Agron Luka



Vijon nga numri i kaluar



Shumë më vonë, kur do të shkruante për bashkim-themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare, E. Hoxha do të përkujtonte me nostalgji Bojkën, një grua shumë simpatike dhe e sinqertë që e fliste shumë mirë gjuhën serbe. (“Kur lindi Partia, Kujtime”, botim i vitit 1981, në kapitullin “Në dyqanin Flora”, f 85- 86)

- Për hajër na qoftë! – i thashë Bojkës, në strehën tënde bujare po piqemi... Bojka zemërçelur u ngrit në këmbë dhe më përqafoi mua dhe Vasilin...

- “Mali me malin nuk piqen, por njerëzit përpiqen”, - themi ne andej nga jugu...

Më pas, timarliu i PKSH, Enver Hoxha, midis “200 petritave/sokolave dhe sokoleshave”, ndër rastet tipike femërore, më veçanërisht përshkruante “kontributin historik” që kishte dhënë “Bojka e Bukur”, për bashkimin e puthitjen e grupeve komuniste, për themelimin e PKSH, me ato ekskursionet andej lart, nga Ura e Brarit, “me birrë dhe sallam nga Dyqani Flora”, me ëmbëlsirën e Bojkës së Spiro Lazrit dhe me banjot në lumë... (Kapitulli, “Drejt bashkimit historik”, botim i vitit 1981, fq. 109-110) Aty ku e la Migjeni “ëndrrën”, e vazhduan burri Enveri me burrneshë Bojka, me Delikaten dhe Milladinin e Dushanin...



Ndërsa i kujtoheshin për bukuri, deri edhe ngjyra e kaltër e syve të Bojkës, “Themelonjësit Migjeni” nuk i kujtohej se “kush nga njerëzit e zakonshëm kishte hyrë e kishte dalë në shtëpinë ku u themelua Partia Komuniste Shqiptare”, nuk i kujtohej se, kush ia kishte sjellë Partisë atë turrën e napolonave të arit; direktivat e Kongresit të VII të Kominternit dhe raportin e Dimitrovit për Frontin Popullor, të përkthyera; Madje edhe në shqip nga Shkodra... Epo, ja që si kujtoheshin, pse do t’i kujtoheshin, këto vogëlsira?! Mundet, që ai të kishte qenë në turnin e gjumit se komunistët e vërtetë ia këpusin gjumit, ata budallenjtë idealistë nuk kishin gjumë. Shuma e qindra e qindra napolonave ar nuk ishte për t’u kujtuar. Fundja, më në fund, ai nuk ia kishte dorëzuar atij, por atij Tukut, ndërsa ky ia dorëzoi Enverit “si kujdestari dhe kollonisësi i financës së Partisë”... Këto napolona në fakt i ishin dhënë si hua nga kursimet personale, të cilat as që guxoi kurrë më t’ia kërkonte, por as t’i bënte për zë se i shkonte koka. Madje, është tmerrësisht e vështirë t’i përmendësh edhe sot sepse neo-enveristët, jo vetëm guxojnë edhe t’i shqyejnë letrat, por të kërcënojnë edhe me vdekje... Sidoqoftë, infantili, idealisti, komunisti Gjovalin Luka, diçka kishte fituar: Shoku Dushan i dhuroi një palë qillota ushtarake jugosllave!



Shokët e Partisë ia fshinë namin dhe nishanin nga 8 nëntori i 1941-shit, jo vetëm Gjovalinit, “shokut të Prangave” të Qemal Stafës, por edhe disa të tjerëve... Ndërkaq, sarafit gjirokastrit të maceve, i kujtoheshin me qarje shpirti ato 5 napolonat e pajës së Sanos, që ia kish ngrënë Koçua me Pavlinën dhe ia lanë Sanon pa martuar! Ishte Parti Komuniste kjo e një tipi të veçantë, Parti Komuniste, terroriste e kazermës orientale, unike në Evropë, jo shaka...



