Stilistët propozojnë ngjyrat dhe modelet më të fundit. Këshillat për të zgjedhur fustanin e duhur dhe aksesorët


Stilistët propozojnë modelet e fustaneve për mbrëmjen e maturës 2009. Sipas tyre, ajo që duhet pasur parasysh nga të gjitha vajzat përpara se të vendosin të blejnë një fustan është fakti se duhet zgjedhur ai që i përshtatet trupit. Kështu, për vajzat që kanë një trup elegant stilistët propozojnë fustanin me pjesën e kurrizit komplet jashtë. Duke qenë se bëhet fjalë për vajza të reja, stilistët kanë paraqitur më së shumti fustane të shkurta për mbrëmjen e maturës, por midis tyre nuk mungojnë as ato të gjatat, që japin pamjen e një princeshe. Ndërsa përsa u përket ngjyrave, mbizotërojnë e bardha dhe e kuqja, por të përshtatshme janë edhe ngjyrat e lehta si ajo e kaltra dhe e verdha. Përveç zgjedhjes së fustanit për mbrëmjen e Maturës duhet të zgjidhni me kujdes edhe sandalet. Këshilla kryesore që japin stilistët është se ato nuk duhen kombinuar me fustanin, sepse do të dukeni si një kukull e veshur komplet me një ngjyrë.



Stilet



Fustanet e gjata shik mbajnë gjithmonë vendin e parë për rastet e mbrëmjeve, por mos shpenzoni aq sa të rrënoheni. Edhe me pak shpenzime mund të gjeni një fustan të mrekullueshëm në ngjyrë blu, të kuqe, të zezë, të prerë për një siluetë elegante e të rafinuar, ose fustane bust me motive floreale në ngjyrë rozë, që shkon si përgjatë ditës, ashtu dhe për në mbrëmje, duke ju shkurtuar kohën për t’u ndërruar (darkave mund të shoqërohet me një xhaketinë të lehtë). Është më i mrekullueshëm në material fluid dhe të lehtë. Zgjidhja juaj mund të ishte edhe një fustan me printime me figura të ndryshme, që prej kohësh kanë pushtuar dyqanet dhe duket se janë shumë të preferuar në stilin qytetas. Nuk mbeten pas as efekti grafik i fustaneve bardhezi, sidomos kur shoqërohen me bizhu.



Ngjyrat



Ngjyra e verdhë çdo stili ia jep fuqinë e duhur. Kështu thonë disenjatorët më të njohur botërorë, si Zhan Pol Gotje apo Kerolajn Herrere. Në vend të ngjyrës së pavdekshme të zezë, fustanet solemne të mbrëmjes, gjithnjë e më tepër, janë të ngjyrës joshëse të verdhë.

Në javën e modës në Berlin, shtëpia dizajnuese “Lac Et Mel” ka paraqitur rroba të verdha të leshta, në kombinim me mëndafshin e zi. Një stilizim i tillë, nga kritikët e modës shpesh quhet i rrezikshëm, ngase ekziston mundësia e kombinimit të gabueshëm të ngjyrave. Nëse doni që ta pakësoni intensitetin e rrobave të verdha, ato mund t’i kombinoni me detaje të hirta apo ngjyrë gështenjë. Fustanet mund të jenë në të verdhë të fortë ose e kuqe e ndezur, shtoni dhe një rrip mesi. Një fustan në ngjyrë rozë të vrarë, model i viteve ‘30, i gjithi në mëndafsh dhe i dekoruar me temina ose rruaza, e bën secilën prej jush që të duket si një princeshë, duke iu përshtatur çdo tipi ceremonie. Përpos këtyre ka edhe shumë të tjera që zgjedhin fustane më të thjeshta në prerje (me një gjatësi deri te gjunjët) për t’u ndjerë më të lirshme. Pëlhura është ajo që bën diferencën në modelime të tilla. Por të mos harrojmë dhe fustanet tendencë, të shoqëruara me bizhu të rënda ose taka të larta, duke krijuar një siluetë magnetike.





