Anëtar i Shoqatës së Dermatologjisë Greke

2003. Anëtar Nderi i Shoqatës së Dermatologëve të Kosovës

2002-2008 Drejtor i Institutit të Studimeve Dermatologjike në Tiranë

2004 Kryeredaktor Nderi i revistës “Acta Dermatologica Albanica”

Dekorime dhe nderime:

“Qytetar Nderi” i qytetit të Përmetit

Urdhri “Për shërbim të mirë të popullit”

Urdhri “Naim Frashëri” si pedagog

1984- Anëtar i Shoqatës së Fotografëve Shqiptarë

2000 Anëtar i Shoqatës “Mjekësia, Letërsia, Arti”





Pedagogu që elektrizonte sallën



Profesor Manthua ishte një pedagog i shkëlqyer. Çdo tre muaj zhvilloheshin seminare me mjekët dermatologë të të gjithë Shqipërisë në rrethe të ndryshme, sesione shkencore me mjekët, sesione të përvitshme shkencore me studentët dhe rrethet shkencore të studentëve me një pjesëmarrje shumë të lartë. Të gjitha këto aktivitete pasqyrohen në librin e proçes-verbaleve të klinikës. Qindra studentë të mjekësisë kaluan nga rrethet shkencore të dermatologjisë dhe midis tyre shumë nga profesorët e sotëm të mjekësisë shqiptare. Profesor Mantho elektrizonte sallën në leksionet e dermatologjisë, nxiste optimizmin dhe tregonte qartë tek studentët, bukurinë e shkencës dhe të zgjidhjes së problemeve dermatologjike të njerëzve. Ai dinte të hapte prespektiva, dinte të mësonte të tjerët si të realizonin ëndrrat e tyre, ndaj edhe rrethet shkencore mbusheshin me studentë. Studentët i shihte jo vetëm si objekt i edukimit, por edhe si mjekë të ardhshëm me forca të pashtershme për të zgjidhur problemet e dermatologjisë, ndaj ata ishin të pranishëm në depistimet e leprës dhe të sëmundjeve të tjera dermatologjike në të gjithë Shqipërinë. Ata ishin të pranishëm me kontributin e tyre në përpunimin e materialeve pa mbarim të klinikës së dermatologjisë për një periudhë 50- vjeçare dhe gjithashtu në referimet e punimeve shkencore në sesionet e tyre ose të mjekëve dermatologë.





Peripecitë për të bindur qeverinë për ilaçin e zgjebes





Shkenca për Manthon ishte baraz me zgjidhjen e problemeve të vendit, ndaj një problem tjetër që preokuponte shërbimin dermatologjik ishte qerrja ose dermatomikozat endemike. Në bazë të studimit të tij në rrethin e Durrësit, ai i propozon Ministrisë së Shëndetësisë marrjen e një aksioni të madh për luftën kundër dermatomikozave në Shqipëri. Lufton me shpirt në Kolegjiumin e Ministrisë mendimet se dermatomikozat e kanë origjinën nga toka dhe nuk mund ti luftojmë. Në bazë të propozimit të tij, u arritën të mjekohen rreth 110000 të sëmurë me qerre dhe problemi nga endemik u kthye në sporadik. Një problem tjetër që e shqetësoi shumë, ishte epidemia e zgjebes në Shqipëri. Mungesa e ilaçeve rezultative e bëri që të eksperimentonte te njerëzit një mjekim të ri kundër zgjebes me Dipterex dhe Fluorosilikat natriumi. Ky mjekim nuk ishte përdorur akoma te njerëzit. Vetëm veterineri Murat Manehasa e kishte përdorur më parë te kafshët. Së bashku, ata eksperimentuan mjekimin në njerëz. Kontrolluan kolinesterazën në grupin e kontrollit për shkak të mundësisë së frenimit të saj dhe vunë re se mbetej në nivele fiziologjike gjatë mjekimit, prandaj ishte një preparat i pranueshëm për organizmin. Rezultati i mjekimit ishte i mrekullueshëm. Ndryshe nga mjekimet e tjera të zgjebes, ky ilaç kishte përparësinë e përdorimit të lehtë, ishte pa ngjyrë, pa erë, me pamjen e ujit dhe shumë rezultativ. Megjithëse epidemia vazhdonte, ilaçet mungonin dhe mjekët nuk ishin të sensibilizuar për gjendjen, aparati shtetëror tregohej shumë i ngathët. Mantho duke studjuar literaturën dhe të dhënat 50- vjeçare të klinikës së dermatologjisë, vërtetoi edhe një herë karakterin ciklik të epidemive të zgjebes. Perspektiva dukej e zymtë dhe pritej që rastet të shtoheshin tej masës.