Në fakt, për punën e Bojkës, ka qenë S. L., miza e kalit, me pëshpërimat e tij qysh në vitin 1953 e vitin 1957... Njohjen me Bojkën, Migjenit ia kishte bërë e motra, Ollga që e kishte pasur shoqe klase... Letrat “komprometuese” të dashurisë së fshehtë të Bojkës, që gati sa nuk kaloi në vetëvrasje, i ruante Ollga, e mbiquajtura edhe si “Migjenia femër”. Nga ajo kaluan si trashëgim tek S.L., i cili në vitin 1961, për t’u pajtuar me Enverin, ia dorëzoi Shtëpisë Muze Migjeni në Shkodër, me porosi që t’i botonin pas vdekjes së Bojkës dhe të shoqit. Kur vetë shoku E. Hoxha e ngriti aq lart në piedestal ish dashnoren e Migjenit, në vitin 1981, S. Luarasi, nga shtrati ku po lëngonte, nuk kish mundësi të qëndiste edhe ai ndonjë tregim “Ç’kam parë e ç’kam dëgjuar për Bojkën në vitin 1941”, sepse ç’ishte e vërteta, tërë kohën, nga koha e luftës së Spanjës në vitin 1936 dhe deri në vitin 1945, kishte qenë jashtë shtetit me shërbime internacionaliste... Edhe luftën botërore edhe luftën nacional-çlirimtare franceze dhe shqiptare e kishte dëgjuar me radio nga Franca. Madje, në një rast kishte dëgjuar se andej nga Kolonja gjermanët kishin vrarë më shumë se 3000 njerëz...



Kështu ishte dr. Zequa, një migjenolog zyrtar. Në vitin 1988, ai “zbuloi letrat”, i përktheu nga serbishtja në frëngjishte dhe i botoi një pjesë nga një “letër dashurie”, të vitit 1938, “për marksistë-leninistët francezë dhe ata botërorë”... Bojka, që ishte gjallë deri në vitin 1991, heshti...



Por, të kthehemi atje ku mbetëm. Gjovalini bëri si bëri dhe në pjesën hyrëse të veprave të Migjenit që, e titulloi me qëllim “Shënim” dhe në disa interpretime të tjera, e la të nënkuptuar se e kishin detyruar t’i hiqte ato 6 pjesët letrare. Ai e ndërroi parathënien e mëparshme dhe e shkurtoi në më pak se një faqe. Aty, me disa dredhime si, “ i kemi lanë pa i botue, i kemi lanë jashtë”, i shënoi ato poezi dhe proza për të cilat letra e Komitetit Qendror të PPSH kishte urdhëruar mosbotimin e tyre. Për dy prozat e pabotuara shkroi: “po lamë jashtë dy proza të pa botueme: “Pak poezi” dhe “M’at anë gardhit asgja e re”, që asht lanë prej Migjenit vetëm sa e fillueme”. Kështu, nënkuptohej se Gjovalin Luka i njihte, i kishte këto, por, si të thuash, i la vetë pa botuar. Në të vërtetën, megjithë paburrërirë e anonimit, Gjovalin Luka e kishte quajtur plotësisht të arsyeshme të drejtën e autorit të familjes, edhe sikur kjo të ishte bërë pishman. Por, anonimi nuk ishte aq burrë, sepse burrërinë e kishte treguar edhe me disa gjëra të tjera, duke u hequr fillimisht si biçim redaktori, etj.



Më vonë, pas botimit, gjatë një diskutimi në vitin 1955, dikush që e kishte kuptuar, fare qartë e pyeti: Shoku Gjovalin, përse i keni hequr ato shkrime të Migjenit, që kanë qenë të botuara edhe më përpara? Po, ja ashtu u gjykua si më e drejtë!... (Ruhet dorëshkrimi origjinal i këtij diskutimi A. L.)

“Kritika Zyrtare” e vitit 1954, këtë mungesë të dukshme të mos plotësimit të një botimi më të plotë, kur të gjitha copat letrare njiheshin e justifikoi dhe e gjuajti me hipokrizi qysh në fillim kështu: “Përmbledhësi i veprës së Migjenit, me të drejtë, e pa me vend të mos i botojë dy vjersha, dy proza nga të njohurat dhe dy nga të panjohurat”. (“Kritikë dhe bibliografi, “Veprat” e Migjenit”, revista “Nëndori”, Nr. 5, 1954, fq. 125-130) Po ku dhe cila ishte aty “drejtësia”?! Edhe V. Bala e vinte në dukje këtë shkurtim-krasitje të çuditshme, në “Kritikë –Bibliografinë” e tij, ku njëkohësisht vinte në dukje edhe meritat e shpjegimeve dhe komentimeve të Gj. Lukës. (Më pas, e detyruan të hante fjalët e tija dhe të shkruante të kundërtën, konform me shokun S. L...)



