Trajnimi i mëtejshëm i personelit mjekësor konsiderohet si një element i rëndësishëm për një shërbim sa më cilësor ndaj nënës dhe fëmijës. \"Që të shpëtosh jetë, duhet që të trajnohesh çdo ditë, të ndihmosh të trajnosh të tjerët, duke përfshirë këtu dhe pacientët dhe çështë më e rëndësishme është që të gjithë të koordinojmë përpjekjet tona dhe të punojmë si një grup\", u shpreh dje drejtori i Spitalit Gjinekologjik Obstetrik \"Nëna Mbretëreshë\", dr. Halim Kosova, gjatë ceremonisë së dorëzimit të certifikatave për 27 mami-infermiere të trajnuara.



 Mami-infermiere nga rrethe të ndryshme të vendit përfunduan trajnimin në kujdesin që duhet të tregojnë për stabilizimin e gjendjes shëndetësore të foshnjave, të cilët paraqesin probleme pas lindjes (reanimim primar S.T.A.B.L.E.). \"Trajnimet në vazhdimësi kanë të bëjnë me atë që duhet bërë për fëmijën e porsalindur, në mënyrë që asnjë nga ne në punën e përditshme të mos humbasë asnjë sekondë, pasi kjo përkthehet jetë\", tha dr. Kosova, sipas të cilit këto kurse do të vazhdojnë me qëllim të merren dijet e duhura për t\'i shpërndarë më tej në vazhdimësi, duke mos harruar që të shpërndahen dhe tek pacientët. Përfaqësuesja e Spitalit \"Nëna dhe Fëmija\" në Rhode Island Providence, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha se \"ne kemi punuar këtu për rreth 12 vjet tashmë dhe më vjen mirë që në këtë projekt janë përfshirë mami nga spitale të tjera të vendit\". Më tej ajo u shpreh se \"kur mamitë mbarojnë shkollën, nuk mbaron këtu trajnimi i tyre, por arsimimi, trajnimi, ndodh gjatë gjithë jetës\". Ky program trajnimi, i aprovuar nga Ministria e Shëndetësisë,  financohet nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, nëpërmjet Organizatës Joqeveritare OSAAB,  Spitalit \"Nëna dhe Fëmija\" në Rhode Island - Providencë, SHBA.





Email This
Klikime: 7