Publikohet shpjeguesi i programit të orientuar për Gjuhë-Letërsinë dhe Matematikën


Jonida Tashi



Ministria e Arsimit publikon Shpjeguesin e Programit të Orientuar të provimeve të detyruara të Maturës Shtetërore, për lëndët Letërsi e Gjuhë Shqipe dhe Matematikë. Ky shpjegues shërben për të orientuar sa më mirë të gjithë maturantët, të cilëve u adresohet direkt, në përgatitjen e tyre për provimet e detyruara të Maturës Shtetërore. Ai shërben gjithashtu për të gjithë mësuesit në organizimin e konsultimeve e përgatitjeve për këto provime, por dhe për prindërit dhe opinionin publik. Shpjeguesi mbështetet mbi programin e orientuar të publikuar më parë nga MASH-i. Ai përmban një fond të gjerë pyetjesh, sipas niveleve të ndryshme të vështirësisë dhe për të gjitha profilet e llojet e shkollave të mesme. Mbi këtë bazë do të formulohen edhe pyetjet e testeve të Maturës Shtetërore. Lënda shpjeguese është përgatitur nga Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve (AVA) dhe është konsultuar me specialistë dhe mësues të lëndëve të Letërsisë, Gjuhës Shqipe dhe Matematikës. Përmes këtij shpjeguesi dhe një fondi kaq të gjerë pyetjesh, MASH-i synon të ndihmojë të gjithë maturantët për t’u përgatitur sa më mirë për provimet e detyruara të Maturës Shtetërore.







Letërsi dhe Gjuhë Shqipe



Synimi

Me anë të këtij shpjeguesi, synojmë t’u vijmë në ndihmë maturantëve, të cilët do t’i nënshtrohen testit të Maturës Shtetërore 2010, në lëndën Letërsi dhe Gjuhë shqipe.

Shënim referimi

a. Ky shpjegues u drejtohet të gjithë maturantëve të shkollave të mesme si:

• gjimnazit (drejtimi shoqëror, natyror dhe i përgjithshëm)

• shkollës së mesme të gjuhëve të huaja

• shkollës së mesme pedagogjike

• shkollës profesionale 3+2 dhe 5 vjeçare

• shkollës social–kulturore, (artistike, sportive, koreografike)

• shkollës me kohë të shkurtuar.



b. Maturantët mund të ushtrohen me ato shembuj pyetjesh e testesh që janë ndërtuar mbi fragmentet ose poezitë e veprave që janë në Programin Orientues.

Përmbajtja e shpjeguesit:

• Si do të jetë testi i Letërsisë dhe Gjuhës shqipe.

• Shembuj të ndryshëm pyetjesh dhe testesh.



Si do të jetë testi i Letërsisë dhe Gjuhës shqipe?

Testi i Letërsisë dhe Gjuhës shqipe ka si qëllim vlerësimin e njohurive dhe aftësive të nxënësve që mbarojnë shkollën e mesme, formimin letrar e gjuhësor të tyre.

Ai ndërtohet duke u mbështetur në linjat e përmbajtjes, të përshkruara në Programin e Orientuar të Letërsisë dhe të Gjuhës shqipe si dhe pasqyron peshën përkatëse, që secila prej tyre ka, paraqitur hollësisht në këtë Program që është prej muajsh në duart e cdo nxënësi maturant.

Më poshtë jepet në mënyrë të përmbledhur tabela e specifikimeve, e cila përmban tri nivelet e arritjes së testit, bashkë me përqindjet përkatëse.



Tabela e specifikimeve të pyetjeve në test







SHEMBUJ TË LLOJEVE TË PYETJEVE NË TEST

I. Pyetje për periudhën historiko-letrare, gjininë dhe llojin.

Këto pyetje kërkojnë:

• të përcaktohet se cilës periudhe, gjinie dhe lloji i përket vepra në fjalë.

• të veçohen tipare të periudhës, të gjinisë apo llojit të veprës.



Shembuj



1. Lirika e Lasgushit i përket:

A) letërsisë humaniste shqiptare

B) letërsisë klasike shqiptare

C) letërsisë moderne shqiptare

D) letërsisë së vjetër shqiptare



2. Cikli i kreshnikëve është pjesë e:

A) epikës legjendare

B) lirikës popullore

C) epikës historike

D) kanunit të Lekë Dukagjinit



3. Poezia “Kroj i fshatit tonë” është lirikë:

A) e peizazhit

B) dashurisë

C) filozofike

D) shoqërore



4. Cikli “Bukuria” është krijim:

A) dramatik

B) lirik

C) epiko-lirik

D) epik



5. Cili nga tiparet e romantizmit shqiptar spikat në ciklin “Bukuria”?

A) Evokimi i së kaluarës

B) Kulti i natyrës

C) Kulti i ndjenjës

D) Heroi i jashtëzakonshëm.



