Që të fitosh shkollën e lartë, duhet të përgatitesh për të zgjidhur një test me 40 pyetje. Kjo është sfida për maturantët e të gjitha shkollave të mesme, që do të provojnë dijet e tyre më 10 korrik në lëndët me zgjedhje. Janë pikërisht këto dy lëndë që përkojnë me llojin e fakultetit, të cilat sigurojnë të drejtën për të ndjekur fakultetin në vitin e ri akademik. Gjithnjë nëse pikët e marra janë maksimale për t‘u klasifikuar.



Ministria e Arsimit ka bërë dje publik formatin e testit të çdo provimi, të detyruar apo me zgjedhje. Ai përbëhet nga 25 pyetje për secilën nga lëndët e detyruara, matematikë dhe letërsi. Ndërsa testi i dy lëndëve me zgjedhje ka 40 pyetje në total, ose nga 20 për secilën prej tyre.



Sipas njoftimit zyrtar të MASH-it, numri i pyetjeve me zhvillim dhe atyre me alternativa në test do të jetë thuajse i barabartë. Kështu, për matematikën dhe gjuhë-letërsinë është vendosur që nga 25 pyetje të testit, 13 të jenë me alternativa dhe 12 pyetje me përgjigje të argumentuara (me zhvillim). Por ndërsa numri i pyetjeve është i barabartë, numri i pikëve për to është i ndryshëm. Vlerësimin më të madh maturanti e merr nga pyetjet me zhvillim. Madje, diferenca është shumë e madhe. Dymbëdhjetë pyetjet që kërkojnë zhvillim kanë plot 37 pikë. Ndërsa trembëdhjetë pyetjet me alternativa, nëse janë të gjitha të sakta, vlerësohen me 13 pikë në total, pra nga një pikë për secilën pyetje. Maksimalja e pikëve që grumbullon maturanti është 50 në lëndën e detyruar matematikë ose letërsi.



Po çfarë rezervon provimi me zgjedhje, ose barriera e shkollës së lartë? Dy lëndët me zgjedhje, që përbëjnë një provim, pasi jepen në të njëjtën ditë, kanë plot 40 pyetje, ose nga 20 të tilla për secilën lëndë. Ky provim që mbahet më 10 korrik në të gjithë vendin dhe do zgjatë katër orë. Testet shpërndahen radhazi, me nga dy orë në dispozicion për secilin test. Numri i pyetje është i barabartë, 10 me zhvillim dhe 10 me alternativa për lëndët me zgjedhje. Ashtu si për të detyruarat, numrin më të madh të pikëve e kanë pyetjet me zhvillim. Nëse një maturant arrin të shtjellojë saktë këto pyetje, ka mjaft shanse për të fituar. Plot 30 pikë merr një kandidat që zgjidh 10 pyetjet e lëndës me zgjedhje. Ndërsa të dyja lëndët kanë në total 60 pikë nga pyetjet me zhvillim. Alternativat janë vlerësuar sërish më ulët, një pikë për pyetje. Pra, në total, një maturant mund të fitojë 80 pikë te provimi i lëndëve me zgjedhje, 20 nga pyetjet me alternativa dhe plot 60 nga pyetjet me zhvillim.



Data 9 dhe 17 qershor do t‘i mbledhë të rinjtë nëpër shkolla për të dhënë provimet e detyruara. Përkatësisht letërsinë më 9 dhe matematikën më datë 17. Ndërsa provimi i lëndëve me zgjedhje zhvillohet më 10 korrik. Kohëzgjatja e dhënies së përgjigjeve për të detyruarat është 2 orë e 30 minuta. Ndërsa kohëzgjatja për dhënien e përgjigjeve me shkrim për të dyja testet e provimeve me zgjedhje është 4 orë.



Matura Shtetërore 2008 përbëhet nga katër provime: dy të detyruara dhe dy me zgjedhje. Nxënësi mbetës në provimet e detyruara ka të drejtën e përsëritjes në sesionin e dytë, atë të vjeshtës. Për nxënësit kalues në provimet e detyruara dhe që dëshirojnë të vazhdojnë shkollën e lartë, është e domosdoshme të japin edhe provimet me zgjedhje. Nxënësit që kanë mbaruar të mesmen në vitet shkollore 2005-2006 dhe 2006-2007 dhe kanë marrë notë kaluese vetëm në njërin nga provimet e detyruara, e ruajnë këtë notë. Ata në vitin shkollor aktual, 2007-2008 japin vetëm lëndën mbetëse. Nëse kalojnë, marrin pjesë në provimet me zgjedhje. Ndërsa për nxënësit mbetës të këtij viti shkollor, qoftë edhe në një nga provimet e detyruara, MASH deklaron se "nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje". Ky nxënës është i detyruar të japë provim lëndët e detyruara në vjeshtë dhe në qoftë se i merr ato, ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje vitin e ardhshëm.







Oraret





Kohëzgjatja e dhënies së përgjigjeve për provimet e detyruara është 2 orë e 30 minuta





Provimi i lëndëve me zgjedhje zgjat 4 orë pa ndërprerje, ose 2 orë për secilën lëndë





pikët





Numrin më të madh të pikëve e kanë pyetjet me zhvillim, plot 37 pikë për 12 pyetje





Të gjitha pyetjet me alternativa (me rrethim Po ose Jo) vlerësohen me 1 pikë









Datat e provimeve të Maturës Shtetërore 2008







Në shkollat e mesme të përgjithshme, me kohë të plotë ose të shkurtuar:



a- Letërsi dhe gjuhë shqipe, 09 qershor 2008



b- Matematikë, 17 qershor 2008



c- Lëndët me zgjedhje, 10 korrik 2008







Në shkollat e mesme pedagogjike:



a- Letërsi dhe gjuhë shqipe, 09 qershor 2008



b- Matematikë, 17 qershor 2008



c- Lëndët me zgjedhje, 10 korrik 2008







Në shkollat e mesme pedagogjike për minoritetin:



a- Gjuhë dhe letërsi greke, 02 qershor 2008



b- Letërsi dhe gjuhë shqipe, 09 qershor 2008



c- Matematikë, 17 qershor 2008



d- Lëndët me zgjedhje, 10 korrik 2008







Në shkollat e mesme të gjuhëve të huaja:



a- Letërsi dhe gjuhë shqipe, 09 qershor 2008



b- Matematikë, 17 qershor 2008



c- Lëndët me zgjedhje, 10 korrik 2008







Në seksionet dygjuhëshe (profili shoqëror dhe natyror):



a- Letërsi dhe gjuhë shqipe, 09 qershor 2008



c- Matematikë, 17 qershor 2008



d- Lëndët me zgjedhje, 10 korrik 2008







Në shkollat e mesme social-kulturore, artistike dhe sportive:



a- Letërsi dhe gjuhë shqipe, 09 qershor 2008



b- Matematikë, 17 qershor 2008



c- Lëndët me zgjedhje, 10 korrik 2008







Në shkollat e mesme teknike ekonomike dhe teknike-profesionale 5- vjeçare dhe 3+2-vjeçare:



a- Letërsi, 09 qershor 2008



b- Matematikë, 17 qershor 2008



c- Lëndët me zgjedhje, 10 korrik 2008