Atëherë, i revoltuar për mungesën e marrjes së masave i drejtohet Sekretarit të Parë të Rrethit të Tiranës, Xhelil Gjonit me shprehjen. “Do ti lemë njerëzit të punojnë apo të kruhen?”. Kjo ndërhyrje ndikoi që të mblidhej kolegjiumi i Ministrisë së Shëndetësisë i cili mes debateve të zjarrta, miratoi ilaçin e ri të zgjebes dhe marrjen e masave antiepidemike, duke vënë në lëvizje personelin shëndetësor. Kështu, epidemia u kufizua. Ilaçi i ri për zgjeben u aprovua në vitin 1985 nga Ministria e Shëndetësisë dhe në vitin 1994 u paraqit në Kongresin Europian të Dermatologjisë nga Mikel Nakuçi në Kretë.

Profesori që zbuloi karakterin ciklik të epidemive

Kontributi shkencor i Mantho Nakuçit prek të gjitha fushat e dermatologjisë. Me veti të veçanta si pasioni, dashuria për të sëmurin, aftësia shkencore dhe karakteri i papërkulur, ai punonte pa u lodhur për arritje të mëdha. Me mendimet dhe aftësinë e tij për të vërejtur dhe parashikuar, ai i paraprinte kohës dhe shumë herë realizonte vepra më përpara në kohë se vende të tjera perëndimore (zbulimi i azotit të lëngshëm si mjekim në dermatologji përpara shume vendeve të Evropës perëndimore, futja e multidragterapisë në lepra në bazë të eksperiencës së tij, disa kohë përpara daljes së udhëzimeve të OBSH). Ai donte të kuptonte ligjet e përhapjes së sëmundjeve ndaj së bashku me bashkëpunëtorët studjoi epidemiologjinë e semundjeve të lëkurës për 50 vjet në klinikën e dermatologjisë, në institutin e studimeve dermatologjike, epidemiologjinë e sëmundjeve të veçanta (lepra e cila shpërndahej në zona të veçanta si për shembull në disa zona ishte e pranishme vetëm në një krah të lumit), dermatomikozat të cilat ndryshuan strukturën e tyre mbas aksionit të madh për luftën kundët tyre, scabies ku vërtetoi edhe një herë karakterin ciklik të epidemive që na çon në konkluzionin e përsëritjes në një periudhë të ardhshme etj. Vërtetoi së 7 sëmundje janë ato që zënë rreth 50% të punës në shërbimin ambulator etj. Ishte i papërkulur deri në arritjen e diagnozës së saktë me rreth 30 diagnoza për herë të parë në Shqipëri.





Diagnostikoi për të parën herë 30 sëmundje të lëkurës në Shqipëri

Profesor Manthua ishte një klinicist i shkëlqyer. Ai diagnostikoi për herë të parë në Shqipëri rreth 30 sëmundje të lëkurës, si Acrodermatitis papulosa infanilis, Granulomatosa Mischer (Necrobiosis lipoidica non Diabeticorum), Displazia ectodermale Anchydrotica, Sindromi Mazenaur Poland, Syndromi Grondblad Strandberg, Hialinosis cutis et mucose, Tr. Cutis glabre chronica, Morbus mondor, Epulis granulomatosa, Infiltrati limfocitar Jessner Kanoff, Trichophytia capilliti me pika të zeza, Moniletrix, Morbus Sneddon Ëilkinson etj. Një rast tregon qartë aftësinë e tij për vënien e diagnozës.



