TIRANE- Maturantët do të njihen nesër me notat e marra në provimin e Gjuhë-Letërsisë.

Specialistët e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës kanë përfunduar korrigjimin dhe po kryhet procesi i quajtur “Matching”, përputhja i rezultateve të sekretuara me emrat e maturantëve.

Në përfundimin të këtij procesi, anëtarët e komisionit “Matching” marrin rezultatet, të bashkërenduara me emrat e maturantëve në një kompaktdisk (CD) vetëm të lexueshëm, me të gjithë emrat dhe rezultatet e maturantëve dhe më pas bëhet edhe printimi i rezultateve.
Provimi i Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe, i zhvilluar më 1 qershor, kishte 25 pyetje, 13 kërkesa me përgjigje alternative, që përbëjnë 13 pikë dhe 12 kërkesa me zhvillim, të cilat vlerësohen me 37 pikë.

Po nesër nis vlerësimi i testeve të Matematikës, të plotësuara dje nga maturantët. Vlerësimi do të nisë nesër në gjashtë qendra korrigjimi dhe përfundon më 28 qershor, dy ditë para zhvillimit të provimeve me zgjedhje”.

Qendrat e korrigjimit janë instaluar në Tiranë, në godinën e shkollës "Sabaudin Gabrani", Qendra Nr.1; në godinën e shkollës "Sabaudin Gabrani", Qendra Nr. 2; në Elbasan në godinën e shkollës “Qemal Stafa”; në Shkodër në godinën e shkollës “Jordan Misja"; në Fier në godinën e shkollës “Naim Frashëri" dhe në Korçë në godinën e shkollës “Sevasti Qiriazi”.

Transporti i testeve nga Tirana në secilën nga qendrat e vlerësimit u bë nën masa të rrepta sigurie, me automjete të DAR-ve përkatëse nga grupi i administratorëve të përcaktuar.

Pas çdo provimi të Maturës Shtetërore 2011, në secilën nga 6 qendrat e vlerësimit do të funksionojë në mënyrë permanente një grup i administrimit dhe monitorimit të testeve.

Sikurse procesi i administrimit dhe zhvillimit, edhe ai i hartimit dhe vlerësimit, do të bëhet sipas rregullores së Maturës.
(s.g/balkanWeb)