Jonida Tashi



Ministria e Arsimit ka përcaktuar dje, se sa pyetje do të kenë dy provimet e detyruara dhe dy provimet me zgjedhje të Maturës Shtetërore. Gjithashtu, kjo ministri ka përcaktuar edhe maksimumin e pikëve që duhet të marrë çdo maturant në këto provime. Testi i provimeve të Maturës Shtetërore 2008, për secilin nga provimet e detyruara (Matematikë dhe Gjuhë-Letërsi) do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje me përgjigje alternative që nëse plotësohen saktë do të vlerësohen me 13 pikë, dhe 12 pyetje me përgjigje me zhvillim që do të vlerësohen me 37 pikë. Në total një maturant duhet të marrë maksimumi 50 pikë për çdo provim të detyruar. Dy provimet me zgjedhje zhvillohen vetëm një herë në vit dhe në një ditë. Ministria e Arsimit ka bërë të ditur dje, edhe se sa pyetje do të përmbajnë testet e provimeve me zgjedhje. Testet e provimeve me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2008, do të përmbajnë për secilën lëndë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje me përgjigje alternative (10 pikë) dhe 10 pyetje me përgjigje me zhvillim (30 pikë). Në total një maturant duhet të marrë maksimumi 40 pikë për çdo provim me zgjedhje. Kohëzgjatja e dhënies së përgjigjes me shkrim për secilin nga testet e provimeve të detyruara do të jetë dy orë e 30 minuta. Kohëzgjatja për dhënien e përgjigjeve me shkrim për të dy testet e provimeve me zgjedhje do të jetë katër orë.

Katër provimet

Matura Shtetërore 2008, përbëhet nga katër provime: dy të detyruara dhe dy me zgjedhje. Të gjitha provimet zhvillohen me shkrim dhe zhvillohen në ditë të ndryshme (dy provimet me zgjedhje zhvillohen në të njëjtën ditë. Provimet e detyruara të Maturës Shtetërore, i jep çdo nxënës që ka përfunduar vitin e fundit të shkollës së mesme 4 dhe 5 vjeçare. Ndërsa nxënësit mbetës në provimet e detyruara kanë të drejtën e riprovimit në sesionin e dytë (vjeshta). Për nxënësit kalues në provimet e detyruara dhe që dëshirojnë të vazhdojë shkollën e lartë publike është e domosdoshme të japin edhe provimet me zgjedhje. Nxënësit që në vitet shkollorë 2005-2006 dhe 2006-2007 kanë marrë notë kaluese vetëm në njërin nga provimet e detyruara, e ruajnë këtë notë edhe në vitin shkollor 2007-2008 dhe nuk e japin sërish këtë lëndë në provimet e detyruara të Maturës Shtetërore 2008. Nxënësi, i cili është mbetës qoftë edhe në një nga provimet e detyruara të Maturës Shtetërore në sesionin e parë, nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje. Ky nxënës është i detyruar të japë riprovim lëndët e detyruara në vjeshtë dhe, në qoftë se i merr ato, ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje vitin e ardhshëm.



Procedura e vlerësimit të testeve

Vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve/kandidatëve në provimet e detyruara dhe me zgjedhje bëhet me pikë të cilat ekuivalentohen në notë.

Vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga nxënësi/kandidati për kërkesën përkatëse, mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga hartuesit e testeve

Skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo nxënës/kandidat. Çdo përgjigje e plotë, e saktë ose e pjesshme e dhënë nga nxënësi/kandidati për çdo kërkesë, vlerësohet me pikë, sipas skemës së vlerësimit

Nxënësi/kandidati vlerësohet me 0 (zero) pikë, kur jep përgjigje të gabuar ose nuk jep asnjë përgjigje

Pas përfundimit të çdo provimi të Maturës, AVA shpall skemën e vlerësimit të testit

Vlerësues të jashtëm vlerësojnë testet e provimit të Maturës

Vlerësues i jashtëm për provimet e Maturës është çdo mësues i shkollës së mesme, pedagog ose specialist me përvojë në mësimdhënie në lëndën që zhvillohet provimi

Drejtori i AVA-s emëron vlerësuesit e jashtëm dhe kryetarët e tyre

Zgjedhja e vlerësuesve të testeve kryhet çdo vit. Numri i tyre është në varësi të numrit të testeve që vlerësojnë dhe kohës së shpalljes së rezultateve të vlerësimit

Çdo vlerësues firmos në çdo test që vlerëson

Para fillimit të procesit të vlerësimit të testeve, grupi i hartimit te testeve te AVA trajnon vlerësuesit e testeve