Dr. Mantho katedrës: “Diagnoza nuk vihet me vota”



Mbas vendosjes nga profesor Nakuçi të diagnozës “lepra” në një të sëmurë, shumë mjekë të tjerë kundërshtonin sepse i sëmuri kishtë lidhje me njerëz të pushtetit, ndaj e thërrasin Manthon në dekanat. Aty i kërkojnë të ndërrojë diagnozën. Përgjigjja e tij ishte se nuk mund të ndërronte diagnozën, kur nuk ishte në dorën e tij dhe diagnoza ekzistonte realisht, pavarësisht dëshirës së secilit. Duke vënë në dukje se shumë mjekë të tjerë nuk ishin dakort, i kërkuan përsëri të hiqte dorë nga mendimi se i sëmuri kishte lepra. Dhe mbeti historike shprehja e tij se “Diagnoza nuk vihet me vota”. Pas debateve të zjarrta, u vendos që biopsia të dërgohej në Hungari. Ardhja negative e përgjigjes nga Hungaria nuk e lëkund Manthon në bindjen e tij. Pas rekasioneve të forta, qëndrimi i tij mbetej i palëkundur, ndërsa vendoset të dërgohet edhe një herë biopsia, këtë herë në Austri, ku përgjigjia vjen pozitive për lepra. Aftësinë për të diagnostikuar drejt, e ruajti deri në fund të jetës së tij. Niko Kristoforu, histopatolog i lëkurës dhe nxënës i të famshmit Akerman (histologut amerikan më të njohur ne botë), shprehej për Manthon: “Ai është një diagnostikues klinik i nivelit botëror. Ai vë diagnoza të sëmundjeve të lëkurës që edhe në biopsi paraqesin vështirësi të mëdha. Këtë e them, sepse konsultohemi gjithmonë për rastet e tij.”





Vlerësimet e profesorëve të huaj e shqiptarë



*Prof John Hatziz nga Universiteti i Janinës

“Mantho është një person akademik i vërtetë në vendin tuaj, por gjithashtu edhe një ambasador i Universitetit të Tiranës dhe përgjithësisht i Shqipërisë jashtë saj. Kur shoh ose mendoj për Manthon, tre dimensione nuk i mjaftojnë. Ai është në të vërtetë një njeri multidimensional në një shkallë shumë të lartë. Ai është doktor dhe dermatolog, pedagog dhe shkencëtar, humanist dhe filozof, epidemiolog dhe leprolog, autor i shumë librave dhe filmave shkencorë, mik dhe gjysh gjithashtu” (2002)

*Prof. R. Degos nga Franca

“Unë po e vë nga ana Juaj, këtë vepër në Muzeun e Spitalit të Shën Luigjit, ku do të mund të konsultohet nga një numër i madh dermatologësh francezë dhe të huaj që vizitojnë këtë tempull të dermatologjisë franceze”. (1981)

*Prof. Arqile Teta

“Mantho ka bërë kaq shumë, sa për disa jetë. Ai i ka dhënë popullit dhe atdheut të vet vepra me emër, duke i lënë familjes trashëgimi intelektuale të një kalibri të pazakontë dhe ka shtjelluar horizonte të reja për brezat që vijnë”.







Atë që e desha

Atë që e desha si dritën e ditës,

Atë se kam më në jetë,

Shpirti më digjet nga malli zhuritës

Që copash ma bën zëmrën e shkretë.



Një jetë iku, smë kthehet më,

Në rreth rrotullues vërtitem pa mënd,

Përmbysur shoh botën, pa ngjyra, pa zë,

Vetëm malli më mbetet në vend.



Malli-diell përvëlues në shkretëtirën e pafund

Ku etja e paduruar të ndjek pa mëshirë,

Të freskohesh pak sgjen burim gjëkund,

Nuk gjen asnjë hije në shkretëtirë.



Atë që si ajrin e desha, se kam më,

Nga vendi ku prehet smë përgjigjet mua,

Të helmuar, të vrarë, të humbur më lë,

Dhe unë me dhimbje vazhdoj ta dua.

17 nëntor 2009



Vrapoje, vrapoje



Vrapoje, vrapoje, tërë kohën vrapoje,

Dhe, të merrje frymë, sndaloje asnjëherë

Drejt horizontit të hapur sa larg shikoje,

Të kapje aty çdo dritë, çdo erë.



