SHKRUAN: Jonida Tashi 16-06-2011 11:35

Ministria e Arsimit, pas përfundimit të provimit të dytë të Maturës, Matematikë, ku morën pjesë 42 500 maturantë nga i gjithë vendi, publikon përgjigjet e sakta të testit për të gjitha gjimnazet. Nëpërmjet skemave të vlerësimit të testit për shtatë profilet e gjimnazeve, që janë: drejtimin i përgjithshëm; drejtimi natyror; drejtimi shoqëror; shkollat teknike 5-vjeçare; shkollat teknike 3+2-vjeçare, bashkë me shkollat pedagogjike dhe ato me kohë të shkurtuar; shkolla e mesme e gjuhëve të huaja; seksionet dygjuhëshe, maturantët do të njihen jo vetëm me mënyrën sesi u janë përgjigjur pyetjeve në test, por edhe me pikët që i korrespondojnë secilës prej tyre. Ditën e djeshme, në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar u zhvillua provimi i dytë i detyruar i Maturës, ai i lëndës së Matematikës. Provimi filloi njëkohësisht në të gjithë vendin në orën 10.00 dhe zgjati 2 orë e gjysmë. Provimi kishte 25 pyetje me 13 kërkesa me përgjigje alternative, që përbëjnë 13 pikë dhe 12 kërkesa me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë. MASH bën të ditur se në provim morën pjesë rreth 41 mijë maturantë, të vendosur në mjediset e përzgjedhura nga drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat arsimore. Procesi është mbikëqyrur nga Ministria e Arsimit si dhe nga institucionet e saj të varësisë. Sipas MASH, nga monitorimi i vazhdueshëm i provimit të parë të detyruar të Maturës Shtetërore, në 38 drejtori arsimore rajonale dhe zyra arsimore, rezultoi një proces normal, në përputhje me rregulloren e Maturës. Pas përfundimit të procesit, testet e maturantëve do të grumbullohen në Agjencinë Kombëtare të Provimeve dhe do të shpërndahen në qendrat e korrigjimeve për t’u vlerësuar. Pas dy javësh pritet të dalin rezultatet e provimit të Matematikës, ndërkohë që në datën 30 qershor maturantët do t’i nënshtrohen dy provimeve me zgjedhje të Maturës. Maturantët që do të rezultojnë kalues në të katër provimet, do të pajisen me Diplomën e Maturës, ndërsa ata që dëshirojnë të vijojnë studimet e larta, me rezultatet e provimeve do të futen në konkurrim për në universitet.