zirina llambro

Rreth 38.000 maturantët dhanë dje matematikën, provimin e dytë të detyrueshëm.

Pas shpërndarjes së tezës në të gjitha shkollat dhe mjediset e përzgjedhura nga DAR/ ZA-të, provimi filloi njëkohësisht në orën 10:00 dhe zgjati 2 orë e 30 minuta.
"Nga monitorimi i vazhdueshëm për Maturën Shtetërore, në 37 Drejtori Arsimore Rajonale dhe Zyra Arsimore rezultoi se gjithçka eci normalisht", bëri me dije Ministria e Arsimit.
Menjëherë pas përfundimit të provimit të Matematikës, të gjitha testet e maturantëve u dërguan në drejtim të Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve (AVA), me masa të rrepta sigurie dhe do të shpërndahen në katër qendrat e korrigjimeve në të gjithë Shqipërinë. Procesi i vlerësimit të testeve do të monitorohet nga ekspertë të politikave të inspektimit në MASH dhe specialistë të Inspektoratit Kombëtar të Arsimit Parauniversitar. Për t'u ardhur në ndihmë maturantëve, Ministria e Arsimit publikoi dje edhe çelësin e përgjigjeve për të gjitha profilet e shkollave të mesme. Gazeta publikon të plota të dyja variantet A edhe B, që u kanë rënë nxënësve në provim. "çdo maturant, çdo prind, çdo institucion dhe çdo i interesuar për provimin e kësaj lënde mund t'i gjejë përgjigjet në faqen e internetit të MASH-it (www.mash. gov.al )", thuhet në deklaratën e MASH-it. Procesin e monitoroi dje edhe Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj. Ai zgjodhi qytetin e Fierit, ku vizitoi të gjitha qendrat e provimeve të përcaktuara nga Drejtoria Arsimore Rajonale e Fierit kishte vënë në dispozicion të maturantëve për zhvillimin e provimit të kësaj lënde. Tafaj u ndal edhe në Patos, ku pasi vëzhgoi kushtet në të cilat po zhvillohej provimi i matematikës, bisedoi me administratorët për standardet dhe rigorozitetin e procesit.
Në përfundim të provimit të Matematikës, Ministri Tafaj u ndal edhe në qytetin e Lushnjës. Në disa prej shkollave të këtij qyteti takoi maturantët që kishin përfunduar testin dhe u interesua për shkallën e vështirësisë së tij. "Garantojmë maturantët se vlerësimi do të jetë transparent. Procesi për fat të mirë u mbyll siç duhet", tha Tafaj. Më datë 30 qershor maturantët do të japin lëndët me zgjedhje. Më tej pas marrjes së rezultateve ata do të plotësojnë formularin A2, ku do të përcaktojnë degët e shkollës së lartë ku duan të konkurrojnë. Në këtë mënyrë ata përmbyllin procesin e Maturës Shtetërore, për të kaluar në atë të aplikimit në shkollat e larta. Në mënyrë elektronike do t'u llogariten pikët dhe po me të njëjtën skemë do të shpallen dhe fituesit. Janë rreth 38 mijë maturantë që garojnë për 20 mijë kuota pranimi në universitetet publike.


PERGJIGJET E PLOTA, MUND TI LEXONI NE FORMATIN PDF