Korrje duke vrapuar dhe me ngarkesa të rënda,

Pastaj i kënaqur thoshe: “farën kot se hodha”.

Nuk e njihje dhe as ta kishte ënda,

Të ankoheshe me shprehje “u lodha”.



Kur ndihmë të kërkonin në rrugën e gjatë,

Dorën e ngrohtë u jepje pa ngurruar,

Forcën, mendjen, njohuritë, zemrën e artë,

Ua falje me lehtësi, kënaqësi, nga shpirti buruar



Kur të thosha e të lutesha të pushoje,

“Jo,-më përgjigjeshe,-skam kohë që të rri !”

Unë e di se dhe dhjetë jetë të tjera po të jetoje

Ti të njejtën gjë do të bëje përsëri.



Veprat që le duke vrapuar,

Dalë me shpirt, me gjoks, me mend,

Ashtu të pastra dhe praruar

I bëjnë dritë emrit tënd.



Me vrap fillove që në të aguar,

Me vrap vazhdove, duke çarë retë

Por, oh, çtë pati detyruar

Që vrapimthi të ikje nga kjo jetë ?



Në shpirt dhimbjen mbaj me zor,

Ti yll rrezatues, i palëvizshëm na u duke.

Por për një çast u këpute, kalove si meteor,

Dhe sa shpejt, sa shpejt u zhduke!

Tiranë, 15 maj 2008.





Ai kërkonte gjithmonë të bashkëpunonte me dermatologët kosovarë. Por kjo ishte e pamundur në periudhën e monizmit. Ardhja e librit të Dermatologjisë të Profesor Simë Dobrecit në Tiranë me kërkesën që Mantho të bënte reçensionin e tij, ishte një moment i vërtetë gëzimi për të. Këtu filloi edhe një miqësi midis tyre e cila u konkretizua mbas ardhjes së demokracisë në Shqipëri. Në rastin e parë që mundi, shkon në Prishtinë dhe takohet atje me kolegët kosovarë në Klinikën e Dermatologjisë. Ëndrra e tij për organizimin e një Kongresi të Dermatologjisë Mbarëshqiptar nuk u realizua, por pjesëmarrja e tij në Simpozium e parë të Dermatologëve Kosovarë ku u zgjodh anëtar nderi i shoqatës së tyre, ishte me të vërtetë një moment që nuk do ta harronte kurrë.



Bashkëpunimet e mëdha dhe rezultatet në zhdukjen e leprës



Një vend të veçantë ne veprimtarinë e tij, zë puna për likuidimin e leprës në Shqipëri. Nga viti 1972, ai filloi një fushatë të vërtetë për çrrënjosjen e saj. Punoi shumë për mjekimin e të sëmureve leprozë dhe futjen e skemave të reja të mjekimit. E ktheu mjekimin e leprozëve nga monoterapi në multiterapi për shkak të recidivave të para dhe këtë e bëri disa vjet përpara se udhëzimet e OBSH të orientonin drejt kësaj terapie. Kontrollonte vazhdimisht të sëmurët dhe të afërmit e tyre, bëri kimioprofilaksinë e njerëzve të kontaktit me BCG dhe dapson, gjithashtu nëpërmjet metodave te reja imunologjike së bashku me Prof. Genc Sulçebegun, zbuloi 7 raste me lepra të pashfaqur të cilët kishin të rrritur antitrupat kundër antigenit glicolipidphenolic1. Këto raste u mjekuan si të sëmurët e tjerë. U bënë depistime të gjera në rreth 6000 njerëz në zonat endemike të leprës dhe nuk u gjet asnjë rast i ri. Përveç punës konkrete, studjoi edhe aspekte të rëndësishme të leprës me bashkëpunëtorët e tij të tjerë. Ndoqi mjekimin nëpërmjet biopsive së bashku me anatomatologët e Spitalit nr1 në Tiranë. Përgatiti testin e lerpominës dhe studjoi ndryshimet në substancën e kromatinës në të sëmurët me lepra me biologun Mustafa Serezi. Studjoi substancën kromatine në qelizat epiteliale të gojës së bashku me histologun Skender Çiço. Bëri studime gjenetike për grupet e gjakut, dermatoglifikën, gjenealogjië e familjeve të leprozëve së bashku me djalin e tij, dermatologun Mikel Nakuçi dhe kështu arriti në përfundimin se lepra është zhdukur në Shqipëri. Merita e padiskutueshme e kësaj fitoreje është vepra e Profesor Mantho Nakuçit.