6. “Orestia” është vepër e gjinisë:



A) epike

B) lirike

C) dramatike

D) epiko-lirike



7. Orestia quhet triologji për shkak:

A) të përbërjes strukturore prej tre pjesësh

B) të ngjarjes në tre pamje

C) të faktit se ka tre personazhe

D) se shpreh tre ide të ndryshme



8. Makbethi është vepër:

A) tragjike

B) komike

C) lirike

D) tragji-komike



9. Martesa e Halilit bën pjesë në:

A) epikën historike

B) epikën legjendare

C) këngët e dashurisë

D) këngët e riteve të motmotit.



10. Nga cili vëllim është shkëputur poezia “Gjuha Shqype” e Fishtës:

A) Mrizi i Zanave

B) Vallja e Parrizit

C) Lahuta e Malcis

D) Anzat e Parnasit



11. Poezia “Gjuha Shqype” e Fishtës është e gjinisë:

A) epike

B) epiko-lirike

C) lirike

D) dramatike



12. Koliqi është:

A) nismëtar i letërsisë së angazhuar

B) themelues i romanit shqip

C) ndjekës i prozës së traditës

D) filluesi i prozës moderne shqipe



13. Si shfaqet Mjeda në veprën “ Andrra e jetës”, si realist apo si romantik? Pse?



II. Pyetjet për të kuptuarit e veprës, tematikës, mesazhit dhe ideve.

Këto lloj pyetjesh kërkojnë:

• të identifikohen elemente të përmbajtjes.

• të veçohen apo shtjellohen idetë, motivet si dhe imazhet e krijuara në vepër ose fragmentin e dhënë për studim.



Shembuj



1. Cila nga alternativat e mëposhtme përmbledh më mirë idenë e paragrafit III?

(Vjeshta e Xheladin beut)

A) Asgjë nuk e shpëton dot beun nga plakja.

B) Beu është zot mbi njerëz dhe toka.

C) Vjeshta i ka shkaktuar beut një rënie morale dhe fizike.

D) Beu ndihet keq fizikisht dhe moralisht.



2. Imazhi më i fortë në këtë skenë është:

(Makbeth)

A) duart me gjak.

B) fytyrat me gjak të shambellanëve.

C) kamat me gjak.

D) uji që lan gjakun.



3. Mesazhi i strofës së fundit është:

(Ferri)

A) Bota është e gjitha njësoj

B) Në mjerim njeriu kujton kohët e bukura

C) Njeriu nuk duhet të mendohet gjatë

D) Njeriu mëson vazhdimisht



4. Cili nga motivet e mëposhtme përshkon poezinë “Gjuha Shqype?

A) patriotik

B) erotik

C) filozofik

D) i natyrës

5. Cili është mjedisi i përzgjedhur nga Migjeni, për t’u vënë në qendër të novelës:



( novela “ Historia e njenës nga ato” )

A) Bota e gruas

B) Familja shqiptare

C) Bota e huaj

D) Mjedisi qytetar



6. Zonja Makbeth e quan Makbethin: “ vullnetsëmurë” sepse:

A) ai nuk ka kurajo të bëjë krimin

B) nuk përballon dot krimin e kryer

C) dallon për vetinë e durimit

D) nuk i tregon së shoqes idetë e tij



7. Krimi që aludohet se është kryer këtu, ndodh:



(Makbeth)

A) nga etja për pushtet

B) nga xhelozia e dashurisë

C) nga inatet personale

D) nga hakmarrja



8. Në veprën e tij, Dante përshkruan:



A) një udhëtim imagjinar të poetit në përtej botë

B) një udhëtim në vendin e të parëve

C) një udhëtim imagjinar në fëmijëri

D) një udhëtim imagjinar në një vend historik



9. Kujt i drejtohet betimi i Halilit?

(Martesa e Halilit)

A) Vëllait

B) Zotit

C) Miqve

D) Tanushës



10. Cila është arsyeja që Zonja Makbeth nuk e vrau vetë Dunkanin kur ai po flinte?



11. Cila është princesha e bukur? Në çfarë marrëdhënie gjuhësore vendosen fjala e gjetur nga ju dhe princesha? (Kumbulla përtej murit)



12. Dy personazhet kryesore të këtij fragmenti janë sa të ngjashëm aq edhe të ndryshëm. Duke gjetur nga një tipar të tyrin, shpjegoni dallimin midis tyre.



