Përfundon korrigjimi i testeve të Matematikës dhe brenda javës pritet të bëhet shpallja e rezultateve. Tashmë testet e vlerësuara të 39 mijë maturantëve janë depozituar nga katër qendrat e vlerësimit në Agjencinë e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) për t’iu nënshtruar procesit të bashkërendimit të rezultateve, që kryhet në bashkëpunim me APRIAL-in. Burime nga AVA konfirmojnë se sipas procedurës, pas grumbullimit të këtyre testeve dhe rezultateve, do të nisë procesi i identifikimit ndërmjet kandidatit dhe pikëve të vlerësimit që ai ka marrë, të cilat do të ekuivalentohen në notë. Procesi Matching (përputhja ose bashkërendimi) i rezultateve të sekretuara me emrat e maturantëve do të kryhet për të katër provimet e Maturës Shtetërore. Testet e maturantëve, pasi fillon provimi, sekretohen, pra pajisen me një barkod, i cili përbën identitetin e çdo maturanti. Në këtë mënyrë mësuesit (asnjë zyrtar tjetër) gjatë procesit të vlerësimit të testeve, për shkak të barkodit nuk njihen me identitetin e maturantëve dhe mund të kryejnë një vlerësim objektiv të tyre. Me përfundimin e vlerësimit, testet e maturantëve ç’kodohen, një proces që kryhet vetëm nga kompjuteri, vijat e barkodit me anën e një aparati kthehen në shifra. Ky proces kryhet nga dy institucione: AVA dhe APRIAL-i, njëri përmban barkodet e maturantëve dhe emrat, ndërsa tjetri barkodet e maturantëve dhe pikët, rezultatet. Anëtarët e komisionit Matching marrin rezultatet, të bashkërenduara me emrat e maturantëve në një kompaktdisk (CD) vetëm të lexueshëm, me të gjithë emrat dhe rezultatet e maturantëve. Pas këtij procesi bëhet printimi i rezultateve.









Letërsia, dorëzohen sot në AVA kërkesat e maturantëve për rishikimin e testit





Dorëzohen sot në AVA kërkesat e maturantëve për rishikimin e testit të Letërsisë. Pas marrjes së ankesave të maturantëve, AVA ngre grupet e vlerësimit të testeve, me vlerësues të trajnuar. Rivlerësimi do të bëhet me të njëjtat rregulla e procedura si vlerësimi i testeve, duke vazhduar të jenë të sekretuara me barkode testet që rivlerësohen. Rezultatet e rivlerësimit dërgohen nga AVA zyrtarisht pranë KMSH-së së DAR/ZA-së me një afat nga 15 deri 30 ditë nga data e shpalljes së rezultateve të provimit dhe konsiderohen rezultate përfundimtare të nxënësve. KMSH-të, nëpërmjet KSHMSH-së njofton për rezultatin e rivlerësimit çdo nxënës që ka kërkuar rivlerësim testi. Sipas rregullores së sivjetshme të Maturës, çdo kandidat pjesëmarrës në provimet e Maturës Shtetërore, pas shpalljes së rezultateve të provimit, në bazë të njohjes me skemat e publikuara të vlerësimit, ka të drejtë të kërkojë nga AVA rivlerësim të testit të tij. Për këtë, brenda katër ditëve pas shpalljes së rezultateve të provimit, ai paraqet pranë Komisionit Shkollor të Maturës Shtetërore (KSHMSH) një kërkesë dhe mandat-arkëtimin e pagesës së tarifës së përcaktuar. KSHMSH, pasi grumbullon të gjitha kërkesat, i përcjell ato së bashku me mandat-arkëtimet në Komisionin e Maturës Shtetërore (KMSH), pranë Drejtorisë Arsimore Rajonale/Zyrës Arsimore (DAR/ZA), brenda pesë ditëve nga shpallja e rezultateve të provimit. KMSH-ja pranë DAR/ZA-së shqyrton kërkesat e paraqitura nga KSHMSH-të dhe i përcjell ato zyrtarisht tek AVA, shoqëruar me mandat-arkëtimet përkatëse, brenda shtatë ditëve nga shpallja e rezultateve.





23 Qershor 2009