Botohen të plota programet orientuese lëndore për provimet me zgjedhje të Maturës
Jonida Tashi

Ministria e Arsimit shpall zyrtarisht programet orientuese lëndore, të cilat përfshijnë konceptet kryesore të lëndëve, për provimet e Maturës Shtetërore 2010. Dje, MASH-i ka publikuar programet e reja orientuese për 12 lëndët me zgjedhje të Maturës që janë: Gjeografi; Histori; Njohuri për Shoqërinë; Ekonomi–Filozofi; Fizikë; Kimi; Biologji; Anglisht; Frëngjisht; Italisht; Gjermanisht dhe Spanjisht. Programet orientuese janë hartuar nga Instituti i Kurrikulës dhe Trajnimeve (IKT) dhe janë baza për hartimin e testeve të provimeve të Maturës Shtetërore nga Agjencia Qendrore e Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA). Ato përmbajnë nga 50-60% të programit të plotë të lëndëve të shkollave të mesme. Pas publikimit, këto programe do të shpërndahen në shkolla, por për një mbarëvajtje më të mirë të nxënësve gjatë semestrit të dytë të vitit të fundit të shkollës së mesme, MASH u bën thirrje të gjithë maturantëve që të përqendrohen në tërësinë e lëndëve dhe jo vetëm në pjesën e programit që përmbajnë këto programe orientuese lëndore.




Universitetet, maturantët që kanë të drejtë t’u nënshtrohen provimeve me zgjedhje

Çdo nxënës që merr vlerësim kalues në të dy provimet me detyrim Gjuhë-Letërsi dhe Matematikë dhe dëshiron të vazhdojë studimet në universitetet publike të vendit, duhet t’u nënshtrohet edhe dy provimeve me zgjedhje të Maturës. Nxënësi, i cili është mbetës qoftë edhe në një nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e parë, nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje. Ky nxënës duhet të japë riprovim lëndët e detyruara në sesionin e dytë dhe, në qoftë se i merr ato, ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje vitin e ardhshëm. Kanë të drejtë të kandidojnë për të vazhduar studimet në universitetet publike të vendit vetëm nxënësit që vlerësohen kalues në të katër provimet e Maturës Shtetërore (dy provimet e detyruara dhe dy provimet me zgjedhje). Nëse një nxënës ka vlerësim kalues vetëm në njërin nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore, rezultati i tij do të ruhet (konsiderohet i vlefshëm) edhe në vitet në vazhdim. Kandidatët që duan të vazhdojnë studimet vetëm në Akademinë e Arteve të Bukura, Akademinë e Edukimit Fizik dhe Sporteve si dhe në programin e studimit të Edukimit Fizik dhe Sporteve në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, mund të konkurrojnë në këto institucione të arsimit të lartë publik pa qenë të detyruar të japin provimet e lëndëve me zgjedhje.



Testet, pas marrjes së programeve orientuese, AVA do të nis hartimin e tyre
Pas marrjes së programeve orientuese, drejtori i AVA-s do të miratojë ngritjen e grupeve lëndore të hartimit të testeve. Me propozimin e specialistëve lëndorë të AVA-s, ai do të emërojë anëtarët e grupeve lëndore të hartimit të testeve. Ata do të angazhohen në punë pas nënshkrimit të kontratave të posaçme, të cilat vënë si kusht ruajtjen e sekretit dhe mungesën e konfliktit të interesit. Specialistët lëndorë të AVA-s do të trajnojnë çdo anëtar të grupeve lëndore të hartimit të testeve, pas emërimit të tyre. Çdo grup lëndor do të hartojë fondin e kërkesave të testeve, bazuar në matricën e specifikimeve, të hartuar nga specialisti lëndor. Ky fond është sa dhjetëfishi i kërkesave që do të përmbajë testi. Pilotimi i njohjes së karakteristikave të kërkesave, procedurave logjistike dhe administrative për realizimin e provimit do të kryhet nga fondi i kërkesave të hartuara nga çdo grup lëndor, nën drejtimin e specialistit lëndor. Kurse përzgjedhja e testit të lëndës do të bëhet nga specialistë të caktuar prej Ministrit të Arsimit e Shkencës, që emërtohen përgjegjësa të testit përfundimtar (PTP), në kushtet e ruajtjes së plotë të sekretit(KOEPS), brenda ambienteve të izoluara të AVA. Menjëherë pas përzgjedhjes së testit kryhet shumëfishimi dhe paketimi i test-broshurave.


6 Shkurt 2010