13. Cilat janë dy shenjat që vërtetojnë që Oresti është gjallë?

Përgjigje:

- flokët

- gjurmët



14. Si e konsideron Eskili tufën e flokëve mbi varr? Përse shërben tjetër ajo? Kujtoni dhe përshkruani një zakon shqiptar me të cilin ju ngjan ky rit, i përshkruar nga Eskili.



15. Gjeni dy tipare të Elektrës që shfaqen në këtë fragment, si pasojë e gjendjes së saj shpirtërore.



16. Lexoni vargun: “Vron pasqyrën e jetës vet”. Çfarë sheh ajo dhe si e motivon ky moment veprimin e saj të mëpasëm? (Andrra e jetës)



17. Gjendja shpirtërore e Orestit, deri në kryerjen e vrasjes, shfaqet e dyzuar. Cilat mendoni se janë arsyet e këtij dyzimi? (Koeforet)



18. Gjeni një nga motivet kryesore të tragjedisë në këtë pjesë. (Koeforet)



19. Shpjegoni me fjalët tuaja shprehjen: “Pamje fatale”. Për çfarë e ka fjalën autori këtu.



20. Gjeni dhe shpjegoni një motiv dytësor që ka lidhje me lajtmotivin e poezisë “Gjuha shqype”.



III. Pyetjet që lidhen me detajet.

Këto pyetje kërkojnë:

• Gjetjen e detajeve dhe funksionin e tyre.

• Interpretimin e një pjese ose detaji të fragmentit të dhënë në test.



Shembuj

1. Detaji i krizantemës në strofën e parë të fragmentit, nënkupton: (Andrra e jetës)



A) ardhmërinë e personazheve.

B) se fati i njeriut është ndryshe nga ai i natyrës.

C) parapërgatitje për afrimin e vdekjes.

D) peizazhin e një dimri të ftohtë.

2. Cilët janë disa nga elementet ose detajet e psikoanalizës, që tregojnë mbështetjen e autorit në përjetimet e personazheve. Jepni të paktën dy prej tyre.



3. Shprehja” si dëshirë e nji krymbi dhe dëshira e njeriut”, është e lidhur me një detaj të rëndësishëm në fragment. Cili është ky detaj dhe me çfarë figure letrare shprehet?



4. Makbethi ka luftë ndjenjash brenda vetes. Cilat janë dy detajet që e tregojnë këtë luftë?



5. Makbethi është një vepër skenike. Cilat janë detajet që krijojnë lidhjen e fortë mes spektatorit ose lexuesit dhe veprës. Gjeni tri detaje të tilla në fragment.



6. Tek “Makbethi” janë përdorur mjeshtrisht detajet. Gjeni dy të tilla në fragment dhe interpretoni funksionin e përbashkët të tyre.



7. Cilat janë fjalët kyçe të kësaj poezie? Gjeni tre prej tyre.



(Gjuha shqype)

8. Cila është atmosfera e kohës së kësaj poezie? Kur është shkruar ajo? Cili detaj ju bën të mendoni kështu? (Gjuha shqype)



9. Gjatë gjithë këtij fragmenti autori thekson sytë e të dy grave. Çfarë komunikon secila përmes tyre? (Kush e solli Doruntinën)



10. Argumentoni përmes detajeve të përdorura në vargjet ku përshkruhet portreti i Tanushës (Vetulla e saj...), se bukuria e saj është dhënë jo e ngrirë, por në lëvizje dhe tepër e gjallë.



IV. Pyetje të karakterit përgjithësues (analitike).

Këto janë lloji më i vështirë i pyetjeve, sepse përgjigjet nuk janë të dhëna drejtpërdrejt në fragment. Nxënësit i duhet të përmbledhë faktet dhe të japë përgjithësime. Pjesa më e madhe e këtyre pyetjeve përmbajnë fjalë të tilla çelës si: mendo, parashiko, trego, sugjero,komento, përmblidh, nënkupto.



Shembuj



1. Në këtë poezi autori synon të japë një gërshetim të elementëve që çojnë në:

( Gjuha Shqype)

A) identitetin e shqiptarëve

B) në bukurinë fizike të njeriut

C) në vlerat e individit

D) në piknisjen e historisë



2. Vargu: “Dhe ma rrëmbejnë kohën e favortë”, e tregon Makbethin si:



A) njeri të veprimit

B) njeri ëndërrimtar

C) njeri që nuk vendos dot



3. Autori thotë se historinë e Lukes pak njerëz kanë për ta kuptuar, sepse:



(Historia e njenës nga ato)

A) Lukja është e çmendur dhe nuk mund të tregojë se çfarë i ka ndodhur.

