Autori i Lajmit: Redaksia








Sporti dhe veçanërisht atletika, ishte pasioni i saj, një ëndërr që tashmë e sheh të realizuar tek djali i saj. Marjana Gjoka, një ndër atletet më të njohura të viteve 60 dhe njëkohësisht edhe basketbolliste e ekipit të “Kastriotit” të Krujës jeton prej 19 vitesh në një qytet të vogël në Greqi, e kjo nënë shqiptare, me guximin, dashurinë dhe punën e saj ka mundur të mposhtë racizmin e të ndryshojë krejtësisht mendimin mbi shqiptarët në këtë provincë të Selanikut. “Në Greqi kam që në vitin 1991. Jam ndër veteranet, jetoj në veri, afër Selanikut. Qyteti Edesa-Skidra është pikë turistike. Është një vend me bukuri përrallore, vend frutor”, tregon Marjana. Më tej ajo vazhdon duke rrëfyer me modesti punën e saj të thjeshtë që bën atje, por krenare, “Punoj si ndihmëse shtëpiake, pastroj fabrikë (zyrat) si dhe Eurobank e përveç lodhjes fizike është edhe ajo psikologjike, pasi çdo ditë oreksi nuk është i njëjtë për punë. U mësova me fjalët “Bravo” “Je e përkryer”, e pas punës së lodhur kur nga grekët ke marrë si dhuratë këto fjalë kaq të ëmbla, që rrallë i nxjerrin nga goja për një të huaj, çlodhin e më mbushin me energji për ditën tjetër”. Ndërsa në Shqipëri, pasi braktisi sportin, punoi si shefe llogarie pranë Këshillit Popullor në Koplik nga viti 1977 e deri në vitin 1991, ajo tregon me modesti se, “Është e vërtetë që ka një ndryshim të madh, çdo punë siç ka rëndësinë e vet ka edhe lodhjen. Atje puna ime ishte e vështirë, me llogarinë dhe kontrollet në ekonominë e institucioneve të ndryshme që kishim në ngarkim, e megjithë vështirësitë e veta ajo punë kishte më shumë lodhje mendore, e kjo që bëj në Greqi ka lodhje fizike”. Ndërsa shqiptarja rikthehet në vite, për të rikujtuar edhe njëherë dashurinë dhe pasionin për sportin, që e mban të lidhur edhe sot djali i saj, ajo pohon se, “Në shkollën fillore kujtoj që pranë meje kisha mësuesen e dashur Drita Nikshipi, e cila kishte në patronazh vajzat e vogla akrobate të Laçit. Që nga ajo kohë në pasionin tim ishte sporti. Pra fillova akrobate dhe vazhdova me mësuesin e gjimnastikës Filip Nita, i cili më zbuloi të dhëna në atletikë. Nga këta dy mësues të shkëlqyer filloi jeta ime me sportin, e cila vazhdoi edhe në shkollën e mesme me mësuesin e fizkulturës Ndue Tarashi, që me stërvitje të fortë e të lodhshme bëri që për shumë vite emri im të mbajë vendin e parë në garat 800 metra, 1000 metra e 5000 metra. Në të njëjtën kohë të merrem edhe me basketboll duke përforcuar ekipin “Kastrioti” të Krujës për shumë vite me trajnerin e palodhur Pjetër Xhuxha. Kush mund ti harrojë ato vajza çapkëne nga qyteti i vogël Laç të përfaqësojnë qytetin Krujë”. Por, nëna që ka sakrifikuar veten, për tre fëmijët e saj, që i ka rritur e vetme, flet me krenari. Megjithëse dy vajzat e saj më të mëdha jetojnë larg, në një tjetër shtet, Marjana tregon se ato e kanë gëzuar pa masë me nipërit dhe mbesën. “Vajza ime e parë Xhoana, sot është e martuar dhe jeton në Itali me një familje të mrekullueshme. Ka 2 fëmijë Alesian dhe Giusepen. Isha 41 vjeçe kur u bëra gjyshe dhe isha më e lumtura në botë. Si Alesia dhe Giusepe janë të dy në shkollën e baletit. Në qytetin San Benedeto në vitin 2008 Alesia 10 vjeçe së bashku me partnerin italian Mikele fituan vendin e parë në “Best Danc”. Giusepe është më i vogël dhe ka fituar vendin e 5. për këtë janë ftuar edhe në revistën televizive. Çfarë lumturie ndien një nënë e një gjyshe kur jetojnë këto momente. Vajza e dytë Jozefina është edhe ajo e martuar e jeton në Itali me 2 fëmijë. Është fëmija që ngjan më shumë në karakterin dhe në stilin tim. Është një nënë e mrekullueshme dhe ka një durim të tmerrshëm me dy djemtë e vështirë e të zorshëm që ka, Kristianin dhe Terencinon. Jorgoja jeton me mua në Greqi e sot është 24 vjeç. Merret me sport e punon sipas mundësive e kushteve që ka. Është një djalë me karakter të fortë shqiptar e këtu njihet “shkodrani”. Pas medaljeve e rekordeve në atletikë sot Jorgoja vazhdon futbollin. Pra djali është i vetmi që ngjan me jetën time sportive”, tregon ajo. Për “luftën” që gruaja shqiptare ka bërë kundër mendimit të gabuar mbi shqiptarët që jetojnë në Greqi ajo tregon se, “Në shkurtin e vitit 2008, së bashku me djalin kemi qenë të ftuar në emisionin humoristik tek kanali Alpha- Al Xhadiri News që drejtohej nga humoristi-satirik i mirënjohur në Greqi Lakis Lazopulos, i cili është afër jetës sonë që bëjmë në emigracion. Lufton politikën e gabuar e racizmin që kanë ndaj nesh”. Marjana Gjoka na shpreh edhe dëshirën dhe mendimin e saj për të hedhur në një libër jetën e saj, dashurinë, pasionet, por edhe vuajtjet që ka kaluar një nënë e vetme në emigracion, për të rritur 3 fëmijët e saj. “Për jetën time çfarë mund të them. Bëra një martesë, e atë që mbaj mend është që truri i kësaj martese ishte “Nënë-3 fëmijë”. Në një martesë e cila përbëhet nga dy persona, kur ndjehesh e vetme e mbi shpinë ke tërë peshën e familjes ma merr mendja se nuk mund të vazhdojë. Dashuria nuk është as “raft” e as “komodinë” që të mund të luhet nga një qoshe e dhomës në një tjetër”, përfundon Marjana.







