Mosrenditja e 10 preferencave në formularin A2 nga maturantët që konkurrojnë për ndjekjen e shkollës së lartë gjatë vitit të ri akademik nuk do të shoqërohet me penalizime, sikurse është vepruar vitet e shkuara, pasi Ministria e Arsimit ka lehtësuar procesin e aplikimit për maturantët.


Në rregulloren e provimeve për 2009-n është përcaktuar që kandidatët do të hyjnë në garën e pranimit në universitet sipas preferencave të tyre, ndonëse kuadratet përbri 10 degëve nuk do të plotësohen të gjitha nga e para tek e fundit. Aplikimet e vitit të kaluar kërkonin detyrimisht që maturantët të plotësonin çdo kuti për të 10 degët, edhe pse nuk kishin preferenca për të zgjedhur.


Këtë vit, ekspertët kanë kërkuar që maturantët plotësimin e formularit ta bëjnë në kohën e duhur, pra, më parë duhet të bëjnë vetë llogaritë në lidhje me mundësitë që kanë për t’u shpallur fitues në degët ku duan të fitojnë.


Prej kohësh është hartuar formati i formularit A2, i cili këtë vit është shtuar me disa degë të reja universitare, shpërndarja dhe plotësimi i të cilit do të nisë gjatë muajit qershor.


Specialistët e arsimit pohojnë se maturantët më parë duhet të përllogaritin vetë mundësitë e fitimit e më pas, të bëjnë listimin e degëve sipas rendit zbritës të caktuar. Për të realizuar një proces të tillë, më parë kandidatët duhet të njihen me rezultatet që do të arrijnë në provimet e detyruara e vetëm më pas, do të plotësojnë formularin e preferencave.


“Plotësimi i formularit të preferencave duhet të nisë në fund të muajit qershor, kohë pasi do të jenë publikuar rezultatet e arritura nga çdo kandidat në dy provimet e detyruara, të cilat nisin në fillim të qershorit. Duke pasur rezultatet dhe ditur koeficientët e llojit të degës si dhe ato të shkollës së mesme, me formulën e gatshme të llogaritjes së komponentëve të maturës, çdo kandidat do të mund të përcaktojë vetë pikët që do të mbledhë. Këto pikë mund t’i krahasojë dhe me pikët minimale për çdo program studimi të vitit të shkuar. Bazuar në këtë krahasim, vetë maturanti mund të identifikojë se në cilën degë rezultatet e tij janë më afër kuotës së përcaktuar për pranim, çka e bën më të lehtë mundësinë e renditjes së programeve që e bëjnë fitues sipas rendit përkatës, shprehen ekspertë të Ministrisë së Arsimit.