B) kjo është një shoqëri që më shumë priret të gjykojë se të kuptojë.

C) liria e gruas është një koncept i ri për ta.

D) ka pak njerëz të shkolluar që e dinë ç’është prostitucioni.

4. Në vargun: “Vdekja dhe natyra po përleshen” nënkuptohet: (Makbeth)



A) lufta midis jetës dhe vdekjes.

B) lufta midis së mirës dhe së keqes.

C) lufta midis të kundërtave në natyrë.

D) lufta për të zotëruar mbretërinë.

5. Si do ta interpretonit mbylljen e këtij fragmenti: “Pas pleqërie efnm? Ti e di: varri...” ?



(Vjeshta e Xheladin Beut)

6. Fishta konsiderohet poet elegant. Gjeni në poezinë “Gjuha Shqype” një tipar të kësaj elegance?



7. Komentoni shprehjen: “Të vdekurit edhe të fjeturit nuk janë veç piktura./Syr’i foshnjës vetëm, ka frikë nga një djall i pikturuar…”. Cilët janë të vdekurit? Po të fjeturit?” .Cila është lidhja e tyre me pikturën? (Makbeth)



8. Migjeni konsiderohet një zë i veçantë në letërsinë shqipe. Shkruani një risi, që gjen shprehje në këtë fragment, duke e shoqëruar atë me ilustrime. (Historia e njenës nga ato)



V. Pyetjet përkufizuese dhe përcaktuese

Janë pyetje që lidhen me disa fjalë të marra nga fragmenti dhe që janë përdorur në kuptime të caktuara. Duhet lexuar me shumë kujdes fjalia ku ndodhet fjala dhe duhet parë kuptimi me të cilin ajo është përdorur në kontekstin e dhënë. Nga ana tjetër duhen lexuar edhe fjalitë e tjera që ndodhen pranë saj, për të krijuar kështu një ide sa më të plotë në lidhje me fjalën, kuptimi dhe funksioni i së cilës kërkohet të sqarohet në përgjigje.



Shembuj



1. Himnizimi i gjuhës sonë realizohet nëpërmjet: (Gjuha shqype)

A) lartësimit apo lëvdimit të saj

B) analizimit të fakteve dhe detajeve deri në imtësi

C) përshkrimit të ndonjë veçorie të saj

D) antagonizmit të thellë me simotrat e tjera



2. Gjetjet e reja letrare të Koliqit janë të lidhura me:

A) njësitë tematike dhe stilistike

B) vetëm me përmbajtjen si e tërë

C) vetëm me formën si risi

D) me ndjesinë ndaj sjelljes së njerëzve



3. Perëndim i vagëlluar ka kuptimin: (Poradeci)

A) perëndim i ndritur

B) perëndim i qetë

C) perëndim i kuq

D) perëndim i mjegullt



4. Cili nga çiftet e mëposhtme krijon antonimi të kontekstit poetik? (Poradeci)

A) plak – i përrallshëm

B) natë – errësirë

C) ra – u dergj

D) hesht – kërcet



5. Kur Jasoni i drejtohet Medeas me fjalët: “një grue barbare“ ai i referohet asaj si një grua:

A) misterioze

B) të nënshtruar

C) të paqytetëruar

D) fisnike



6. Shprehja “ mendja zuri t’i qerthullohej” ka kuptimin: (Vjeshta e Xheladin Beut)

A) mendja po i ndriçohej.

B) mendja po i vinte rrotull.

C) mendja po i errësohej.

D) mendja po i kthjellohej.



7. Cili është roli i korit në këtë fragment: (Medea)



A) të rrisë vlerën e personazheve

B) të shmangë konfliktin

C) ti japë intensitet dhe dramacitet veprës

D) të tregojë ngjarjen për spektatorin



8. Fjala errësira, në këto vargje mund të interpretohet në dy mënyra: të drejtpërdrejtë dhe të figurshëm. Si e kuptoni secilën prej tyre? (Poradeci)



9. Cili është mesazhi që përcillet në strofën e fundit? Argumentoni mendimin tuaj mbi këtë vargje të Fishtës: “ Edhe shqyp na ka thanë se zoti/ Për shqyptarë Shqypnin’ e fali/ Se sa t’enden stina e moti,/Do ta gzojn kta djalë mbas djali.”



VI. Pyetjet rreth tonit dhe qëllimit.

Këto pyetje kërkojnë interpretimin e këndvështrimit tëautorit dheefektet që krijohen te lexuesi.