Vlerësimi i testeve realizohet në mjediset që përzgjidhen nga AVA dhe miratohen nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, në kushte të përshtatshme dhe të sigurta

Çdo test vlerësohet nga dy vlerësues

Kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, kryetari i vlerësuesve të lëndës cakton një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit është përfundimtar

MASH-i ngre grupe monitoruesish të vlerësimit të testeve sipas lëndëve, të cilët në mënyrë të rastësishme monitorojnë testet e vlerësuara. Këta grupe gjithashtu shqyrtojnë rast për rast të gjithë testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve

MASH ngre komisione të posaçme (KOPOTED), që shqyrtojnë rast për rast të gjithë testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve

Për të gjitha parregullsitë që konstaton, secili KOPOTED informon MASH-in,i cili merr vendimin përkatës

Procesi i vlerësimit të testeve mbikëqyret nga përfaqësues të Komitetit të Maturës Shtetërore

Shpallja e rezultateve bëhet jo më shumë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë, pas çdo provimi të Maturës



Masa për mbarëvajtjen e provimeve

Drejtoritë Arsimore Rajonale, Zyrat Arsimore (DAR/ZA) dhe Drejtoritë e Shkollave të mesme marrin të gjitha masat që viti mësimor 2007-2008, për klasat e maturës (4/5), të mbyllet me programe të realizuara brenda datës 30 maj 2008, duke shfrytëzuar orët në dispozicion dhe ditët e shtuna. Notat përfundimtare për çdo lëndë të nxirren brenda datës 30 Maj 2008. Në periudhën javore 2-7 qershor të zhvillohen konsultime me të gjithë nxënësit për dy provimet e detyruara. Për provimet me zgjedhje konsultimet e grupuara sipas lëndëve me nxënësit të zhvillohen pas përfundimit të provimeve të detyruara

Çdo DAR/ZA dërgon, brenda datës 2 qershor 2008, në Agjencinë Qendrore të Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA) emrat e nxënësve të klasifikuar mbetës në përfundim të vitit të fundit (të katërt ose të pestë), me qëllim që të hiqen nga lista e provimeve të detyruara

Për provimet e Maturës Shtetërore të veprohet sipas Rregullores për Maturën Shtetërore në Republikën e Shqipërisë

Të gjitha testet e provimeve me shkrim, për të dy sesionet hartohen në AVA dhe shpërndahen prej saj

Në institucionet arsimore private, provimet e Maturës Shtetërore me shkrim zhvillohen në të njëjtat data dhe me të njëjtat teste si dhe në institucionet ekuivalente publike

Për shkollën e mesme pedagogjike për minoritetin grek për provimin Gjuha dhe Letërsia Greke përgatitet tezë e veçantë nga DAR Gjirokastër

Tërheqja e testeve të provimeve me shkrim të Maturës Shtetërore bëhet sipas Rregullores së Zhvillimit të Provimeve të Maturës Shtetërore

Për ndjekjen e provimeve përfundimtare në shkollat profesionale 3-vjeçare, DAR dhe ZA angazhon inspektorët dhe specialistët përkatës sipas profileve





Lëndët dhe datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2008 për sesionin e parë:

Në shkollat e mesme të përgjithshme, me kohë të plotë ose të shkurtuar:

Letërsi dhe Gjuhë shqipe 09 qershor 2008

Matematikë 17 qershor 2008

Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2008

Në shkollat e mesme pedagogjike:

Letërsi dhe Gjuhë shqipe 09 qershor 2008

Matematikë 17 qershor 2008

Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2008

Në shkollat e mesme pedagogjike për minoritetin:

Gjuha dhe Letërsia greke 02 qershor 2008

Letërsi dhe Gjuhë shqipe 09 qershor 2008

Matematikë 17 qershor 2008

Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2008

Në shkollat e mesme të gjuhëve të huaja:

Letërsi dhe Gjuhë shqipe 09 qershor 2008

Matematikë 17 qershor 2008

Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2008

Në seksionet dygjuhëshe (Profili shoqëror dhe natyror) :

Letërsi dhe Gjuhë shqipe 09 qershor 2008

Matematikë 17 qershor 2008

Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2008

Në shkollat e mesme social-kulturore artistike dhe sportive:

Letërsi dhe Gjuhë shqipe 09 qershor 2008

Matematikë 17 qershor 2008

Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2008

Në shkollat e mesme teknike ekonomike dhe teknike- profesionale 5-vjeçare dhe 3+2-vjeçare:

Letërsi 09 qershor 2008

Matematikë 17 qershor 2008

Lëndët me zgjedhje 10 korrik 2008





9 Prill 2008