Shtatë teza të ndryshme, sipas profilit të shkollave me tri nivele vështirësie. Në këtë mënyrë do të hartohen testet për provimet e maturës shtetërore. Të gjithë maturantët, të cilët hyjnë në kategorinë e nxënësve të dobët, pra që përgjithësisht marrin notën 5 ose 6, do të kenë hapësirën e tyre në çdonjërin prej testeve të provimeve të maturës. Kështu, në masën 40 për qind, hartuesit e testeve do të përgatisin pyetje pikërisht për këtë nivel. Nxënësit me këto nota i korrespondojnë nivelit të tretë, sipas kategorizimit që u është bërë. Në këtë mënyrë, këta maturantë do të mund të marrin pikët e nevojshme në provim sa për të mos mbetur në klasë. Niveli i dytë i pyetjeve, ku hyjnë nxënësit mesatarë, do të zërë në çdonjërin prej testeve plot 40 për qind të totalit të pyetjeve. Në këtë grup pyetjesh do të ketë testim të dijeve të maturantëve jo thjesht për njohuritë bazë, por për njohuri më të thella, për të cilat mund të përgjigjen ata maturantë që përpiqen të mësojnë, ose kanë qenë sistematikë. Niveli i parë, ose i nxënësve të mirë dhe shumë të mirë do të ketë 20 për qind hapësirë në test. Në këtë grup pyetjesh, maturantët do të testohen jo vetëm për njohuritë që kanë marrë gjatë shkollës së mesme, por edhe për kreativitetin e tyre individual. Në këtë mënyrë, maturanti i nivelit të tretë ka të ngjarë të marrë 40 për qind të pikëve, ata të nivelit të dytë 80 për qind dhe maturantët e nivelit të parë, 100 për qind të pikëve, pra pikët maksimale. Testi i provimeve të maturës, për secilin nga provimet e detyruara (Matematikë dhe Gjuhë-Letërsi) do të përmbajë 25 pyetje. Prej tyre, 13 me përgjigje alternative ku nxënësi do të grumbullojë 13 pikë dhe 12 pyetje me zhvillim. Nëse u përgjigjet saktë këtyre të fundit, do të marrë 37 pikë. Në total, një maturant duhet të marrë maksimumi 50 pikë për çdo provim të detyruar. Testet e provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2010 do të përmbajnë për secilën lëndë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje me përgjigje alternative, nga të cilat nxënësi merr 10 pikë dhe 10 pyetje me përgjigje me zhvillim. Për çdo përgjigje të saktë në këtë grup pyetjesh, nxënësi merr 3 pikë, duke grumbulluar në fund 30 të tilla. Në total një maturant duhet të marrë maksimumi 40 pikë për çdo provim me zgjedhje. Kohëzgjatja e dhënies së përgjigjes me shkrim për secilin nga testet e provimeve të detyruara do të jetë 2 orë e 30 minuta. Ndërsa kohëzgjatja për dhënien e përgjigjeve me shkrim për të dy testet provimeve me zgjedhje do të jetë 4 orë. Provimet e Maturës Shtetërore do të jenë të mbështetura vetëm në programin e shkollës së mesme. Shkollat do të organizojnë konsultime për provimet, sipas një plani të programuar, duke mos lejuar organizimin e kurseve private. Tezat do të jenë të nivelit mesatar duke mos i ngarkuar më shumë seç duhet maturantët. Rezultati negativ i njërit prej provimeve të detyrueshme të maturës nuk do të penalizojë hyrjen e maturantëve në provimet me zgjedhje. Sipas Ministrisë së Arsimit, meqë pesha e 4 provimeve është e shpërndarë në mënyrë të barabartë, nuk ka pse t’u jepet më shumë prioritet provimeve me detyrim.

matura

Pyetjet
40 për qind për nxënësit e 5-6
40 për qind për nxënësit e 7-8
20 për qind për nxënësit 9-10

Testet
Provimet me detyrim
25 pyetje
13 me përgjigje alternative
12 pyetje me zhvillim.