Toni pasqyron qëndrimin e shkrimtarit kundrejt përmbajtjes dhe auditorit. Qëllimi përcakton efektet që vepra krijon te lexuesi. Shkrimtarët i arrijnë këto qëllime përmes përzgjedhjes së fjalëve dhe përshtypjeve që këto fjalë krijojnë. Disa tone të mundshme janë: admirim, adhurim, optimizëm, ngazëllim, përbuzje, krenari, zhgënjim, respekt, habi, zemërim, keqardhje, ironi, indinjatë, dyshim, pesimizëm dhe kënaqësi.

Shembuj



1. Në këtë poezi toni dominues është: (Gjuha shqype)

A) ngazëllimi

B) keqardhja

C) ironia

D) indiferenca



2. Ndërtimi “Zemër-valë”, jep cilësinë e njeriut :

A) të dështuar

B) të çmendur

C) të ngushëlluar

D) të dashuruar



3. Figura kuptimore e përdorur në vargun: “kur unë kërcënoj, ai po rron” është:

A) simboli

B) krahasimi

C) hiperbola

D) antiteza



4. Cila është përshtypja që kërkon të krijojë autori në pjesën e dhënë më sipër?

A) Xheladin beu ka një nam të keq.

B) Xheladin beu është pre e pasionit të tij.

C) Xheladin beut plakja nuk i shkakton asnjë emocion.

D) Xheladin beu po plaket në mënyrë të shëmtuar.



5. Në këtë fragment përçohet ndjenja: (Katedralja e Parisit)

A) e përçmimit

B) e humanizmit

C) e përulësisë

D) e urrejtjes

6. Dialogu mes dy grave përcjell: (Medea)

A) ankth

B) zemërim

C) indiferencë

D) urrejtje



7. Atmosfera që krijon vargu: “gja ma t’mir s’shef në kët dhe”, konsiderohet si:

A) përsosmëri

B) afinitet

C) transparencë

D) distancë



8. Fishta shfaqet në këtë poezi si poet lirik. Ku duken tonet lirike?. Gjeni dy shembuj dhe komentoni funksionin e tyre.



9. Ç’efekt krijon, nga pikëpamja psikologjike, trokitja në derë në vargun: “Kush po troket në derë?/ Qysh u bëra?”? (Makbeth)



10. Vrasja e mbretit Dunkan nuk ndodh përpara syve të spektatorit, por prapa skenës. Pse Shekspiri ka zgjedhur një teknikë të tillë? (Makbeth)



11. Në fragmentin e parafundit, Xheladin beun nuk e shqetëson ajo që ka kaluar, por e ardhmja që do të vijë. Pse? Shpjegoni arsyen pse autori, pikërisht në këtë moment, ofron imazhin e vajzave të reja dhe natyrës së pasur. (Vjeshta e Xheladin Beut)



12. Çfarë ndjesie ju zgjon një mënyrë e tillë portretizimi? (Vjeshta e Xheladin Beut)



VII. Pyetjet për formën dhe figuracionin

Këto pyetje lidhen me figurshmërinë, elementet e organizimit metrik: ritmit, rimës, skemës, numrit të rrokjeve, numrit të vargjeve dhe strofave.

Në prozë pyetjet përfshijnë elemente të subjektit e të kompozicionit, të përbashkëtat dhe dallimet, shkaqet dhe pasojat, rrjedha logjike e ngjarjeve etj.



Shembuj

1. E gjithë kënga ndërtohet mbi figurën stilistike të: (Komedia hyjnore)

A) alegorisë

B) metaforës

C) simbolit

D) personifikimit



2. Shprehja: “gjit e drandofilit“ ka në bazë, figurën e:

A) metaforës

B) anaforës

C) personafikimit

D) alegorisë



3. Figura kryesore e kuptimit, përdorur në këtë fragment është: (Martesa e Halilit)

A) simboli

B) krahasimi

C) antiteza

D) personifikimi



4. Figura e stilistikës në vargun: “Vidhos kurajën mun në vend ku ngjitet” është:

(Makbeth)

A) alegoria

B) metonimia

C) metafora

D) sinekdoka



5. Vargu i ciklit të kreshnikëve është:

A) 8-rrokësh

B) 9-rrokësh

C) 10- rrokësh

D) 12-rrokësh



6. Vargjet e poezisë “Vallja e yjeve” janë shkruar me rimë:

A) të brendshme

B) të kryqëzuar

C) të puthur

D) të alternuar



7. Gjeni figurën e stilistikës në vargun: “Makbethi vrau gjumin!”. Interpretoni nëntekstin e saj..



8. Rendisni tri tipare të stilit të Balzakut që shfaqen në këtë fragment.



a) ______________________________ b) ______________________

c) ______________________________



9. Ju shikoni lidhëzën porsi disa herë të përsëritur. Cila është figura që përftohet në këtë rast dhe përse shërben ajo? (Gjuha shqype)



10. Gjeni dy metafora dhe shpjegoni funksionin e tyre? (Gjuha shqype)



11. Cili është lloji i strofës së përdorur këtu? Po ai i rimës? Çfarë ngjyrimi i japin poezisë?



12. Çfarë figure të sintaksës poetike gjeni në vargjet: “N’t’zjarrtat valle t’amëshimit.” Cili është funksioni i saj?