“Si e fitoi respektin Marjana jonë”

Çdo njeri prej nesh ndërton ëndrra, si përfundim këto ëndrra mbeten gjysmake. Është “Marjana jonë”, nuk dimë se cilat ishin dhe sa u realizuan në jetën e kësaj gruaje “ato”, ëndrrat që ajo ndërtoi. Ajo është 1, është e vetme, ne jemi shumë, jemi 50-60 prandaj ramë dakord një zëri. Pak vonë, por siç thonë “më mirë vonë se kurrë”. Si shumë kujt nga ne që jeta na solli probleme edhe kësaj gruaje e nëne me të birin i solli vështirësi e kapriçio, duke luajtur dy role, jo vetëm të nënës por edhe të babait. “Marjana jonë” jeton prej shumë vitesh në qytetin tonë, me djalin e saj Yorgo Gjoka. Një grua me atë bukuri të egër, e cila shpreh forcë në karakterin e saj. Një grua që nuk njeh lodhje, të cilën e karakterizon besa, saktësia e madhe në punën që ajo kryen. Më kryesorja, dashuria që ajo ka për këtë punë, kaq të lodhshme e të vështirë që zgjodhi. I kemi besuar çelësat e shtëpive tona, fëmijët e prindërit tanë të moshuar apo të sëmurë, të cilët e kërkojnë pranë. Me shërbimin e saj, durimin e madh e fjalët e saj të ngrohta, Marjana për ta është “ilaçi” më i mirë. Megjithë punën e lodhshme ajo do të gjej kohë të ndihmoj patriotët e saj. Ata e respektojnë, e duan shumë dhe kanë besim tek ajo. E kemi “krenarinë tonë” thonë ata. E kjo është e vërtetë, së bashku me të birin janë krenaria e qytetit. Veprimet humanitare të sajat, duhet të jenë një shembull jo vetëm ndaj patriotëve të saj, por edhe ndaj nesh. Megjithëse veprime të tilla mbeten të fshehta, pasi kush i bën i mban për veten dhe nuk i reklamon. Është dëgjuar dhe është e njohur që kjo “zonjë” ka dorëzuar pranë policisë gjëra të gjeturave shumë vlerë dhe sekrete. Kush nga ne nuk kujton verën e nxehtë të vitit të kaluar që nga zjarri i madh, mbetën pa strehë shumë grek, e kjo shqiptare duke mbledhur ndihmë ekonomike nga bashkëatdhetarët e saj, që sipas rregullave e kritereve të njohura nga televizioni i derdh në bankë. Nga pamja e jashtme “një ndihmë e vogël”, por tek ne veprimi i kësaj gruaje me inisiativë do të mbetet “një veprim i veçantë me shumë vlerë”, për gjithmonë në zemrat tona. Është e pamundur të mos përmendim edhe rolin e saj si nënë. Jorgoja u rrit dhe u edukua me dashuri dhe kulturë, të cilat çdo ditë, veprimet dhe sjellja e tij treguan mundin e përpjekjet e nënës së tij, e cila kujdes të veçantë kushtoi tek i biri; të dojë njerëzit rreth tij ashtu siç janë, të jetë nxënës i mirë e një sportist i shkëlqyer. E dëshira e saj si nënë u realizua. Së bashku me nënën e tij, i gjithë qyteti jetoi momente gëzimi që Jorgoja jo vetëm solli medalje në shkollë, por theu edhe rekord në 400-1000 m, në Greqi, të cilat edhe sot mbahen nga ky.





