Programet pasuniversitare
 

 
Fakultetet e Universitetit të Tiranës do të vazhdojnë regjistrimet për programet e ciklit të dytë javën e dytë të janarit
 
 
Marsel LELA
TIRANë - Universitetet e Tiranës kanë hapur në disa degë programet e reja të studimeve të doktoraturës dhe masterave. Përkatësisht, u vendos që kuotat e pranimit në programet e studimit të doktoraturës, për fakultetin e Drejtësisë të UT-së, për vitin 2009 janë gjithsej 75, prej të cilave 15 për kandidatët nga trojet shqiptare jashtë vendit.
Ndarja e këtyre kuotave sipas programeve të studimeve është: Doktoratë në Shkencat Juridike Civile 25 kuota, Shkencat Penale 25 kuota dhe E Drejta Publike 25 kuota. Tarifa e shkollimit për këto programe studimi të doktoratës është 200 mijë lekë dhe likuidohet për çdo vit të kohëzgjatjes normale, në këste të caktuara nga Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Tiranës.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi këtij vendimi, do të përballohen nga buxheti i miratuar për Universitetin e Tiranës. Në mbledhjen e radhës të qeverisë u vendos gjithashtu hapja e programeve të studimit në doktoraturë për Universitetin Bujqësor të Tiranës. Kuotat e pranimit në këto programe studimi, në Universitetin Bujqësor të Tiranës për vitin 2009 janë gjithsej 89, prej të cilave 10 kuota për kandidatët nga trojet shqiptare jashtë kufijve të vendit, që administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sipas kërkesave të institucioneve zyrtare të këtyre trojeve.
Ndarja e kuotave të mësipërme, sipas programeve të studimeve do të jetë: Bujqësia dhe Mjedisi 40 kuota, Ekonomi dhe Agrobiznes 35 kuota, Shkenca dhe Bioteknologjia Ushqimore 5 kuota dhe Shkencat Pyjore 9 kuota.
Tarifa e shkollimit për këto programe studimi të doktoratës do të jetë 200 mijë lekë dhe likuidohet për çdo vit të kohëzgjatjes normale, në këste të caktuara nga fakultetet përkatëse të Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi këtij vendimi, do të përballohen nga buxheti i miratuar për Universitetin Bujqësor të Tiranës. Gjithashtu, Këshilli i Ministrave vendosi që kuotat e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë, për programet e studimeve të ciklit të dytë dhe “Master i nivelit të parë” me kohë të plotë, për vitin akademik 2009-2010 të jetë 7 mijë e 570.
Skema e shpërndarjes së kuotave të reja
Sipas këtij vendimi, kuotat e pranimit për këto programe studimi do të ndahen sipas skemës së mëposhtme: kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të dytë (DND), 2 mijë e 830 pranime, kuotat e pranimeve të reja për programet e studimit “Master i Nivelit të Parë” (MNP), 4 mijë e 470 pranime, kuotat për transferimet e studimeve, 100 pranime, kuotat për kandidatët e huaj, 50 pranime dhe kuotat për të verbrit, 20 pranime.
Sipas vendimit të qeverisë, kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të dytë dhe “Master i Nivelit të Parë”, me kohë të plotë, përbëhet nga: për programet e studimit të ciklit të dytë, 2 mijë e 547 pranime; për programet e studimit të ciklit të dytë, për kandidatët shqiptarë të trojeve jashtë vendit, 283 pranime; për programet e studimit “Master i Nivelit të Parë”, për kandidatët brenda territorit të vendit, 4 mijë e 23 pranime; për programet e studimit “Master i Nivelit të Parë”, për kandidatët shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit 447 pranime.
është miratuar gjithashtu edhe hapja e programeve të studimeve të doktoraturës, në fakultetin e Mjekësisë Veterinare të Universitetit Bujqësor të Tiranës, si dhe miratimin e tarifave të studimit për këto programe.
Sipas vendimit të qeverisë, tarifa e shkollimit për këto programe studimi të doktoratës do të jetë 200 mijë lekë dhe likuidohet për çdo vit të kohëzgjatjes normale, në këste të caktuara nga fakultetet përkatëse të Universitetit Bujqësor të Tiranës. Po ashtu, janë miratuan edhe kuotat e pranimit dhe tarifa e shkollimit për programet e ciklit të tretë, të studimeve specializuese afatgjata në fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, për këtë vit akademik.
Kuota e pranimit në programet e ciklit të tretë të studimeve specializuese afatgjata, në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës, që fillojnë studimet në vitin akademik 2009-2010, do të jetë 285, e ndarë në specialitete.
Nga kuotat e përcaktuara në vendimin e qeverisë, 21 kuota caktohen për kandidatët nga trojet shqiptare jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, të cilat administrohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, sipas kërkesave të institucioneve zyrtare të këtyre trojeve.
Kuotat e paplotësuara rishpërndahen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Tarifa vjetore e shkollimit për studimet specializuese afatgjata në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Tiranës do të jetë 60 mijë lekë. Studenti i nënshtrohet vetëm një tarife vjetore shkollimi. Fakultetet përkatëse të Universitetit të Tiranës do të bëjnë regjistrimet e të interesuarve për këto programe studimi, edhe gjatë muajit janar të vitit që 2010.
 
 
Kuotat dhe tarifat e reja për studimet pasuniversitare
Kuotat e doktoraturave për fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës
 
1.Doktoratë në “Shkencat juridike civile” – 25 kuota
2.Doktoratë në “Shkencat penale” – 25 kuota
3.Doktoratë në “E drejta publike” – 25 kuota
 
Tarifa vjetore e studimit për këto programe – 200 mijë lekë
 
Kuotat e doktoraturave për Universitetin Bujqësor të Tiranës
 
1.Doktoraturë në “Bujqësia dhe mjedisi” – 40 kuota
2.Doktoraturë në “Ekonomi dhe agrobiznes” – 35 kuota
3.Doktoraturë në “Shkencat dhe bioteknologjia ushqimore” – 5 kuota
4.Doktoraturë në “Shkencat pyjore” – 9 kuota
 
Tarifa vjetore e studimit për këto programe – 200 mijë lekë
 
Skema e shpërndarjes së kotave të programeve të ciklit të dytë dhe “Master i nivelit të parë”
 
1.Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të dytë (DND) – 2 mijë e 830
2.Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit “Master i nivelit të parë” (MNP) – 4 mijë e 470
3.Kuotat për programet e dyta të studimit – 100
4.Kuotat për transferimin e studimeve – 100
5.Kuotat për të huajt – 50
6.Kuotat për të verbrit (të veçanta) – 20
 
Kuota e pranimeve të reja për programet e studimit të ciklit të dytë dhe “Master i nivelit të parë” me kohë të plotë
 
1.Programet e ciklit të dytë për kandidatët brenda territorit të vendit – 2 mijë e 547 kuota
2.Programet e ciklit të dytë për kandidatët shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit – 283 kuota
3.Programet e studimit “Master i nivelit të parë” për kandidatët brenda territorit të vendit – 4 mijë e 23 kuota
4.Programet e studimit “Master i nivelit të parë” për kandidatët shqiptarë nga trojet jashtë kufijve të vendit – 447 kuota