VIII. Pyetjet rreth gjuhës shqipe

Këto pyetje testojnë njohuritë e nxënësve në gramatikë, stilistikë gjuhësore, kulturë gjuhe, njohuri për gjuhën dhe drejtshkrim. Në të gjitha rastet këto pyetje kërkojnë nga nxënësit të shikojnë me kujdes se si gjuha materializon, mishëron dhe realizon përmbajtjen e veprës..



Shembuj:

1. Folja: “përgjak”, është fjalë:

A) e prejardhur

B) e parme

C) e përngjitur

D) e përbërë



2. Forma foljore në shprehjen: “ndihmona Zot”, tregon se Oresti:

A) urdhëron Zeusin

B) i tregon se e ka detyrë ta ndihmojë

C) shmang rolin e Zeusit

D) nuk kupton vendin e tij



3. Cila nga fjalët e mëposhtme do të jepte më mirë kuptimin e togfjalëshit: “Trishtim i pakufishëm”?

A) Dëshirë

B) Largësi

C) Melankoli

D) Plotëri



4. Ndërtimi i veçantë sintaksor i fjalisë: “Stacioni i fundit automobili” nënkupton një: (Historia e njenës nga ato)

A) katund, i cili ka një stacion automobili.

B) katund të mbytur nga monotonia.

C) katund, ku ngjarjet ndodhin në stacion.

D) katund, ku stacioni është pikë lidhëse me qytetin.



5. Cila nga fjalët e mëposhtme është neologjizëm i Lasgush Poradecit?

A) i përvëluar

B) e varfëruar

C) qielluar

D) dëshëruar



6. Përsëritja e foljes rri (strofa 4) tregon: (Andrra e jetës)

A) përpjekje për t’u ngrohur.

B) qetësi shpirtërore pas një lodhjeje të madhe.

C) tronditje shpirtërore.

D) vetmi të pangushëlluar.



7. Si është formuar fjala horrllëk? Ç’ngjyrim stilistikor mbart kjo fjalë?



(Historia e njenës nga ato)



8. Ka raste kur Migjeni e nis fjalinë me një lidhëz bashkërenditëse shtuese. Gjeni dy raste të tilla në fragment dhe shpjegoni arsyen e këtij përdorimi. (Historia e njenës nga ato)



9. Gjeni tre mbiemra dhe shpjegoni rolin e përdorimit të tyre në fuksionin e figurës stilistike dhe të kuptimit. (Gjuha shqype)



10. Shkruani në normën letrare fjalët: gjama, lmon, rrfes, zhgjetare dhe sqaroni ndryshimet fonetike. (Gjuha shqype)



11. Zëvendësoni shprehjen frazeologjike” len pas dor” me një shprehje ose fjalë tjetër.Me fjalën dorë shkruani një shprehje frazeologjike dhe një fjalë të urtë. (Gjuha shqype)



12. Retiçencat përsëriten dy herë në momentet kyçe të kuptimit të poezisë. Cili është funksioni i tyre? (Vallja e yjeve)



13. Me ç’pjesë të ligjëratës janë formuar metaforat e mëposhtme? (Kënga pleqërishte)

a) Rënkimi i zemrës: ___________________



b) Lot i përvëluar: ___________________



14. Cila është arsyeja që fjalën vend poeti e shkruan me shkronjë të madhe? (Kënga pleqërishte)



15. Gjeni në fragment dy neologjizma. (Kush e solli Doruntinën)

16. Identifikoni dy të veçanta që shfaqen në ndërtimin sintaksor të fjalisë: E rrallë dhe e verdhë, vërtetë fleta e plepit përtej dritareve me hekura e kafaze, po qielli i kulluar i ëmbël.

(Vjeshta e Xheladin Beut)

Shpjegoni forcën e shprehësisë që merr kjo mënyrë ndërtimi.