Pëlhurat për rastet solemne



Midis numrit gjithnjë e më të madh të fustaneve të ndryshme solemne që po paraqiten në treg, vërtet është vështirë të zgjidhet vetëm një dhe jo rrallë hutojnë edhe mundësitë e shumta të kombinimit. Prandaj kemi vendosur t’ju japim një pasqyrë të shkurtër të shfrytëzimit më të shpeshtë të pëlhurave për fustanet solemne.





Sateni

Llojet e ndryshme të satenit dallohen sipas thurjes, trashësisë dhe përmbajtjes, ndërsa të gjitha llojet e kanë një gjë të përbashkët që është shkëlqimi, gjë që kanë një pamje solemne. Më i përshtatshëm është për fustane, bluza dhe funde, edhe pse jo rrallë shfrytëzohet edhe për pantallona.





Dantella

Është e pazëvendësueshme në gardërobën solemne, madje në të gjitha variantet e mundshme, dantella përherë duket moderne dhe, varësisht nga lloji, luksoze. Shfrytëzohet për të gjitha llojet e veshjeve. Efekte të shkëlqyeshme arrihen me kombinimin e llojeve të tjera të pëlhurave.



Lureks

Janë pëlhura me përmbajtje të ndryshme të lëndëve të para, për të cilat karakteristike është përdorimi i penjve metalikë, të cilët u japin shkëlqimin. Janë të dedikuara ekskluzivisht për qepjen e fustaneve solemne.



Brokat

Është një pëlhurë e rëndë e thurur me penj të artë apo të argjendtë dhe përherë është shfrytëzuar për qepjen e rrobave solemne. Gjatë sezoneve të fundit nga kjo pëlhurë më së shpeshti qepen palltot solemne, fustanet me modele të thjeshta, pastaj kostumet me pantallona, gjë që duken vërtet të posaçme.



Matlase

Sipas peshës dhe llojit të rrobave që qepen nga kjo pëlhurë më së shumti i ngjajnë brokatit. Modelet e ngushta i japin një pamje relievore në sipërfaqe, andaj fustanet dhe kostumet e qepura nga ky stof duken të këndshme, posaçërisht nëse është e thurur nga fije të mëndafshta.



Shifoni

Shifoni, voali, muslini. Nga këto pëlhura të holla para së gjithash qepen bluzat, pastaj mund të arrihet edhe një fantazi kombinimesh me pëlhurat e tjera. Llojet më të mira të punuara nga mëndafshi natyror, edhe pse variante të lira nga fijet e poliestrës sot janë aq mirë të punuara saqë duken të bukura, por janë edhe për çdo xhep.



Moare

Pëlhurë mesatarisht e rëndë, përherë njëngjyrëshe, prodhohet nga fijet e mëndafshit apo të poliestrës. Kreatorët kulminantë e preferojnë, të cilët nga moarea qepin rroba mbrëmjeje (pothuajse përherë fustane), duke i shfrytëzuar mundësitë e tyre të jashtëzakonshme për modelime të ndryshme.



Kadifeja

Llojet e ndryshme të pëlhurave të kadifenjta përherë kanë asociuar në rrobat e mbrëmjes, edhe pse sot nga kjo pëlhurë qepen edhe rroba të çdoditshme. Megjithatë, karakteristikat e saj - butësia, ngjyra dhe lëmueshmëria e mirë - edhe më tej e bëjnë të pazëvendësueshme me rastin e qepjes së rrobave solemne.



Taft

Kjo pëlhurë kompakte dhe e lehtë dhe me shkëlqim është ideale për pallto të shkurtra të mbrëmjes apo për fustane, modeli i të cilave kërkon vëllim. Është karakteristike, edhe pse shushurin me rastin e çdo lëvizjeje.







28 Shkurt 2009