Këto ditë qershori janë ditë provimesh edhe për nxënësit e shkollave 9-vjeçare.  Ditën e premte, ata të klasës së 9-të pritet që të finalizojnë 9 vite dije në Gjuhë-Letërsi. Provimet e lirimit tashmë u ngjasojnë atyre të maturës shtetërore, nisur nga procedurat që ndiqen. Testit të Gjuhë-Letërsisë do t’i nështrohen në të gjithë vendin rreth 51.400 nxënës.





“Janë marrë të gjitha masat për realizimin e procesit në mënyrën më të
mirë të mundshme. Njëlloj sikurse provimi i maturës, fletët e provimit
vijnë me zarf të mbyllur nga kryeadministratori. Ditën e provimit në
mëngjes, hapen në orarin e caktuar, në orën 10.00. Pasi është hedhur
shorti për administratorët e klasave ndahet grupimi i nxënësve. Çdo
klasë ka 15 nxënës”-thotë Eliana Sado, drejtoreshë e shkollës 9-vjeçare
“Lidhja e Prizrenit”.



Sipas udhëzimeve të dala nga drejtoria arsimore, nëse nxënësit do të
mungojnë në provime, duhet që arsyeja e tyre të jetë e argumentuar
ndërkohë që për ta do të ketë një shans të dytë.



“Duhet ta kenë të dokumentuar nqs janë të sëmurë. Kanë të drejtë ta japin në fund të gushtit”-thotë ajo.



Nxënësit do të vlerësohen me pikë të cilat konvertohen në notë, ndërkohë
që në datën 23 qershor ata do të zhvillojnë atë të matematikës.







Edlira Sulejmani