17. Gjeni në paragrafin e parë të fragmentit foljen e përsëritur. Në c’kohë është përdrur kjo folje dhe si e përcjell ajo ngarkesën emocionale të vazhdimësisë së jetës. (Historia e njenës nga ato)



18. Në fillim të paragrafit të fundit këmbehen fjalitë e gjata me fjali të shkurtra. Në fund të paragrafit fjalite janë vetëm të shkurtra, Cili është funksioni i kësaj zgjedhjeje? A ka lidhje kjo mënyrë rrëfimi me gjendjen shpirtërore të personazhit? (I huaji)



19. Evidentoni të paktën tri mjete gjuhësore me të cilat Eskili realizon në fillim të fragmentit (fjalët e shërbëtorit) tensionin , ankthin dhe frikën .



20. Yjeve , poeti u vesh dy cilësi të kundërta (e lumë dhe varfanjakë). Si e shpjegoni këtë pranëvënie ? Çfarë janë nga ana kuptimore keto dy mbiemra?



21. “ Dhe bart në kurriz një premtim/ Të dhënë në hirin e gjyshërve të mundur.” (Pelegrini)

Tregoni : a. Ç’pjesë ligjërate është fjala e nënvizuar?

b. Ç’funksion sintaksor kryen?

c. Si është formuar kjo fjalë?



22. Gjeni në tekst formën dialektore të përcjellores. Zëvendësojeni atë me formën e përcjellores që përdoret në gjuhën standarde (Historia e njenës nga ato, pjesa III)



23. Gjeni trajtën e shkurtër të bashkuar të përdorur në vargun “Sa mirë hallin po ma ditki burra...”



Ç’ndjenjë të Mujit përcjell përdorimi i saj?

24. Në vargun “Qoftë latg cdo kamje që më djeg në zemër” (Medea)



Zëvendëso pjesën e nënrenditur përcaktore me një pjesë të nënrenditur shkakore.

25. Evidento 2 raste të përdorimit të gjymtyrëve homogjene në fragment.

Pse autori i përdor aq shpesh ato në përshkrimet e tij? (Evgjeni Grande)





IX. Ese

Testi i Letërsisë dhe Gjuhës shqipe përmban edhe një ese. Kjo mund të jetë e tipit përshkrues, argumentues ose krahasues.

Ese përshkruese

1. Ç’mund të ketë ndodhur pasi personazhi kapërcen kopshtin? Rrëfeni vazhdimin e ngjarjes, duke renditur dhe përshkruar veprimet dhe ndjesitë e shkaktuara. ( Kumbulla përtej murit)

2. Fishta përcjell mesazhe të fuqishme. Përshkruani mesazhin e kësaj poezie duke u ndalur te motivi i adhurimit të gjuhës së nënës.

3. Përshkruani marrëdhënien midis Mersoit dhe nënës së tij. Në përgjigjen tuaj përqendrohuni në detaje që përdor Kamy në dhënien e elementeve të veçantë të kësaj marrëdhënieje.

4. Përshkruani se si e përfytyroni skenën e vrasjes së mbretit Dunkan në tragjedinë “Makbeth”. Në përgjigjen tuaj përqendrohuni në teknikat, gjuhën dhe imazhet e përdorura nga Shekspiri për ta bërë sa më të gjallë këtë skenë.

5. Përshkruani me fjalët tuaja bukurinë e Tanushës te “Martesa e Halilit”. Përpiquni të ruani përmasën që bukuria femërore ka në përshkrimin popullor.



Ese krahasuese

1. Mbështetur në fragmentin e dhënë më sipër, shkruani një ese krahasuese për Makbethin me zonjën Makbeth. Ku ndryshojnë dhe ngjajnë ata të dy? Si ndikojnë detajet e përzgjedhura dhe imazhet e krijuara nga Shekspiri për të dhënë këtë ndryshim?

2. Krahasoni Makbethin dhe Bankon. Ku ngjajnë dhe ku ndryshojnë ata të dy?

3. Jozef K është personazhi që dënohet pa kryer asnjë faj. Nga ndryshon ai nga dy burrat që vijnë dhe e marrin për të çuar në vend ekzekutimin.



4. Krahasoni dy poezitë që i këndojnë gjuhës shqipe. (poezinë e Fishtës “ Gjuha Shqype” dhe poezinë e Naim Frashërit “Gjuha jonë”.

5. Duke u nisur nga veprat e tyre, krahasoni absurdin e Kamysë me absurdin kafkjan.



Ese argumentuese

1. Shume lexues mendojnë se “Zonja Bovari” është një roman që të trishton. Po ju a ndiheni kështu? Argumentoni mendimin tuaj në formën e një eseje, duke u përqendruar veçanërisht në momentet më të rëndësishme që ju bëjnë të ndiheni të tillë ose jo.