Agjeliki Flamurxoglu (Kryetare e Gruas)

Para shumë vitesh një grua e bukur, e cila më dha përshtypjen e një gruaje me personalitet dhe seriozitet erdhi dhe më kërkoi punë si ndihmëse. Them me vërtetësi, ishte hera e parë në jetën time që besova njëherë këtë grua dhe nuk u zhgënjeva aspak. Me personalitetin e saj, një grua e rregullt e punëtore e shkëlqyer u cilësua “e veçantë”, fitoj menjëherë besimin tim personal, të familjes time, si dhe rreth meje të gjithë shoqërinë time. Me foljen e saj greqisht pak të thyer, me nazet e saj të pafajshme, zgjuarsinë dhe buzëqeshjen e saj që del nga thellësia e shpirtit, sot punon në shtëpitë më të mira të qytetit tonë. Kjo ka bërë të fitoj e të arrijë atë që nuk arriti asnjë. I kemi besuar “çelësat” (që ruajnë pasurinë e shtëpive tona) e me këtë kjo grua ka vlerësimin më të madh. Kur më kërkoi që ta pagëzoj, e bëra menjëherë me një gëzim e krenari të madhe, pasi midis shumë shoqeve të tjera Marjana më zgjodhi mua. Ajo ditë do të mbetet një kujtim jo vetëm në jetën time, por edhe në kujtesën e të gjithëve që mbushën kishën e qytetit tonë. I gjithë interesi dhe kujdesi është qenia e saj afër djalit, Jorgos, (duke mos ndarë edhe 2 vajzat e martuara në Itali). Tek i biri kjo nënë kultivoi respektin e dashurinë ndaj njerëzve dhe sportit. E ky djalë e bëri shumë herë krenare nënën e tij. Një nxënës i shkëlqyer në shkollë e një sportist i talentuar duke sjellë medalje të shumta. Si rezultat i këtyre sukseseve ai fitoi të drejtën të udhëheqë flamurin tonë, apo të dorëzoj “pishtarin e flakës” së Olimpiadës Sidney të vitit 2000. Të gjitha këto për nënën e tij janë çlodhja më e madhe nga puna e vështirë e çdo dite. E kjo tregon se racizmi nuk preku aspak këtë nënë e të birin. Vitet kalojnë e Marjana ka arritur që të gjithë qytetarët e Skidres ta respektojnë, ta duan shumë e ta quajnë “Marjana jonë”.



Anastasia Marthoglu (Profesoreshë)

Nga afër Marjanën e njoh që nga viti 1998, e cila jeton me qira në apartamentin e babait tim, e vazhdon të jetojë bashkë me të birin), ku jetoj edhe unë me familjen time. Nuk mund të gjej fjalë ta përshkruaj, por do të them që; është e do të mbetet më korrektja dhe më e rregullta nga të gjithë. Është një grua që ka forcën e një burri, e mbushur gjithë jetë, pa mundur të kapin gabim në punën që kryen, e një shoqe e mirë. Veçohet nga refugjatët e tjerë nga çdo pikëpamje. Nuk jeton për të mbledhur vetëm lekë. Jeton një jetë normale sipas mundësive që ka, një jetë me pastërti të paarritshme e kujdes të madh, e duke pasur gjithmonë mendjen tek fëmijët e saj, e motrën e vetme të sëmurë në Shqipëri. Me zgjuarsi, kur e ku duhet marr pjesë në fushën e temave politike, sportë e ndihmë humanitare. Këtë grua të bukur, të ëmbël, e të përkryer, në jetën time e kam cilësuar “shoqe më e mirë, gjithmonë”.



Jani Gabras (Drejtor Eurobank)

Stelios Skulariotis (Nëndrejtor Eurobank)

Ka rreth 2 vjet që zonja Marjana punon pranë nesh. Atë që e karakterizon Marjanën është besa, korrektësia, saktësia, e përkryera. Shkathtësia që ajo ka dhe humori i saj, na bën të gjithëve këtu ta duam shumë, si njeriun tonë. Para një viti banka që ne drejtojmë këtu në Skider u diplomua si Eurobanka më e rregullt dhe më e pastër në Greqi, çfarë mund të themi më për Marjanën? Për atë flet vetë “ikona”!



Maria Lambridhu

Kristodulos Mastoras

(Trajnerë)

Me djalin e saj Jorgon ne si trajnerë të tij, jetuam momentet më të lumtura, tituj, medalje, thyerje rekordesh, në shoqërinë e flamurit tonë apo Olimpiadën e vitit 2000, që bashkë me fëmijët e tjerë grek vrapuan kilometra. Për ta dorëzuar në vendin e caktuar. Në të gjitha këto momente Jorgoja ishte edhe “biri ynë”. Sot ai vazhdon si futbollist.

Ky lajm është publikuar: 19/03/2010