Përzgjedhja e pyetjeve të testit për secilën nga provimet e detyruara (Gjuhë-Letërsi e Matematikë) dhe përzgjedhja e pyetjeve të provimeve të me zgjedhje (Anglisht, Frëngjisht, Fizikë, Kimi, Biologji, Njohuri për Shoqërinë, Histori, Gjeografi, Filozofi dhe Njohuri për Ekonominë) të Maturës Shtetërore (MSh) 2008 do të bëhen nga specialistë të përcaktuar nga ministria. Kjo procedurë ndiqet në bazë të urdhrit të ministrisë për hartimin dhe vlerësimin e testeve të provimeve të detyruara dhe me zgjedhje të Maturës Shtetërore (MSh) 2008. Mësohet se specialistët të cilët do të merren me përzgjedhjen e pyetjeve të testit për provimet e detyruara dhe për provimet me zgjedhje janë mësues të lëndëve përkatëse dhe janë emëruar Përgjegjës të Testit Përfundimtar (PTP). Bëhet me dije se këta specialistë do të përzgjedhin pyetjet e testit nga banka e pyetjeve. Mësohet se pyetjet e krijuara nga 17 ekspertët e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve janë ndërtuar në bazë të programeve orientuese. Pyetjet po ruhen brenda ambienteve të izoluara të Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA). Bëhet me dije se menjëherë pas përzgjedhjes së pyetjeve të testit nga 17 ekspertët e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve fillon procesi i shumëfishimit dhe i paketimit në test-broshura.


Mësohet se periudha e KOEPS-it, pra, periudha e izolimit për Maturën Shtetërore (MSh) 2008 për provimin e Gjuhë-Letërsisë D1 ka filluar më datë 3 qershor dhe mbaron ditën e provimit më datë 9 qershor 2008, i cili fillon në orën 10:00. Ndërsa për provimin e Matematikës D2 periudha e izolimit do të fillojë më datë 11 qershor dhe do të mbarojë ditën e këtij provimi më datë 17 qershor 2008. Për provimet me zgjedhje Z1 dhe Z2 periudha e izolimit është nga data 3 deri më 10 korrik të 2008-ës.


Bëhet me dije se testi i provimeve të Maturës Shtetërore (MSh) 2008 për secilin nga provimet e detyruara Matematikë dhe Gjuhë-Letërsi do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje me përgjigje alternative që do të vlejnë 13 pikë dhe 12 pyetje me zhvillim që do të vlejnë 37 pikë. Mësohet se në total një maturant duhet të marrë maksimumi 50 pikë për çdo provim të detyruar. Bëhet me dije se 2 provimet me zgjedhje zhvillohen vetëm një herë në vit dhe do të zhvillohen në një ditë. Mësohet se testet e provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2008 do të përmbajnë për secilën lëndë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje me përgjigje alternative që do të vlejnë10 pikë, dhe 10 pyetje me përgjigje me zhvillim, që do të vlejnë 30 pikë. Në total, një maturant duhet të marrë maksimumi 40 pikë për çdo provim me zgjedhje. Bëhet me dije se kohëzgjatja e dhënies së përgjigjes me shkrim për secilin nga testet e provimeve të detyruara do të jetë 2 orë e 30 minuta, ndërsa kohëzgjatja për dhënien e përgjigjeve me shkrim për të dyja testet e provimeve me zgjedhje do të jetë 4 orë.