Gjovalin Luka ishte diçka në dijeni se edhe një ndërhyrje e tillë kishte ndodhur edhe në vitin 1953, kur do të botohej “Studenti në shtëpi”. Novelën e krasitën nga Zyra e Komitetit Qendror, sepse aty kishte dhe nënkuptohej një farë gati incesti vëlla e motër nën jorgan...

Partia, E. Hoxha e M. Shehu personalisht vazhduan të mos i gjenin të përshtatshme interpretimet e Gjovalin Lukës, edhe përgjatë procesit të botimit. Ishte përsëri ai anonimi që nxiste disa kujtues dhe informonte Hoxhën e Shehun lart... Kështu, ende pa dalë mirë libri në qarkullim, ia filluan të nxisnin një fushatë me shkrime kritikuese e me montatura nga “shokët që e kishin njohur nga afër Migjenin”. Veçanërisht, kishin nevojë për interpretime të tilla për Migjenin: si “themeli i realizmit socialist shqiptar”, si “kontribuuesi i bashkimit të grupeve komuniste”, si “propaganduesi i vendosjes së regjimit bolshevik sovjetik në Spanjë edhe në vendin tonë”; se “vargu i lirë i Migjenit ishte ndikuar nga vargu dhe ideologjia Majakovskiane”, etj. Revista Nëndori, Nr. 5, 1954, fq. 124, për shembull, kishte lëshuar edhe një “Thirrje Redaksionale” për sa më shumë kujtime për Migjenin, sipas shembullit të shokut Mehmet Dermani, të cilit Migjeni na e paskej furnizuar me literatura për Pushkinin, Gorkin, Majakovskin; bile, edhe me literatura bolshevike, i paskësh treguar për jetën e lumtur në BRSS, për perspektivën e qartë të fitores së revolucionit edhe në Shqipëri etj. (Kundra pikëpamjeve të Gjovalin Lukës, për një perspektivë të paqartë, çështje që do ta sqaronte Partia!) etj.



Botimi i vitit 1954 filloi të shitej me një uri rekord, saqë u përla brenda pak kohësh. NSHB hodhi idenë për ribotimin e një serie tjetër me tirazh më të madh. Me këtë rast, ishte propozuar që gabimet gjuhësore që ia kishte bërë vetë shtypshkronja, rreth 160 të tilla, të shënuara në ndreqje dhe plot të tjera të pa shënuara, si edhe disa defekte gabimesh që kishin ndodhur nga përdorimi i teksteve të shtypura, e të daktilografuara, nga “kriteri për ruajtjen e gjuhës origjinale”, etj., të ndreqeshin e të riparoheshin. Por, kjo u hodh kategorikisht poshtë tashti nga Partia dhe E. Hoxha! Ndërkaq nga bibliotekat dhe nga përdorimi në shkolla, libri u ndalua me urdhër nga lart, krahas me “thellimin e zbulimin” e ideve armiqësore të Gjovalin Lukës kundra kultit të individit, kundra vijës së Partisë dhe personalisht ndaj shokut Enver Hoxha. Vetë Enver Hoxha zbuloi një seri veprimtarish dhe helmesh gjarpërore të armikut Gjovalin Luka. Madje, ai përdori edhe një figurë migjeniane nga ajo proza “Pak Poezi”, kur e quajti Gjovalin Lukën: “gjarpër hipokrit që fsheh këmbët” etj. (Shih, E. Hoxha, “Ditar”, Vëll. I, 1955-1957, bot. 1987, f 77 etj)

Kështu, aty nga gushti i vitit 1955, Skënder Luarasi u thirr në Komitetin Qendror të PPSH dhe ngarkua zyrtarisht të hartonte një botim të ri...

Kjo ishte vetëm një pjesë nga historia e trishtuar e botimit të Migjenit më 1954 dhe e ndalimit të tij...



Fund















19 Prill 2010