Koeficientët favorizojnë deri në 1200 pikë


Kujdes! Zgjedhja e gabuar ju bën jofitues





Një zgjedhje e gabuar në ditët kur do të plotësoni formularin A2 mund t`ju bëjë automatikisht jofitues. Kjo, pasi vetëm nga koeficientët e maturës, vendosen në lojë 1600 pikë, që do të thotë më shumë sesa diapazoni i fituesit të parë me fituesin e fundit në shumicën e degëve. Koeficientët e shkollave të mesme zënë peshën kryesore në këtë diferencë me 1200 pikë ndryshim, në një zgjedhje të gabuar.


Shumica e shkollave të larta kanë respektuar edhe këtë vit profilin e shkollave të mesme, me përjashtim të disa rasteve si fakultetet e ekonomisë. Kështu, nëse vazhdoni një shkollë të mesme profili natyror, do të keni minimalisht 300 pikë avantazh sesa të tjerët, nëse zgjidhni një degë fakulteti të profilit natyror, si degët e Fakulteteve të Shkencave të Natyrës, në të gjitha universitetet e vendit, të gjitha degët e Universitetit Politeknik dhe të Universitetit Bujqësor, me përjashtim të Fakultetit të Ekonomisë, si edhe në disa prej degëve të fakulteteve të ekonomisë.


Në të kundërt, nëse vazhdoni një shkollë të mesme të përgjithshme profili shoqëror, zgjedhjet tuaja ngushtohen në degët e të njëjtit profil në universitetet e vendit, me përjashtim Politeknikun dhe Bujqësorin, që nuk kanë degë të profilit shoqëror. Kjo situatë përsëritet çdo vit, ku maturantë të ndryshëm kanë minimalisht 300 deri në 1600 pikë avantazh ndaj të tjerëve, që i bën automatikisht fitues ose jofitues në bazë të zgjedhjes që kanë bërë.


Situata ndërlikohet në shkollat e mesme tekniko-profesionale, ku mundësia e përzgjedhjes reduktohet ndjeshëm dhe që kanë përballë maturantë të shkollave të mesme të përgjithshme me të njëjtin koeficient. Kështu, një maturant që përfundon një shkollë të përgjithshme Hoteleri-Turizëm, do të ketë të njëjtat shanse me një maturant që përfundon një shkollë të mesme të përgjithshme profili shoqëror në Fakultetin e Ekonomisë, por shanse më të pakta, në të gjitha degët e tjera.


Për këtë arsye specialistët këshillojnë që maturantët e shkollave të mesme tekniko-profesionale, që janë më të disfavorizuarit nga sistemi i koeficienteve të Maturës Shtetërore, të jenë më të kujdesshëm gjatë plotësimit të formularit A2, duke vendosur të gjitha degët që kanë koeficientë maksimalë, pasi mundësia e tyre e zgjedhjes reduktohet ndjeshëm.


Skema e pranimit të studentëve për vitin e ri akademik synon që arsimi profesional të ketë koeficientë më të lartë për kandidatët që do të aplikojnë në fakultetin që do të përzgjedhin, sipas Ministrisë së Arsimit, por propozimet e shkuara në këtë ministri nga fakultetet, kanë lënë de fakto, një disfavorizim të tillë.


Koeficientët janë elementët më të rëndësishëm të maturës, pasi ato shumëzohen më pas me notën mesatare dhe notat e dy lëndëve të detyrueshme, Letërsi dhe Matematikë, për të prodhuar shumën totale të pikëve të përfundimit të shkollës së mesme. Më pas, këto pikë, së bashku me pikët e grumbulluara nga lëndët me zgjedhje që llogariten me koeficientë të veçantë përbëjnë pikët me të cilat maturanti konkurron në shkollat e larta.