Si ndahen pikët nga zero në tre për çdo pyetje


Përgjigjet, brenda 15 ditëve nga provimi


* * * *





Ministria e Arsimit dhe e Shkencave ka bërë të ditur procedurat e vlerësimit të testeve të Maturës Shtetërore, siç përcaktohen në rregulloren e këtij institucioni. Për çdo pyetje të përgjigjur gabim ose të lënë pa përgjigje, maturanti do të vlerësohet me zero pikë dhe nuk do të ketë penalizim pikësh. Ndërkohë që për çdo pyetje të përgjigjur saktë, ai do të vlerësohet me një deri në tri pikë në bazë të mendimit që do të kenë vlerësuesit.


Përgjigjet e Maturës Shtetërore do të jenë të ndara në katër kategori, sipas rregullores. Në këtë mënyrë, përgjigjet që do të konsiderohen të plota do të vlerësohen me tri pikë, ato që do të konsiderohen të sakta me dy pikë, ndërsa përgjigjet e pjesshme do të marrin një pikë. “Nxënësi vlerësohet me 0 (zero) pikë, kur jep përgjigje të gabuar ose nuk jep asnjë përgjigje”, - përcaktohet në rregullore.


Për testet e Maturës Shtetërore, vlerësuesit do të kenë kompetenca të kufizuara dhe përgjegjësi të plotë mbi vlerësimin e tyre, sipas rregullores së maturës. Në këtë mënyrë, autoritetet përgjegjëse të vlerësimit të provimeve të maturës, AVA do të përzgjedhë dy vlerësues për çdo tezë. Pas përfundimit të vlerësimit të testit, vlerësuesit do të nënshkruajnë provimin, duke marrë përgjegjësinë e plotë të vlerësimit. Rregullorja parashikon që në rast se ka mospërputhje mes pikëve të dy vlerësuesve, atëherë kryevlerësuesi përcakton një vlerësues të tretë, pikët e akorduara prej të cilit janë përfundimtare.


Vlen të theksohet se pranë AVA-s do të ngrihet edhe një komision i posaçëm për të vlerësuar testet që dyshohet se janë të kopjuara, komision që do të quhet KOPOTED. Ky komision do të marrë në shqyrtim të gjitha testet e dyshuara si me përmbajtje të njëjtë dhe në rast se vërteton kopjimin, atëherë skualifikon kandidatët. Sipas burimeve nga Ministria e Arsimit, KOPOTED-i do të marrë në shqyrtim të gjitha testet dhe do të bazohet në shqyrtimin e vet mbi numrin e sekretimit që ka çdo tezë, në mënyrë që të dallojë maturantët që kanë qëndruar afër njëri-tjetrit gjatë provimit.


Përfundimi i korrigjimit të testit duhet të kryhet brenda 15 ditëve nga përfundimi i provimit të maturës. Testi i korrigjuar do t`u jepet kandidatëve pas kërkesës së tyre vetëm kundrejt një pagese prej 400 lekësh të reja. Në rast se maturantët vërejnë korrigjim të gabuar të testit nga ana e vlerësuesve, atëherë ata kanë të drejtë të apelojnë korrigjimin, pranë AVA-s, brenda 7 ditëve nga shpallja e rezultateve.


Rregullat për qëndrimin në mjediset e AVA-s gjatë hartimit të tezave të provimeve, si edhe gjatë korrigjimit të testeve janë të rrepta. Në mjediset e agjencisë nuk do të lejohet të qëndrojë vetëm një person e, për më tepër, nuk do të lejohet mbajtja e mjeteve për komunikim. Ndërkohë që në rast se një prej materialeve të konsideruara “të rezervuara” bëhet i ditur në publik, të gjithë personat përgjegjës do të ndiqen penalisht.





Rregullorja e vlerësimit të testeve





Procedura e vlerësimit të testeve





Neni 57


57.1 Vlerësimi i përgjigjeve të nxënësve/kandidatëve në provimet e detyruara dhe me zgjedhje bëhet me pikë të cilat ekuivalentohen në notë.


57.2 Vlerësimi i çdo përgjigjeje të dhënë nga nxënësi/kandidati për kërkesën përkatëse, mbështetet në skemën e vlerësimit të përgatitur nga hartuesit e testeve.


57.3 Skema e vlerësimit është një standard vlerësues i njëjtë për çdo nxënës/kandidat. Çdo përgjigje e plotë, e saktë ose e pjesshme e dhënë nga nxënësi/kandidati për çdo kërkesë, vlerësohet me pikë, sipas skemës së vlerësimit.


57.4 Nxënësi/kandidati vlerësohet me 0 (zero) pikë, kur jep përgjigje të gabuar, kur nuk jep asnjë përgjigje ose kur në pyetjet me alternativa shënjon në më tepër se një alternativë.


57.5 Pas përfundimit të çdo provimi të Maturës, AVA shpall skemën e vlerësimit të testit.


57.6 Vlerësues të jashtëm vlerësojnë testet e provimit të Maturës.


57.7 Vlerësues i jashtëm për provimet e Maturës është çdo mësues i shkollës së mesme, pedagog ose specialist me përvojë në mësimdhënie në lëndën që zhvillohet provimi.


57.8 Drejtori i AVA-s emëron vlerësuesit e jashtëm dhe përgjegjësit e tyre.


57.9 Zgjedhja e vlerësuesve të testeve kryhet çdo vit. Numri i tyre është në varësi të numrit të testeve që vlerësojnë dhe kohës së shpalljes së rezultateve të vlerësimit.


57.10 Çdo vlerësues firmos në çdo test që vlerëson.


57.11 Para fillimit të procesit të vlerësimit të testeve, grupi i hartimit te testeve te AVA trajnon vlerësuesit e testeve.


57.12 Vlerësimi i testeve realizohet në mjediset që përzgjidhen nga AVA dhe miratohen nga Ministri i Arsimit dhe Shkencës, në kushte të përshtatshme dhe të sigurta.


57.13 Çdo test vlerësohet nga dy vlerësues.


57.14 Kur midis dy vlerësuesve ka ndryshime pikësh për të njëjtat kërkesa, përgjegjësi i vlerësuesve të lëndës cakton një vlerësues të tretë, vendimi i të cilit është përfundimtar.


57.15 MASH-i ngre grupe monitoruesish të vlerësimit të testeve sipas lëndëve, të cilët në mënyrë të rastësishme monitorojnë testet e vlerësuara. Këta grupe gjithashtu shqyrtojnë rast për rast të gjithë testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve.


57.16 MASH ngre komisione të posaçme (KOPOTED), që shqyrtojnë rast për rast të gjithë testet që raportohen si të dyshimta për kopjim nga vlerësuesit e testeve.


57.17 Për të gjitha parregullsitë që konstaton, secili KOPOTED informon MASH-in,i cili merr vendimin përkatës.


57.18 Procesi i vlerësimit të testeve mbikëqyret nga përfaqësues të Komitetit të Maturës Shtetërore.


57.19 Shpallja e rezultateve bëhet jo më vonë se 15 (pesëmbëdhjetë) ditë, pas çdo provimi të Maturës.