Koeficientet e lëndëve me zgjedhje dhe ato të llojeve të shkollave të mesme për Maturën Shtetërore 2008 do të dorëzohen brenda dy ditëve në Ministrinë e Arsimit. Ka qenë drejtoresha e Politikave të Arsimit të Lartë në MASH, Elida Hoxha, ajo që ka garantuar të gjithë të rinjtë që do të aplikojnë për studime universitare këtë vit. Ajo u shpreh dje se informacioni u është dërguar tashmë universiteteve dhe u është kërkuar atyre përcaktimi i koeficienteve si për lëndët me zgjedhje, ashtu edhe për llojin e shkollës së mesme. "Në universitete është dërguar një shkresë ku është kërkuar që këto institucione të sjellin propozimet e tyre për koeficientet. Disa i kanë sjellë tashmë, si Akademia e Fizkulturës, Universiteti Bujqësor, Universiteti i Korçës, ndërsa Universiteti i Tiranës do t‘i sjellë nesër, sqaroi ditën e djeshme Hoxha. Ajo shtoi se "besojmë që këto dy ditë do të marrim të gjithë informacionin që do të shpërndahet në Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe më tej në shkollat e mesme". Sipas drejtoreshës së Politikave të Arsimit të Lartë në MASH, e rëndësishme për nxënësit tani është që të njihen me koeficientet e lëndëve me zgjedhje dhe të llojit të shkollës së mesme. "Në bazë të tyre ata do të përcaktojnë lëndët që do japin në provimet me zgjedhje, të përputhshme me degët e universiteteve që ata duan të ndjekin", sqaroi Hoxha. Për të pasur sa më shumë qartësi edhe nga ana e të rinjve, do kryhen përzgjedhje të sakta për të cilat të mos ketë keqardhje më vonë e do të publikohet e plotë edhe tabela e këtyre koeficienteve, sapo të mblidhen të gjitha të dhënat. Drejtoresha Hoxha premtoi se MASH dhe AVA do të botojnë disa fletë-palosje, apo broshura, që do të përmbajnë tabelën e koeficienteve, në mënyrë që ky informacion të shkojë deri te maturanti. Këtë vit, në listën e lëndëve me zgjedhje, krahasuar me vitin e kaluar, ka pasur disa ndryshime. Ka lëndë që janë ndarë ose shtuar. Kështu, histori-gjeografia nuk është më një lëndë e vetme, por është ndarë në dy të tilla. Ndërsa frëngjishtja ka hyrë për herë të parë në listën e lëndëve me zgjedhje. "Kujtojmë se edhe një vit më parë koeficientet e Institucioneve të Arsimit të Lartë janë publikuar përpara afatit të dorëzimit të formularit A1", ka pohuar Elida Hoxha, duke theksuar se "kjo bëhet me qëllim që maturantët të familjarizohen me formularin A1 dhe ta plotësojnë atë në mënyrë të ndërgjegjshme". Pas kësaj, maturantët njihen me koeficientet dhe mund të marrin një vendim se cilat lëndë do të zgjedhin për provimin e vlefshëm për studimet e larta. Janë dy lloje koeficientesh për pranimet në universitetet publike shqiptare. Çdo degë e shkollës së lartë ka në dispozicion 5 koeficiente nga 1.0 deri në 1.4. (1.0, 1.1, 1.2, 1.3, 1.4) me të cilët vendos preferencën e saj për llojet e ndryshme të shkollave të mesme, që dallohen nga planet dhe programet që zbatojnë. Mundet të vendoset i njëjti koeficient për dy e më shumë lloje shkollash. Secila nga 3 notat e para (nota mesatare dhe 2 notat për provimet e lëndëve të detyruara matematikë e gjuhë-letërsi) shumëzohen me koeficientet e vendosura nga dega e fakultetit, respektivisht llojit të shkollës së mesme që ka kryer kandidati. Janë edhe dy koeficientet e lëndës ose lëndëve me zgjedhje të preferuar nga dega e shkollës së lartë: çdo fakultet shpall parapëlqimin e vet për lëndët me zgjedhje të profilit natyror apo shoqëror. Parapëlqimi shprehet me anë të 2 koeficienteve të tjerë me vlerë 1.3 ose 1.0. Me 1.3 shumëzohet nota e provimit me zgjedhje, që është e parapëlqyer dhe me 1.0 në rastin e kundërt. Këto koeficiente nuk varen nga lloji i shkollës së mesme që ka kryer kandidati për student. Secila nga 2 notat e lëndëve me zgjedhje shumëzohet me koeficientet e llojit të lëndës (1.0 dhe 1.3) të vendosur nga dega e fakultetit. Sipas drejtuesve të MASH-it, skema e pranimit në shkollën e lartë, pra Matura Shtetërore, ka parasysh edhe larminë e shkollave të mesme dhe programit mësimor të tyre. Zbatimi i këtij sistemi koeficientesh reflekton pikërisht këtë larmi, për të zbatuar gjithmonë e më mirë parimin e meritës për të shkuar në shkollën e lartë. Aktualisht të rinjtë që do të konkurrojnë për t‘u pranuar në auditorët e fakulteteve duhet të përzgjedhin mes nëntë lëndëve me zgjedhje. Ato janë: Fizika, Kimia, Biologjia, Historia, Gjeografia, Sociologjia, Filozofia dhe Hyrja në Ekonomi, Anglishtja dhe Frëngjishtja.


Lëndët me zgjedhje


Fizikë
Kimi
Biologji
Histori
Gjeografi
Sociologji
Filozofi+Hyrje në Ekonomi
Anglisht
Frëngjisht