E nxjerrin në pension sapo kishte vendosur kontakte të rëndësishme me botën



Njohja ndërkombëtare e Profesor Mantho Nakuçit pati një pikë kulmore me botimimin e librit “Atlasi i Sëmundjeve të Lëkurës” në vitin 1978. Universiteti i Tiranës për të forcuar lidhjet e tij ndërkombëtare e çon në rreth 10 klinika Dermatologjike të Europës. Në vizitën e Rektorit të Universitetit të Athinës në Tiranë, i bëhet dhuratë atlasi si një nga veprat më të mira të Universitetit të Tiranës. Me këtë vepër, nderohet me “Çmimin e Republikës”. Pas vitit 1990, kur filloi hapja e Shqipërisë, ai pa mundësi te reja për Dermatologjinë Shqiptare. Si një pedagog i pandarë nga studentët e tij, duke shkuar me ta në çdo cep të Shqipërisë, duke i mësur, por njëkohësisht edhe dukë u dhënë mundësinë e kontributit në shkencë, ai bën një vizitë me studentët e rrethit shkencor të dermatologjisë në Klinikën e Dermatologjisë të Universitetit të Janinës. Po në këtë klinikë më vonë bën një leksion për leprën dhe paraqet filmin e tij. Ai paraqet punën në pothuajse të gjithë vendet ballkanike dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 1993. Merr pjesë në Kongresin e Leprës në Florida, bën një vizitë ne Klinikën Dermatologjike të Bostonit, tek Profesor Kurban, me të cilin bën edhe një program për mundësinë e kualifikimit të dermatologëve shqiptarë. Atje takon at Artur Liolinin me të cilin organizon mbledhjen e ndihmave për familjet leproze në Shqipëri në këtë periudhë të vështirë ekonomike të vendit. Për këtë iniciativë, At Artur Liolini i dërgon më vonë një letër me falenderime dhe vlerësime për punën në ndihmë të leprozëve.

Me kthimin nga SHBA ku kishte thurrur plane të reja për dermatologjinë, i njoftojnë daljen në pension. Kërshtu konjukturat politike e larguan nga detyra dhe pasioni i tij para kohe. Ky fakt e vret shumë Manthon. Fillon një periudhë e vështirë për të. Pas disa vitesh e largojnë edhe nga shtëpia, së cilës i kishte dalë pronari i vjetër. Kjo do të ishte një goditje e rëndë për çdo njeri, por ai nuk dorëzohej. Në këtë kohë, Profesor Thoma Kristo thoshte : “Nënë Tereza i ndihmoi të sëmurët me lepra dhe e bënë shenjtore. Mantho e zhduku leprën nga Shqipëria dhe e lanë pa shtëpi.” Dhe është interesante, se si historia përsëritet. E njëjta gjë ndodhi edhe me Dr. Anton Ashtën, i cili luajti rolin kryesor në zhdukjen e malarjes në Shqipëri. Regjimi i mëparshëm as shtëpi për të jetuar nuk i siguroi. Pavarësisht se filloi punë si mjek privat, detyrohet të humbiste shumë kohë për gjyqet që kishte me shtetin për shtëpinë. Kjo e pengonte të kontribonte më shumë në dermatologjinë shqiptare. Më vullnetin e tij të hekurt arriti të fitonte të drejtën e tij për shtëpinë dhe kjo i hapi rrugën për përkushtim akoma më të madh punës shkencore. Themelon Institutin e Studimeve Dermatologjike në vitin 2002 në Tiranë, me anë të të cilit dëshiron të vazhdojë më tej. Këshu punon shpesh me djalin e tij dermatolog dhe me kolegë të tjerë për zhvillimin e dermatologjisë në ato vite të vështira në Shqipëri. Profesor Hektor Peçi në emisionin televiziv me Dr. Flamur Topin më 17 Prill 2008 për nder të Profesor Manthos, tregon :” Mantho punonte shumë, dhe në ndryshim nga njerëz të tjerë që fitimet e punës i bënë vila, ai financonte konferencat shkencore dhe botimet dermatologjike” Ai bën deri në fund të jetës në Institut deri në 50.000 vizita dhe mjekime. Së bashku me djalin etij Mikelin, organizuan arkivin me fotografi dermatologjike me rreth 30.000 foto, dixhitale, foto në letër dhe diapozitiva. Organizuan dhe mbajtën në internet revistën e parë mjekësore Shqiptare AMJOL (Albanian Medical Journal Online) Kjo revistë vazhdoi për 2 vjet e gjysmë. Si i apasionuar pas fotografisë, u entuziazmua shumë kur i erdhi dita të merrte një aparat fotografik dixhital. Në moshë jo te re mësoi mirë të përdorë kompjuterin dhe filloi të organizonte arkivin e tij dixhital. Organizuan së bashku me Mikel Nakuçin 5 Konferenca shkencore vjetore të Institutit, në të cilat merrnin pjesë të ftuar të huaj, kolegë nga Kosova dhe fatkeqsisht vetëm pak dermatologë nga Tirana. Megjithatë kjo gjë nuk e ndalonte të kalonte në arritje të reja. Në Munih takohet me Profesor Ring, Presidentin e Akademisë Europiane të Dermatologjisë, në Firencë me Profesor Lotin, në Paris me Profesor Civatte etj. Kupton se zhvilimet e reja në dermatologji duheshin reflektuar edhe në Institutin e Studimeve Dermatologjike dhe kështu së bashku me Mikelin organizon Degën e Dermatologjisë Kozmetike. Sjellin aparatura lazer, mikrodermabrazion, dermatoskopi, fillojnë mjekimet me Botox, Fillers, Mesotherapi, etj.