2. A mendoni se bukuria lind dashurinë? Argumentoni mendimin tuaj në formën e një eseje.

3. Balzaku në roman shprehet:“Në se drita është dashuria e parë e jetës, atëherë dashuria përse të mos jetë drita e zemrës?” A jeni dakord me këtë mendim? Argumentoni përgjigjen tuaj në formën e një eseje.

4. Zgjedhjet e individit në jetë mund të shkaktojnë pasoja të pakthyeshme për të ardhmen. A jeni dakord me këtë pohim? Argumentoni mendimin tuaj në formën e një eseje.

5. Përse një histori personale nuk mbetet gjithmonë e tillë? Përse historitë njerëzore ngjajnë me njëra-tjetrën? Asnjëherë një histori nuk është e vetmja, ka edhe të tjera si ajo. Kjo ide jepet edhe në titullin e fragmentit. ( Historia e njenës nga ato)

6. Situata e personazhit shpesh është fati i një njeriu. Individi përballë shoqërisë. Ky është raporti universal. Jepni mendimin tuaj sesi e shihni këtë raport. A janë të rëndësishme mirësia, toleranca dhe dashuria?





SHEMBUJ TESTESH



DRITËRO AGOLLI “Pelegrini”

Unë jam prej kohësh pelegrin

Udhëtar në vendin e shpresës së thyer

Jam ndarë padashur nga karvani im

Mes shtigjeve nga vapa e shirat gërryer

Kërkoj karvanin tim në rërë e në shpat,

Karvanin që ka ndërruar drejtimin me kohë,

Ndaj në udhë jam krejt, i humbur, jam fillikat,

Me shami të grisur lidhur në kokë.

Për ujë buza ime u dogj u bë zhur

Dhe sytë më shpojnë nga shterja e lotit,

Më duhet të arrij karvanin e tretur qëkur

Çapitur mes vapës, mes shiut e të ftohtit.

Unë jam prej kohësh pelegrin.

Shtegtar i karvanit të humbur

Dhe bart në kurriz një premtim

Të dhënë në hirin e gjyshërve të mundur.



1. Filli lidhës i kësaj poezie me krijimtarinë poetike të Agollit është: 1 pikë



A) zhgënjimi dhe mosbesimi

B) notat pesimiste dhe trishtimi

C) individi dhe shoqëria

D) udha, rrugëtimi, lëvizja



2. Kjo poezi është shkruar me: 1 pikë



A) varg të lirë

B) rimë të kryqëzuar

C) rimë të puthur

D) rimë të brendshme



3. Kuptimit që mbart fjala pelegrin, Agolli i shton edhe: 1 pikë



A) dashurinë për të afërmit dhe vendlindjen.

B) kuriozitetin për të njohur dhe zbuluar botën

C) detyrimin moral kundrejt besimit të tij fetar.

D) detyrimin moral ndaj vetes dhe të parëve





4. Pse çasti që po përjeton poeti është i dhimbshëm? 1 pikë



A) E ndjen se po plaket.

B) I mungon karvani

C) Po humbet muzën poetike.

D) Poetët e rinj po e sulmojnë.



5. Figura letrare në vargun: “Udhëtar në vendin e shpresës së thyer” është: 1 pikë



A) metonimi

B) metaforë

C) sinekdokë

D) alegori



6. Në cilën prej alternativave të mëposhtme mbiemri është përdorur me kuptim të drejtpërdrejtë? 1 pikë

A) shpresës së thyer

B) karvanin e tretur

C) shami të grisur

D) gjyshërve të mundur



7. Çfarë simbolizon në këtë poezi pelegrini dhe karvani i humbur? 2 pikë



8. Përshkruani gjendjen shpirtërore dhe fizike të heroit lirik. Mendimin tuaj ilustrojeni me detaje ose vargje nga fragmenti. 3 pikë



9. Poeti deklaron se është: “Udhëtar në vendin e shpresës së thyer”. Cili është përfytyrimi juaj për një vend ku shpresat thyhen? Shpjegoni kontekstin historik mbi të cilin është krijuar poezia. 2 pikë



10. Gjeni në poezi dy çifte sinonimesh. Përcaktoni funksionin e tyre stilistik. 3 pikë



a) Çiftet e sinonimeve: ________________________________________________



b) Funksioni: ________________________________________________________





11. Interpretoni dy vargjet e fundit të poezisë duke theksuar edhe notat që i përshkojnë ato. “Dhe bart në kurriz një premtim /Të dhënë në hirin e gjyshërve të mundur.”? 2 pikë



12. Edhe kur mbetet pas, njeriu duhet të vrapojë për të arritur të tjerët. Argumentoni në trajtë eseje këtë ide. 8 pikë









23 Prill 2010