Botimet

Përvoja e Manthos në mjekimin e sëmundjeve, në kërkimet shkencore, në praktikën klinike në klinikën e dermatologjisë dhe institut, u përmblodh në veprën e tij të gjerë prej 14 librash shkencorë si dhe reth 90 botime në revista shqiptare dhe të huaja të dermatologjisë. Veprat e tij kryesore përfshijnë “Dermatomikozat” (1974), “Atlasi i sëmundjeve të Lëkurës” (Botimi i parë 1978), “Banjat e detit” (shqip, anglisht 1964,1994), “Zgjebja dhe lufta kundër saj”(1985), Kapitullin e sëmundjeve profesionale të lëkurës në librin e sëmundjeve profesionale, “Sëmundjet e lëkurës dhe veneriane” (Për studentët 1992), “Beteja kunder leprës në Shqipëri” (2001). Ka botuar 4 vëllime “Studime dermatologjike” 1,2,3,4. (i fundit në vitin 1988) të cilat janë përmbledhje e punimeve dermatologjike të kryera në Shqipëri dhe që përbëjnë një përpjekje të parë drejt revistës sonë të tanishme dermatologjike. Këtë histori kanë edhe vende të tjera europiane të cilat përshkuan rrugën e permbledhjeve të punimeve para se të arrinin në revistën e tyre dermatologjike.

Ëndrra dhe vepra e tij e fundit “Atlas i Dermatologjisë” filloi të bëhej realitet. Në vitin 2007 ai boton së bashku me djalin e tij, dermatologun dhe doktorin e shkencave të Universitetit të Janinës, Mikel Nakuçi, volumin e parë. Si për ironi të fatit, historia përsëritet. Një nga punët e para të Manthos pas vdekjes së Profesor Kadri Kërçikut, ishte përfundimi i veprës së madhe të paraardhësit të tij, Traktatit të Dermatologjisë “Dermatologjia dhe Venerologjia”, në të cilën Mantho Nakuçi është bashkëautor. Kështu, me shumë përpjekje ai arriti ta nxirrte nga botimi 2 vjet pas vdekjes së Profesor Kërçikut në vitin 1974. Po kështu edhe Mantho e lë veprën e tij të fundit për ta përfunduar në dorën e bashkëautorit Dr. Mikel Nakuçit.



Ky lajm është publikuar: 15/04/2010